Pasojat e pandemisë/ Sejko: Drejt rimëkëmbjes! Vitin e kaluar ekonomia u tkurr me 3.3% dhe papunësia u rrit në…

Apr 21, 2021 | 8:26
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ndërsa e cilësoi një vit të vështirë dhe sfidues vitin që lamë pas, tha se parashikimet janë për një rimëkëmbje të ekonomisë përgjatë këtij viti, me reduktimin gradual të ndikimit negativ të pandemisë.

gent sejko

Gjatë prezantimit të raportit për 2020-ën, në Komisionin e Ekonomisë Sejko renditi masat e ndërmarra të cilat kanë prodhuar një efekt pozitiv. “Nëpërmjet tyre, ne mundësuam: reduktimin e kostos financiare të krizës te familjet dhe bizneset; shmangien e përcjelljes së saj te sektori financiar dhe ruajtjen e një ambienti të qetë monetar dhe financiar, duke krijuar kështu premisat për një rimëkëmbje sa më të shpejtë me normalizimin e situatës. Për rrjedhojë, ndikimi i krizës në ekonomi rezultoi më i vogël nga sa pritej, duke dëshmuar si efektin pozitiv të masave të marra nga autoritetet publike, ashtu dhe fleksibilitetin dhe rezistencën e ekonomisë dhe të sistemit tonë financiar”, tha Sejko.

Duke u ndalur më konkretisht në masat e marra nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të situatës së krijuar, guvernatori përmendi: uljen e normës bazë të interesit në minimumin historik prej 0.5%; shtimin e injektimeve të likuiditetit; lehtësimin rregullator të përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimin e pagesave të dividendit në sektorin bankar; heqjen e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave; si dhe angazhimin në një komunikim frekuent dhe transparent me publikun, mbi masat e marra, efektin e tyre dhe pritjet për të ardhmen. “Për rrjedhojë, ndikimi i krizës në ekonomi rezultoi më i vogël nga sa pritej, duke dëshmuar si efektin pozitiv të masave të marra nga autoritetet publike, ashtu dhe fleksibilitetin dhe rezistencën e ekonomisë dhe të sistemit tonë financiar”.

PASOJAT

Duke u ndalur në ecurinë ekonomike të vendit për vitin 2020, guvernatori Sejko u shpreh se vëllimi i aktivitetit ekonomik u tkurr me 3.3%. Rënia ekonomike pasqyroi kontraktimin e njëkohshëm të thuajse të gjithë përbërësve të kërkesës agregate dhe të të gjithë sektorëve të ekonomisë, por kriza goditi në mënyrë më të veçantë konsumin privat dhe flukset tregtare, ku rënie shënoi si eksporti i mallrave, ashtu edhe ai i shërbimeve. Nga ana tjetër, konsumi dhe investimet publike erdhën në rritje, duke kompensuar pjesërisht rënien e kërkesës private.

SEKTORI BANKAR

Më tej, lidhur me sektorin bankar në vend, guvernatori theksoi se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit e të shëndetit financiar. Ai nënvizoi se ky sektor ka ndihmuar në zbutjen e pasojave të goditjes së pandemisë, duke marrë përsipër një pjesë të barrës financiare të saj, si dhe duke ruajtur në të njëjtën kohë të gjithë treguesit në parametra të shëndetshëm. Normat e ulëta të interesit dhe likuiditeti i bollshëm u shoqëruan me një rritje mesatare prej 6.7% të portofolit të kredisë gjatë vitit 2020, duke mbështetur vijimin e investimeve dhe nevojat në rritje të ekonomisë për kapital qarkullues. Aktivet e sektorit bankar u rritën me rreth 7%, si dhe raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në fund të muajit dhjetor, një nivel ky pranë minimumeve historike të dekadës së fundit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura