“Pasojat e refuzimit tim mund të kenë efekte kërcënuese për…”/ Zbardhet formulari, si vihen nën presion mësuesit për t’u vaksinuar

Mar 17, 2021 | 16:00
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Përpara shpimit për injektimin e vaksinës kundër COVID-19, punonjësit shëndetësorë, personalitetet, të moshuarit dhe së fundmi, mësuesit duhet të lexojnë paraprakisht pesë faqe formular.

vaksnimi i mesuesve

Risi është shtojca e dytë (në foton bashkëngjitur shkrimit) shtuar së fundmi me shtrirjen e procesit te arsimtarët dhe flet vetëm mbi refuzimin e vaksinës ndaj COVID-19.

Përmes saj, mësuesit vihen nën presion për t’iu nënshtruar asaj, në të kundërt mbajnë përgjegjësi për pasojat që mund të kenë në shëndet vetë ata apo njerëzit përreth, në rast infektimi.

Ky është alarmi që ngriti të hënën Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë, e cila kërkoi që ky proces të mos bëhet me detyrim si dhe t’u krijohej mundësia mësuesve të pasigurt që të mund vaksinohen në një moment të dytë.

DOKUMENTI

Përkundrejt gjithë skepticizmit të ngritur në shumë vende të botës që e kanë pezulluar “AstraZeneca”-n, një mësues do të duhet ta argumentojë mirë arsyen e refuzimit të vaksinimit. Formularit të dhënies së miratimit për vaksinim i është shtuar një faqe e re. Ndonëse që në faqen e parë pyetet personi i thirrur nëse është dakord apo refuzon administrimin e vaksinës, në një faqe të posaçme vihet nën përgjegjësinë e mosveprimit të tij duke i kujtuar ndër të tjera pasojat kërcënuese për të dhe të tjerët përreth.

“Pasojat e refuzimit tim për t’u vaksinuar ndaj COVID-19 mund të kenë efekte kërcënuese për shëndetin dhe jetën, për mua dhe personat me të cilët unë kam kontakt, përfshirë këtu: të gjithë personat në institucionin shëndetësor ku unë shërbej, bashkëpunëtorët e mi, familjarët e mi, komunitetin ku unë jetoj”, citohet në pikën e fundit të shtesës në formular ku flitet për efektin e mosvaksinimit, por në asnjë rresht të tij për pasojat e mundshme në rast se i bindet thirrjes për imunizim.

E sikur kjo të mos mjaftonte, në katër rreshta të bardhë duhet të argumentohet refuzimi me shkrim dore. I vetmi lëshim që bëhet është që mësuesi mund të ndryshojë mendje, por mund të vaksinohet vetëm në rast se kanë mbetur ende doza të pashfrytëzuara.

“E kuptoj që mund të ndërroj mendim në çdo kohë dhe të pranoj vaksinimi, nëse do të ketë ende gjendje të vaksinës ndaj COVID-19”, thuhet në fund të formularit të gjatë.

Kjo i paraprin retorikave mbi situatën pandemike sot në botë, vaksinimin si e vetmja mënyrë mbrojtjeje, si dhe efektet e padëshiruara nëse biem në kontakt me virusin. Kjo është vetmja masë që ka marrë qeveria, pas sinjaleve se ka diçka që nuk shkon me këtë vaksinë.

Deri tani, shtetet kryesore të Europës e kanë pezulluar përdorimin e saj, ndërsa vendi ynë ka vijuar procesin e vaksinimit, pa më të voglin hezitim. Ajo që dimë është se Ministria e Arsimit ka veçuar 30 mijë arsimtarë për t’u vaksinuar, duke pasur prioritet grupet e rriskuara dhe kriterin moshor. Edhe pse s’ka shifra të sakta të raportuara mbi numrin e personelit shëndetësor që kanë marrë dozën e parë të “AstraZeneca”-s nga 13 marsi, vaksinimi ka vijuar masivisht, pa asnjë kriter, pas përballjes me refuzimin e mësuesve në disa bashki.

formulari 2 formulari1

formulari3

formulari4

formulari5

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura