Pasuria dhe grada rrezikojnë drejtuesin e lartë të Policisë. Dëshmia në Veting: Një apartament u shit nga miqtë, isha plagosur dhe…

May 22, 2020 | 18:51
SHPËRNDAJE

Pas ndërprerjes prej më shumë se 2 muajsh të procesit të vetingut në Polici për shkak të pandemisë, dje Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit i është rikthyer punës, duke bërë vlerësimin e një prej drejtuesve të lartë të Policisë, Sokol Bizhgës.Sokol-Bizhga-ne-Vetting-1-750x421

Bizhga, i cili aktualisht drejton Forcat Lëvizëse Operacionale, u konstatua me probleme nga KJV. Trupa e Vlerësimit, e përbërë nga Ela Kerka, Marjeta Gjela dhe Ana Kapaj, konstatoi probleme për 2 apartamente në pronësi të Bizhgës. Sipas KJV-së, për apartamentin në Tiranë, të blerë me kursime nga emigrimi në Itali me vlerë 2 milionë lekë, nuk është deklaruar shtesa e kryer në deklaratën veting.

Mospërputhje u konstatuan edhe për shitjen e një apartamenti në Vlorë, ku vlera e shitjes rezulton 2 milionë lekë, ndërsa në deklaratën noteriale 1.6 milionë lekë. Për këtë mosrakordim, Sokol Bizhga u shpreh se shitja ishte kryer nga miqtë e tij, pasi nuk mund të paraqitej personalisht në Vlorë pas plagosjes gjatë ushtrimit të detyrës.

Subjekti i vlerësimit nuk justifikon edhe disa paga përgjatë viteve 1993 dhe 2002, për të cilat ai pretendon se ka pasur shpërblim për shkak të plagosjes në krye të detyrës. Për kreun e Forcave Lëvizëse Operacionale, Komisioni vërejti probleme dhe për sa u përket gradave të arritura nga Bizhga gjatë viteve.

Komisioni kështu veçoi rastin e vitit 2014, kur ai u emërua zëvendësdrejtor Policie, pa pasur gradët që parashikon ligji. Sokol Bizhga doli i pastër në kriterin e vlerësimit të figurës, ku nuk u konstatuan të dhëna për veprimtari kriminale, denoncime apo të dhëna për kontakte me botën e krimit.

“Nuk ka të dhëna për veprimtari kriminale, s’ka të dhëna për kontakte me botën e krimit, nuk ka denoncime”, u konstatua nga Komisioni. Ndërsa sa i përket kriterit të aftësive profesionale, veçohet vetëm fakti i gradës, që sipas Komisionin është përfituar jashtë radhe.

“Aftësi për përmbushjen e detyrave, ka rreth 7 vite me gradën ‘Drejtues i parë’, ka nisur punën në vitin ‘90 dhe është shkëputur për 13 muaj me reformë, grada ‘Kolonel’ është përfituar jashtë radhe, por në përputhje me ligjin”, u shpreh Komisioni.

PASURIA

1. Apartament 1+1 64 m2 blerë në 97 me vlerë 2 mln lekë, të ardhura nga puna në emigracion në Itali. Pasuria nuk është deklaruar në deklaratën veting 2018, por në deklarimin e pasurisë së vitit 2013. Nuk është deklaruar dhe një shtesë 18 m2

2. Shitja e një apartamenti në Vlorë e deklaruar në vlerën 2 mln, por te noteri 1.6 mln. Ka mospërputhje për këtë pasuri të shitur.

3. Apartament 94 m2 në Durrës, në emër të bashkëshortes në 2006. Të ardhura nga rroga. Burim ligjshëm i të dhënave financiare.

4. Dyqan 52 m2 në Durrës në 2010 me vlerë 40 mijë dollarë, nga të ardhurat e përfituara nga familjarët e bashkëshortes.

5. Testament për banesë dhe tokë në Gjirokastër në emër të djalit të subjektit, e lënë nga prindërit e subjektit, me sipërfaqe 4 mijë m2.

6. Dy depozita bankare.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura