Pasojat që vijnë nga investimet e mira në vendet e gabuara

Jan 23, 2018 | 11:24
SHPËRNDAJE

Mirjan_TopiMIRJAN TOPI

Shqipëria mbart një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë natyrore të Europës, të cilën, në kuadër të procesit të integrimit, është e detyruar ta mbrojë dhe mirëmenaxhojë në bazë të rregullave dhe direktivave të Bashkimit Europian. Rrjeti ekologjik, kundrejt të cilit në mënyrë të veçantë i duhet kushtuar vëmendje (në kuadër të procesit të integrimit) është rrjeti i zonave Emerald.

Rrjeti Emerald përfshin zona me interes të veçantë ruajtjeje, të identifikuara në vendet të cilat kanë ratifikuar “Konventën për ruajtjen e florës dhe faunës së egër dhe mjedisit natyror të Europës” ose siç njihet ndryshe “Konventa e Bernës” për të përmbushur detyrimet që burojnë nga kjo e fundit dhe janë simotra të rrjetit ekologjik Natura 2000 të Bashkimit Europian. Në vendin tonë rrjeti Emerald përbëhet nga një numër prej 25 zonash, të propozuara nga qeveria shqiptare dhe të miratuara nga “Konventa e Bernës”, në dhjetor të vitit 2012.

Jo në pak raste, së fundmi, janë prezantuar plane të papërshtatshme zhvillimi apo investimi në zona të caktuara të rrjetit Emerald, të cilat në të njëjtën kohë janë edhe pjesë e rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura. Këto plane konsistojnë në tjetërsimin e sipërfaqeve të mëdha natyrore brenda këtyre zonave për ndërtimin e resorteve të turizmit masiv apo objekteve të tjera, kryesisht ne funksion të turizmit (si p.sh. aeroporte etj.).

Prezantimi i planeve të urbanizimit të disa prej zonave më të mira, simbol të natyrës shqiptare, sikurse është rasti i peizazhit të mbrojtur Vjosë – Nartë dhe rasti i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, e ilustron më së miri këtë pohim. Për shkak të vlerave ekologjike, këto zona janë pjesë e pothuajse të gjithë rrjeteve ekologjike (PKDK është pjesë e të gjitha rrjeteve ekologjike, ndërsa PMVN nuk është vetëm zonë RAMSAR, status të cilin e meriton dhe mund t’i jepet menjëherë, nëse aplikohet) në të cilat aderon Shqipëria dhe ndër zonat e sigurta Natura 2000 në të ardhmen.

Nuk mund të mohohet se projekte te tillë kanë një impakt domethënës (për të mos thënë shkatërrues) në habitatin natyror, peizazhin dhe popullatat e llojeve me interes të lartë ruajtjeje në nivel kombëtar, europian dhe global. Në të njëjtën kohë, investime të tilla janë të dobishme dhe ndikojnë në përmirësimin e ekonomisë së vendit dhe është e drejtë të ndërtohen, por aty ku lejohet nga ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me fjalë të tjera, pothuajse kudo në 84% të territorit të Shqipërisë dhe kurrsesi në pjesën e mbetur prej 16%, e cila është pjesë e rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura dhe rrjeteve ndërkombëtare ekologjike. Ligjërimi dhe lejimi i planeve apo projekteve të kësaj natyre, të cilat konsistojnë në tjetërsimin e sipërfaqeve të konsiderueshme natyrore brenda zonave Emerald dhe si rrjedhim kërcënimin e habitateve dhe llojeve, përbën shkelje të hapur të rregullave dhe standardeve të BE-së për ruajtjen dhe menaxhimin e këtyre zonave.

Një pjesë e mirë e vendeve të Bashkimit Europian kanë qenë pre e masave ndëshkuese si pasojë e shkeljes së këtyre direktivave. Një ndër rastet më të afërt me vendin tonë, si në aspektin gjeografik ashtu edhe në atë të problematikës, është rasti i Bullgarisë. Në tetor 2009, Komisioni Europian i dërgoi katër paralajmërime Bullgarisë për shkelje të direktivave europiane të shpendëve dhe habitateve, në kuadër të projekteve të ngjashme. Një ndër këto projekte konsistonte në ndërtimin e një qendre për ski në zonën e mbrojtur të maleve Pirin.

Ky projekt ishte miratuar pjesërisht nga qeveria bullgare përpara vlerësimit rigoroz të ndikimit në llojet dhe habitatet me interes të lartë ruajtje për Bashkimin Europian. Në kuadër të procesit të integrimit, Shqipëria ka për detyrë të bëjë progres në njehsimin e legjislacionit dhe standardeve me ato të Bashkimit Europian dhe të garantojë zbatimin e tyre. Jetësimi i projekteve të tilla përfaqëson raste të mirëfillta regresi dhe shkakton kosto në procesin e integrimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura