Pasojat e tërmetit tragjik, nga çmimet deri te normat e interesit

Feb 17, 2020 | 7:56
SHPËRNDAJE

Tërmeti i 26 nëntorit do të ketë ndikime në dy linja kryesore: zhvillimet ekonomike në vend dhe në tregjet financiare.

TERMETI-720x415

Banka e Shqipërisë analizon se, në rrafshin ekonomik, tërmeti do të ndikojë në frenimin e rritjes ekonomike, si pasojë e tkurrjes së investimeve, kursimeve dhe shërbimeve në zonat e prekura; ndërsa në rrafshin financiar, pasojat e tërmetit do të ndikojnë në kursin e këmbimit dhe në rritjen e normave të interesit.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë pohuan se efektet afatshkurtra të tërmetit pritet të jenë negative për rritjen ekonomike dhe inflacionin. Me shtrirjen e horizontit kohor, efektet pozitive të rindërtimit pritet të jenë më dominuese dhe të mbështetin rritjen e ekonomisë dhe të inflacionit me ritme më të shpejta.

Në planin afatmesëm, efektet e tërmetit në ekonomi do të varen, ndër të tjera, dhe nga vëllimi e forma e financimit të procesit të rindërtimit, si dhe nga kohëzgjatja e shpërndarja e tij në kohë. Bazuar në informacionin e disponuar deri tani, vlerësojmë se shkalla në të cilën këto ndikime potenciale do të materializohen, pritet të jetë e vogël.

Durrësi me pasojat më të mëdha

Qarku më i goditur nga tërmeti ishte ai i Durrësit. Sipas INSTAT-it, ky qark gjeneron rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, strehon rreth 10.1% të popullsisë së vendit dhe punëson rreth 9.1% të të punësuarve në ekonomi. Statistikat për qarkun e Durrësit tregojnë se në të zhvillojnë aktivitetin rreth 7.9% e ndërmarrjeve aktive në të gjithë Shqipërinë. Gjatë vitit 2018, qarkun e Durrësit e vizituan rreth 9.1% e rezidentëve, të cilët udhëtuan për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri. Këto statistika ilustrojnë rëndësinë ekonomike të qarkut dhe sugjerojnë se pasojat ekonomike të tërmetit do të ndihen në shkallë vendi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kanalet potenciale të transmetimit të pasojave të tërmetit në aktivitetin ekonomik mund të jenë:

Së pari, rritja e pasigurisë te familjet dhe bizneset shqiptare. Tërmeti ka të ngjarë të përkeqësojë perceptimin e familjeve dhe bizneseve shqiptare, të cilat mund të hezitojnë në kryerjen e shpenzimeve dhe të investimeve. Tregues të pasigurisë, të llogaritur nga vrojtimet e besimit të agjentëve ekonomikë, tregojnë për rritjen e pasigurisë gjatë muajve të fundit;

Së dyti, reduktimi i aktivitetit turistik. Turizmi në këto qarqe mund të reduktohet për shkak të dëmtimit të strukturave përkatëse dhe të efekteve psikologjike te pushuesit, vendas dhe të huaj. Dëmet e bizneseve të sektorëve të tjerë përveç turizmit mbeten një kanal tjetër transmetimi;

Së treti, rritja e investimeve për rikuperimin e stokut të humbur të kapitalit. Nëpërmjet këtij kanali, ekonomia merr nxitje nga nivelet e larta të shpenzimeve, private dhe publike, të lidhura me rindërtimin e kapaciteteve të dëmtuara.

Ekonomia frenohet me 0.3-0.6%

Banka e Shqipërisë parashikon se, pasojat e tërmetit mund të ulin rritjen ekonomike me 0.3 – 0.6 pikë përqindjeje gjatë vitit 2020. Ky efekt kombinon reduktimin e të ardhurave nga turizmi dhe ngadalësimin e shpenzimeve të konsumatorëve në kushtet e rritjes së pasigurisë. Efekti nga reduktimi i shpenzimeve për konsum pritet të jetë relativisht më i vogël në krahasim me reduktimin e turizmit. Goditja në besim dhe pasiguria pritet të zvogëlohen me kalimin e kohës dhe konsumatorët priten t’i rikthehen modelit të tyre të konsumit. Treguesi i ndjesisë ekonomike në muajin janar ruajti nivelin e një muaji më parë.

Nga ana tjetër, efekti negativ i tërmetit pritet të balancohet deri diku nga stimuli pozitiv që do të injektohet në ekonomi nga aktiviteti për rindërtimin e objekteve të dëmtuara. Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për mbledhjen e fondeve dhe për hartimin e planeve logjistike të veprimit, ky efekt nuk pritet të mbulojë njëtrajtësisht vitin kalendarik. Për këtë arsye, ndikimi pozitiv nga rindërtimi, ndonëse amortizon efektet negative nga tërmeti, nuk arrin ta kundërbalancojë plotësisht atë.

Ndikimi në inflacion 0.2-0.3%

Banka e Shqipërisë sugjeron se, goditja e tërmetit mund të ulë inflacionin me 0.2 – 0.3 pikë përqindjeje gjatë vitit 2020. Rritja e kërkesës agregate me ritme të ulëta edhe gjatë vitit aktual do të shoqërohej me presione të dobëta për rritje të pagave, të kostove të tjera të prodhimit dhe të çmimeve të konsumit në ekonomi. Në analizën e efekteve të tërmetit në inflacion është i rëndësishëm vlerësimi i ndikimit të tij në kapacitetet prodhuese të ekonomisë dhe, rrjedhimisht, në madhësinë e hendekut të prodhimit.

Ndikim në normat e interesit

Banka e Shqipërisë lajmëron se normat e interesit mund të rriten si rrjedhojë e pasigurive të agjentëve ekonomikë dhe/ose rritjes së huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm me qëllim financimin e masave për adresimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Deri tani nuk evidentohet luhatje apo pasiguri e shtuar në segmentet e tregut financiar. Shtesa në deficitin e qeverisë për vitin 2020, e planifikuar pas ndodhjes së tërmetit, është rreth 10 miliardë lekë, ku rreth 7 miliardë lekë parashikohet të financohen nëpërmjet rritjes së huamarrjes në tregun e brendshëm. Banka vlerëson se, kjo shumë mbetet brenda normave historike të financimit dhe vlerësohet e përballueshme nga tregu i parasë, pa shkaktuar goditje në ecurinë e yield-eve.

Luhatshmëri në tregun valutor

Në dy muajt që kanë pasuar tërmetin, kursi i këmbimit është luhatur përafërsisht në linjë me sjelljen sezonale të tij në fundvit. Tregtimi i monedhave të huaja është realizuar brenda parametrave normalë të rrezikut dhe në treguesit e luhatshmërisë nuk janë diktuar shenja stresi.

Por Banka vlerëson se, ndikimet e mundshme në ecurinë e kursit të këmbimit në vitin në vazhdim janë të dykahshme dhe rreziqet shfaqen të balancuara. Nga njëra anë, me efekt nënçmues në vlerën e lekut qëndron skenari i reduktimeve të mundshme të të ardhurave nga turizmi. Duke qenë se bregdeti i Durrësit është një nga zonat më të prekura nga tërmeti, gjatë këtij viti mund të kemi një aktivitet më të dobët të turizmit, si prej reduktimit të kapaciteteve pritëse dhe nevojën për rindërtime, ashtu edhe prej shkurajimit të turistëve të huaj prej kësaj ngjarjeje. Nga ana tjetër, një rritje e flukseve hyrëse është gjithashtu e mundshme, në formën e remitancave – si ndihmë për familjarët e prekur nga tërmeti-, apo të ndihmës dhe donacioneve të tjera të huaja. Efekti mbi kursin e këmbimit do të jetë një rezultante e veprimit të këtyre dy faktorëve.

Ndikimet në kredi

Kreditimi i ekonomisë ka qenë në përmirësim të vazhdueshëm vitin e fundit, duke reflektuar së fundi rritjen e kredisë për biznese, krahas ecurisë së qëndrueshme të kredisë për individë. Ndikimi potencial në vijimësinë e rritjes së kredisë shihet në dy plane. Nga njëra anë, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në sektorë të prekur nga tërmeti dhe rritja e pasigurive të individëve, bizneseve apo dhe vetë bankave, mund të induktojnë një frenim të rritjes së kredisë. Banka gjykon se edhe nëse diçka e tillë materializohet, do të ishte e përkohshme, sikurse edhe pasojat e tërmetit në ekonominë reale. Nga ana tjetër, nevoja për rikonstruksion dhe për zëvendësimin e kapitalit fizik mund të shoqërohet me rritjen e kërkesës për kredi. Balanca mes këtyre dy skenarëve do të varet edhe nga peshimi i rreziqeve nga ana e bankave dhe përqasja e tyre ndaj kreditimit. Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura