Pasojat fatale të “centralizmit demokratik”

SHPËRNDAJE

ARTAN FUGA artanfugaa (1)

Studiues të njohur të mod eleve sociale dhe politike kanë analizuar edhe sistemin e centralizuar, që ishte karakteristikë e shoqërive që vetëquheshin socialiste. Ishte fjala për atë që kishte marrë emrin “centralizëm demokratik”, sepse pretendonte që realizonte dhe një sistem të centralizuar, por edhe demokratik!!! Autorë si Karl Popper, si Hayek, etj., kanë shpjeguar se këto shoqëri të centralizuara jo vetëm nuk mund të jenë afatgjatë demokratike, por janë edhe të dështuara dhe rrëzohen, shkojnë e vidhisen rrugëve të historisë, pikërisht në sajë të centralizmit të tyre.

Këta autorë të mëdhenj kanë argumentuar që sado i zoti, i mençur, apo humanist të jetë personi në majë të këtij sistemi të centralizuar, gradualisht ai bëhet viktima e sistemit që ka ngritur vetë dhe medoemos shkon drejt katastrofës së tij dhe të shoqërisë.

Është si një makinë pa frena që merr të tatëpjetën. Drejtuesi i saj, sado i zoti të jetë, sa më shumë makina shkon teposhtë, aq më pak e kontrollon atë, përkundrazi bëhet skllav i saj. Këto janë zbulime të përbotshme shkencore që nuk ka ngelur që dikush nga Shqipëria e vockël t’i kundërshtojë, t’i hedhë poshtë, apo t’i vendosi në dyshim

Aktualisht, sistemi politik i Shqipërisë i ngjan një “centralizmi demokratik” alla socialist sado që demokracia është sinonim i decentralizimit. Të gjitha pushtetet janë mbledhur në pak duar, deputetët votohen në listë, veprojnë në grup dhe drejtohen nga qeveria dhe partia, institucionet janë të centralizuara politikisht.

Një shoqëri piramidale, sikurse e kam shpjeguar te libri im i fundit SHOQERIA PIRAMIDALE.

Cilat janë argumentet që përdorin të interesuarit për ta mbrojtur dhe justifikuar centralizmin “demokratik”?

Pak a shumë janë tre të tillë.

I pari na thotë që “centralizmi demokratik” është i mirë meqë ai na mbron nga populizmi dhe se në një shoqëri demokratike nëse vendimmarrja decentralizohet, mund të krijohet kaos dhe me një fjalë nuk e merr vesh i pari të dytin.

Po ta shohim këtë argument krejt fals dhe ta ballafaqojmë me faktet do të shohim se sikurse argumenton Hayek, Popper, etj., do të na dalë krejt e kundërta. Centralizmi “demokratik” si piramidë vendimmarrëse krijon kaos, amulli, anarki. Duket si paradoks, por ja që askush nuk e vendos në dyshim që centralizmi, piramidalizimi i vendimmarrjes dhe anarkia sociale shkojnë së bashku. Janë shokë të ngushtë, janë miq.

Shihni vitin që kaloi. Sa kohë, mund, sa dëme, sa shumë e dëmtuam imazhin e vendit, me protesta të dhunshme, me gaz lotsjellës, me ulërima, përplasje në rrugë. Një kaos social i paparë, pikërisht për shkak të një centralizimi të tejskajshëm në vendimmarrje që pati si pasojë largimin e opozitës nga Parlamenti dhe të gjitha pasoja e tjera të ardhura prej këndej.

Sistemi i centralizuar prodhon anarki dhe rrëmujë, kaos dhe padituri, sepse njëshi në krye të gjithë sistemit nuk mund të dijë më shumë sesa njohuritë e tij të kufizuara.

Të tjerët poshtë tij, deputetë, nëpunës, ministra, këshilltarë, nuk bëjnë tjetër, veçse përsërisin me fjalë atë që shohin si dëshira në sytë e tij. Askush nuk guxon të kundërshtojë numrin një të sistemit piramidal. Të gjithë mendojnë me kokën e shefit, kurse koka e shefit pretendon më kot që të mundet t’i japë zgjidhje të gjitha problemeve të panumërta që i ka centralizuar në duart e tij.

Argumenti i dytë në mbrojtje të “centralizmit demokratik” është se gjoja ai me anë të listave të mbyllura, na pengoka që individë të pasur të blejnë votat e elektoratit dhe ta manipulojnë atë. Në këtë mënyrë, pretendohet që lista e mbyllura të kandidatëve që caktohen nga kryetarët e partive, na mbrojnë nga demagogët, nga ata që trafikojnë pasuri dhe mjete financiare.

Edhe ky argument është një budallallëk me brirë nëse i drejtohemi përvojës së këtyre viteve.

Deputetët e caktuar nga kryetari mund të mos jenë të gjithë trafikantë, por dihet që nuk janë deputetë si individë. Ata nuk kanë treguar asnjë pavarësi nga dëshirat e kryetarit dhe nuk kanë asnjë iniciativë. Duke na mbrojtur nga deputetët e këqij, në fakt, na kanë lënë pa deputetë të vërtetë.

Këta individë, që vetëm deputetë nuk janë, janë, në fakt, deputetë të këqij, jo si individë, por si pjesëtarë të një sistemi të centralizuar.

Deputetë, jo trafikantë!!! Sa na kanë dalë të lidhur me vepra kriminale nga deputetët dhe nga kryetarët e bashkive sot!!!

Ndërkaq, edhe opozita e pa shumë mirë se çfarë kandidatësh për deputet kishte caktuar nga ata që sot i bëjnë fresk qeverisjes.

Argumenti i tretë pro qeverisjes së centralizuar është se gjoja duke e mbajtur vendimmarrjen në pak duar, Shqipëria nuk ka rrezik të shpërqendrohet, por ruan orientimin properëndimor për integrimin europian. Një ose disa vetë kontrollohen më mirë nga aleatët perëndimorë sesa qindra e mijëra persona që marrin pjesë në vendimmarrje!!!

Edhe kjo na doli një gënjeshtër me brirë!!! Faktet vërtetojnë që një njeri i vetëm në vendimmarrje e pëson më lehtë presionin nga forca joeuropiane dhe joperëndimore. Në vend të shohim drejt Brukselit, Strasburgut apo Berlinit, shohim pastaj drejt Shkupit dhe Beogradit duke u mbyllur brenda një Ballkani – viktimë e nacionalizmave të mëdha e të pashoqe.

Po ashtu, centralizmi “demokratik” shpartallon nëpunësinë, administratën, që del jashtë kontrollit, sistemin e drejtësisë, të mediave dhe kështu nuk arrin të plotësojë standardet e integrimit europian.

Shoqëria piramidale nuk e kryen dot integrimin europian. Ajo hidhet sa nga Gadishulli i Ballkanit, drejt ngushticës të Bosforit, i afrohet dhe i largohet sipas konjukturave Portës të Branderburgut, fyen deri presidentin e aleatit tonë kryesor gjeostrategjik, sulmon shtete dinjitoze si Holanda etj., si edhe kërkon të aventurojë duke u futur pa ia kërkuar njeri në mes të konflikteve të mëdha botërore, ta zëmë si ai midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Kushdo që përpiqet ende nga Shqipëria e vockël të kundërshtojë tezën e madhe të shkencës botërore, sipas së cilës centralizmi prodhon të gjitha këto disfunksione, gabon.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.