Pastrim parash me bankat? Guvernatori flet për shqetësimin e PD dhe koncesionet “1 miliard euro”

Nov 16, 2017 | 8:17
SHPËRNDAJE

“Programi i qeverisë për koncesionet ‘1 miliard euro investime’ nuk rrezikon buxhetin e vitit të ardhshëm, nëse do të respektohen kufizimet e parashikuara në ligj”.

sejko

Kështu u shpreh guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dje në Komisionin e Ekonomisë për buxhetin 2018. Opozita ngriti shqetësimin se nëpërmjet programit të investimeve me koncesion, qeveria do të pastrojë paratë e drogës dhe krimit.

Guvernatori Sejko hodhi poshtë shqetësimin e opozitës, duke përjashtuar mundësinë për pastrim parash nëpërmjet bankave. Në raport me buxhetin, Sejko i rekomandoi qeverisë monitorimin e skemës së pensioneve, pasi deficiti vazhdon ende të jetë barrë.

KONCESIONET

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pohoi dje në Komisionin e Ekonomisë se sistemi bankar është i sigurt dhe me koncesionet nuk ka pastrim parash. “Bankat do të japin kredi bazuar në fondet e likuiditetit, që janë depozitat, dhe janë depozitat e popullatës. Në këtë pjesë ne jemi të pastër.

Bankat kanë instrumente për verifikimin e origjinës së parave. Por nuk janë vetëm bankat, janë edhe institucionet ligjzbatuese, si autoriteti i parandalimit të pastrimit të parave, pra ka një koordinim të grupit të punës. Ka disa kërkesa ligjore që kërkohen në proces dhe zbatohen.

Çdo institucion duhet të kryejë detyrën e tij, duhet deklaruar origjina dhe burimi i parave paralelisht me projektin dhe në raste të dyshimta, duhet filluar investigimi. Kështu funksionon në parim. Në këtë kontekst, ne nuk shohim potencial të përfshirjes së sistemit bankar në pastrimin e parave në aktivitetin e koncesioneve. Kjo është e qartë dhe pa ekuivok”, u shpreh Sejko.

Në raport me buxhetin, guvernatori Sejko vlerësoi se në rast se qeveria zbaton kufizimet e vendosura në ligj, nuk ka rrezik. “Koncesionet në radhë të parë duhet të jenë të studiuara dhe të kenë projeksione pozitive që të rezultojë i suksesshëm, pasi në të kaluarën kanë rezultuar që koncesionet kanë mbetur në gjysmë të rrugës.

Së dyti, duhet të pasqyrohen në kontabilitet sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit në buxhetin e shtetit. Ka disa forma koncesionesh në rast se është Partneritet Publik Privat dhe privati do të ketë të gjithë detyrimin për të mbajtur riskun dhe nëse në bilanc detyrimi që ka shteti do të pasqyrohet korrekt, duke respektuar limitet që janë vendosur në buxhetin e shtetit, pra opinioni ynë është si i FMN-së.

Në raport me buxhetin, pra në rast se do të respektohen kriteret, nuk do të kishte rrezik. Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon disa limite 40,1 për qind të PBB-së në kontratat koncesionare dhe jo më shumë se 5 për qind të të ardhurave nuk duhen tejkaluar me koncesionet dhe nëse respektohen, nuk ka rrezik”, tha Sejko.

PENSIONET

Guvernatori Sejko i kërkoi qeverisë të monitorojë skemën e pensioneve, pasi deficiti është 2.5 herë më i lartë se deficiti buxhetor. Sejko rekomandoi masa korrektuese dhe nxitjen e skemave private.

“Deficitet e skemës së pensioneve dhe asaj të sigurimit shoqëror vazhdojnë të mbeten një barrë e rëndë për buxhetin. Deficiti i këtyre skemave është rreth 2.5 herë më i lartë se vlera totale e deficitit buxhetor. Ky fenomen duhet të mbetet në monitorim të vazhdueshëm, implikimet afatmesme dhe afatgjata të tij duhen vlerësuar me seriozitet, dhe në rast se është e nevojshme, duhen marrë masa korrektuese.

Në veçanti, Banka e Shqipërisë mendon se duhet inkurajuar më shumë krijimi i skemave private të pensioneve, të cilat lehtë- sojnë barrën mbi financat publike dhe i japin një frymëmarrje të mëtejshme zhvillimit të tregjeve financiare”, u shpreh guvernatori Sejko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura