Pasojat e pandemisë në muzikë/ Altin Goci: Unë mund të këndoja dhe në 6 të mëngjesit. Punojmë në të zezë, prandaj…

Oct 15, 2020 | 19:54
SHPËRNDAJE

“Pandemia është vetëm një shkak më shumë që duhet të nxisë komunitetin tonë për të kërkuar që të derdhen kontributet në mënyrë të ndershme. Dhe mandej, në situata të jashtëzakonshme si kjo, të kemi të drejtën për të folur për një lloj rimbursimi. Sepse kështu funksionon gjithmonë, duhet dhënë, për të marrë diçka mbrapsht”.

altin goci

Kantautori Altin Goci për “Panoramën” tregon se pasojat e pandemisë së Covid-19 që ndihen në të gjithë ekonominë e vendit, nuk mund të përjashtojnë një sektor si muzika, që ka lidhje drejtpërdrejt me njerëzit.

“Të bërit muzikë ‘live’ është njëlloj bashkëveprimi. Ne nuk bëjmë dot pa njerëzit, dhe nga ana tjetër, njerëzit nuk bëjnë dot pa muzikë”, thotë ai. Sa i përket urdhëresës së 20 korrikut që mbyll klubet e natës, diskot, “lounge bar”-et, shërbimet e tjera të kësaj natyre, si dhe ndalimit të muzikës pas orës 20:00, Goci nuk diskuton zbatueshmërinë, por atë çka mund të përmirësohet sa u përket kushteve të komunitetit artistik, si dhe mirëfunksionimit të detyrimeve tatimore.

Ai, si dhe kolegë të tjerë, do ta mirëprisnin mundësinë për të kënduar edhe në një tjetër orar, apo të tjera alternativa punësimi. “Unë mund të këndoja dhe në 6 të mëngjesit, mirëpo nëse ligji thotë se nuk lejohet muzika pas orës 20:00, mendoj se kjo është një çështje që nuk diskutohet.

Kufizime të tilla, e kemi parë se nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Por ajo që më bën përshtypje është lirimi i masave në subjekte të tjera. Për shembull, restorantet janë hapur, pavarësisht se në një tavolinë janë katër veta”, thotë më tej ai.

PENALIZIMI PREJ “PUNËS NË TË ZEZË”

Kantautori Altin Goci flet “pa doreza” sa u përket rrethanave në të cilat punojnë grupet e të bërit muzikë “live”. Sikundër edhe shumica e kolegëve të tjerë, as ai gjatë periudhës së pandemisë nuk ka marrë asnjë lloj mbështetje financiare.

“Gjithçka lidhet me faktin nëse i paguan apo jo sigurimet. Për hir të së vërtetës, treçereku i muzikantëve punojnë në të zezë. Mbi të gjitha, lokalet paguajnë në të zezë, dhe në kushte të tilla, është vështirë të marrësh mbështetje.

Unë jam pjesë e komunitetit të artistëve dhe kjo ‘më djeg’ mua njësoj si të tjerët, por në situatë të tillë vështirë të flasësh edhe për kërkesa rimbursimi”.

Sa i përket lëvizjes që po ndihet te muzikantët e “live”-it, por edhe artistë të tjerë të pavarur për të pasur një mirëfunksionim ligjor, që jo vetëm mundëson regjistrimin e tyre dhe derdhjen e kontributit ligjor, por njeh më tej edhe të drejtat përkatëse, Goci thotë: “Është një hap i vonuar, duhet të ishim mbledhur të gjithë, përfshirë mua, shumë kohë më përpara, por më mirë vonë se sa kurrë”, thotë muzikanti.

“PO HAMË NGA DHJAMI YNË, PUNA JONË FUNKSIONON NË ZINXHIR”

Një tjetër pikë me rëndësi që do të duhej të kishte përmirësuar kushtet financiare por edhe statusin e muzikantëve, është sipas Gocit, çështja e të drejtave të autorëve.

“Nëse do të njiheshin të drejtat e autorit, dhe ligjet të funksionon si në të gjithë botën, edhe vështirësitë gjatë kësaj kohe nuk do të kishin qenë kaq të mëdha. Pra, ne duhet të ishim mbledhur që më herët për të drejtat e autorit.

Çelësi i zgjidhjes është që komuniteti i artistëve të bëjë më shumë për njëri-tjetrin”, thotë Goci duke i mëshuar bashkëpunimit mes artistëve dhe mundësimit të mirëfunksionimit të Sindikatës së Artistëve të Pavarur. Sa i përket kohëzgjatjes së pandemisë, të parashikuar për një periudhë më shumë se një vit e gjysmë, Goci thotë se pasojat e kësaj situate prekin jo vetëm këngëtarët, por edhe instrumentistët, organizatorët, stafin që merret me foninë, ndriçimin etj.

“Puna jonë funksionon në zinxhir dhe çdokush përbën një hallkë të rëndësishme. Ne nuk e bëjmë dot muzikën pa ata, dhe ata nuk kanë ç’bëjnë të vetëm”. Kjo është sipas tij një arsye më shumë që zgjidhjet të jenë afatgjata. “Nga ana financiare ne të gjithë ‘po hamë nga dhjami ynë’, por puna jonë është e tillë që kemi nevojë për njëri-tjetrin. Në një aspekt më personal, gjatë kësaj periudhe unë kam pasur më shumë kohë të kompozoj dhe t’u dedikohem projekteve të mia”, tregon këngëtari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura