Pasuria e Erjetës, gjykata përjashton Dritan Avdylin. Vendimi: Ishte bashkëshort i padenjë

Jun 13, 2013 | 9:22
SHPËRNDAJE

Plot 13 vjet nga koha e zhdukjes së Erjeta Avdylit, e cila u gjet disa javë më pas e vrarë, Gjykata e Lartë shpall të padenjë bashkëshortin e saj për t’i trashëguar pasurinë. “Panorama” boton arsyetimin e verdiktit që i heq të drejtën e trashëgimisë Dritan Avdylit, shpallur nga një Kolegj Civil i Gjykatës së Lartë në shkurt 2013, e zbardhur se fundmi.

Pas gjetjes së trupit të dekompozuar të Erjetës më 13 maj 2000, Dritan Avdyli ishte i dyshuari kryesor i Prokurorisë për vrasjen. Hetimet ndaj tij u pushuan në vitin 2002, me arsyetimin se “nuk provohej se ishte ai autori i veprës penale”. Në vendim Kolegji Civil arsyeton se Dritan Avdyli nuk është i denjë për të trashëguar bashkëshorten e tij të ndjerë. Sipas gjykatës, nga provat e analizuara në gjykim, vërtetohet fakti se e ndjera ka përjetuar me vite të tëra situata të tensionuara të shkaktuara nga veprimet poshtëruese të bashkëshortit.

Këto veprime, sipas Gjykatës, nuk janë vetëm shkak për tronditjen e marrëdhënieve bashkëshortore, por edhe fakte që vërtetojnë se i shoqi nuk mund të jetë i denjë për të trashëguar pasurinë e të ndjerës. Në sjelljet “e padenja” të bashkëshortit të Erjeta Avdylit, gjykata vlerësonte keqtrajtimin dhe dhunën psikologjike të ushtruar prej tij, si edhe faktin që ai nuk ka marrë pjesë në varrimin e saj. Në vendimin e zbardhur, pjesë të së cilit paraqiten në vijim, zbardhen edhe korrespondenca të së ndjerës Avduli me motrën e saj, ku ajo rrëfen tmerrin dhe kërcënimet me jetë që merrte nga bashkëshorti i saj, funksionar në Policinë e Shtetit. Debati gjyqësor në lidhje me të qenët i padenjë si trashëgimtar për bashkëshortin e Erjeta Avdylit, nisi me kërkesë të babait të së ndjerës, Enes Sokoli.

Ai i kërkoi gjykatës se trashëgimia e vajzës së tij duhet të ndahej mes fëmijëve të saj, pa përfshirë bashkëshortin. Pasi ka kaluar disa herë nëpër shkallët e Gjyqësorit, kjo kërkesë u pranua nga Gjykata e Lartë. Vendimi i Gjykatës së Lartë prishi vendimin e 7 prillit 2008 të Apelit, që nuk pranonte kërkesën dhe vendosi lënien në fuqi të vendimit të 4 tetorit 2006 në Gjykatën e kryeqytetit, i cili deklaronte të padenjë Dritan Avdylin për të trashëguar pasurinë e të ndjerës Erjeta.

HISTORIA

E ndjera Erjeta Avdyli ka qenë e lidhur në martesë ligjore me të paditurin Dritan Avdyli, dhe nga martesa kanë dy fëmijë, përkatësisht E. Avdyli i datëlindjes 1990 dhe S. Avdyli e datëlindjes 1996. Ka rezultuar e provuar se midis të ndjerës Erjeta Avdyli dhe të paditurit Dritan Avdyli ka pasur shumë mosmarrëveshje, të cilat shpeshherë kanë bërë të pamundur vazhdimin e bashkëjetesës midis tyre, dhe si rezultat i kësaj situate e ndjera Erjeta Avdyli ka paraqitur edhe kërkesë për zgjidhje të martesës pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 16.10.1998. Referuar provave që ndodhen në dosjen gjyqësore, ka rezultuar se në seancën dëgjimore çifti ka rënë dakord që t’i zgjidhte mosmarrëveshjet jashtëgjyqësisht dhe, në këto kushte, gjykata ka vendosur të pushojë gjykimin e çështjes.

Mosmarrëveshjet midis çiftit kanë vazhduar edhe gjatë viteve 1999-2000, fakt që rezulton nga provat shkresore të administruara në dosjet gjyqësore, siç janë e-mailet e datave 13.03.2000 dhe 20.03.2000, që e ndjera i ka drejtuar të motrës së saj, nëpërmjet të cilave i thotë se i padituri Dritan Avdyli gjatë gjithë kësaj kohe e ka keqtrajtuar dhe dhunuar psikologjikisht. Rezulton se më datë 30.03.2000 e ndjera Erjeta Avdyli është zhdukur. Më vonë, trupi i saj është gjetur më datë 13.05.2000.

Nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar procedim penal ndaj të paditurit Dritan Avdyli si i akuzuari dhe i dyshuari kryesor për vdekjen e të ndjerës Erjeta Avdyli, procedim ky i cili është pushuar me vendimin e datës 15.03.2002, të prokurorit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me arsyetimin se i padituri nuk është autor i veprës penale.

(Lajmin e plote nga Armand Bajrami e lexoni sot ne Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura