Pasojat e një investimi të munguar

Aug 26, 2015 | 12:59
SHPËRNDAJE

Sotiraq-HroniSOTIRAQ HRONI

Në shumë analiza dhe opinione të ndryshme, çështja e emigracionit ilegal shikohet jo thjesht si çështje ekonomike, por edhe si çështje besimi te zhvillimet në vend, në shoqëri, në klasën politike, në qeverisje etj. E lidhur kjo edhe me pafuqinë evidente për ndryshime të njerëzve si individë, familje, fqinjësi, grupim social, fshat apo edhe si shoqëri në tërësi.

Në asnjë dokument zyrtar deri më sot nuk është lidhur zhvillimi i qëndrueshëm dhe konsolidimi i shoqërisë shqiptare me investimet në drejtim të forcimit të kapitalit social në vend, me domosdoshmërinë për vetaktivizëm dhe vetorganizim të komuniteteve vendore. Stereotipi politik dhe qeverisës deri më sot e sheh qytetarin apo komunitetin vetëm si një objekt me të cilin mund të manipulohet.  

Por le të themi se ka ende shpresë; dokumenti zyrtar i poshtëcituar dhe analizuar është një përpjekje që, nëse do të zbatohej, mund të ishte një hap në drejtimin e duhur.
Strategjia Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2015-2020, miratuar së fundmi nga qeveria, përbën një risi të padiskutueshme dhe një qasje konceptuale demokratike për sa i përket çështjes së strukturave dhe organizimeve komunitare. Është kjo një problematikë nga më të rëndësishmet për realitetin shqiptar, për shkak se lidhet pazgjidhshmërisht dhe qëndron në themel të gjithçkaje që ka të bëjë me zhvillimin e vendit dhe cilësinë e jetës, kohezionin social, mirëqeverisjen etj.

Tashmë, pas njëzet e kusur vjetësh të një shoqërie të hapur, tranzicioni realisht do të vlerësohej si i kapërcyer dhe shoqëria do të merrte tërësisht vlera demokratike vetëm përmes ndjeshmërisë social-politike që buron nga roli në shoqëri i komuniteteve qytetare të fuqizuara. Vetëm përmes strukturave të vetorganizuara komunitare njerëzit marrin, ndajnë dhe kërkojnë përgjegjësi për menaxhimin e jetës dhe cilësisë së saj, synojnë të arrijnë përgjegjshmëri dhe mirëqeverisje nga të tjerët.

E kundërta do të thotë një shoqëri e dëshpëruar, ku njerëzit presin gojëhapur kafshatën e radhës, qoftë në formën e premtimeve elektorale, qoftë si alibi që ndeshet shpesh në narracione të tilla, si pjesëmarrje qytetare, bashkëpunim me komunitetin, në shërbim të komunitetit etj., etj.
Çështja këtu është se çfarë përbën një “komunitet”, apo çfarë nënkuptohet kur thuhet komunitet. A kemi ne realitete të tilla ku rrjeteve/grupimeve apo afërsive të individëve të mund t’u referohesh në atë kuptim që ka fjala “komunitet” në “Wikipedia” si “një njësi sociale e çdo përmase që ndan vlera të përbashkëta”.

Pikërisht, Strategjia Ndërsektoriale për Decentralizim dhe Qeverisjen Vendore, si dokument zyrtar politikash, është një përpjekje e parë për të përafruar mobilizimet komunitare si një njësi komunitare e vetorganizuar, e ndërgjegjshme për pikësynimet e përbashkëta dhe në vullnetin e lirë të anëtarëve të saj. “Strategjia” shprehet se “…do të vendosin qytetarin dhe komunitetin si pjesë të zgjidhjes së çështjeve, nevojave dhe interesave të tij të përditshme. Strukturat komunitare do të ngrihen me iniciativën dhe pëlqimin e qytetarëve në të gjithë territorin e bashkisë…”.

Formulimi, sa më sipër, kërkon rolin aktiv të qytetarit dhe komunitetit, thënë ndryshe, bën fjalë për një demokraci nga poshtë lart, me iniciativën e vetë qytetarëve, ku pushteti (këshilli bashkiak) miraton gjithë instrumentet e nevojshëm rregullatorë të strukturave komunitare për të gjithë territorin e Bashkisë.

Në dokumentin e miratuar nga qeveria lihet të kuptohet edhe për mbështetje apo për investim të strukturave qeverisëse në drejtim të rritjes së raporteve të bashkëpunimit midis njerëzve (kapitalit social) në nivel vendor, që do të thotë, rrjetëzimi i njerëzve në nivel komunitar përreth qëllimeve, objektivave dhe vlerave të përbashkëta. Shprehimisht, “strategjia synon një uniformitet modeli të strukturave komunitare që do të lehtësonte rritjen e raporteve të bashkëpunimit ndërpersonal në nivel komunitar dhe, rrjedhimisht, do të ndikonte në përmirësimin e cilësisë së jetës në çdo komunitet vendor”.

Gjithçka parashtruam përbën një risi të rëndësishme që çon drejt modeleve vetëqeverisëse komunitare. Ajo e kthen qytetarin në subjekt me një rol gjithmonë e më të madh në mirëqeverisje.
Nismat e deritanishme të ndërhyrjeve emergjente të kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës, për sa iu përket pastërtisë dhe hapësirave urbane për të qenë të qëndrueshme, duhet të shoqërohen, krahas të tjerash, me partneritetin me qytetarët. Këtu nuk bëhet fjalë për një partneritet abstrakt që iu drejtohet të gjithë qytetarëve në përgjithësi.

Suksesi mund të sigurohet përmes organizimeve komunitare me iniciativë të qytetarëve ku për një territor urban të caktuar ndihet përkatësi (belongingness) nga komuniteti vendor i banorëve. Kur ky komunitet është i organizuar, ai ka struktura drejtuese të potencuara nga vetë komuniteti, të cilat zhvillojnë, nxisin dhe mobilizojnë vëmendjen, forcën dhe kontributin e çdo qytetari të kësaj zone urbane (neighborhood).

Dhe në qoftë se arrihet kjo, besoj se gradualisht po fuqizohen qytetarët që ta ndiejnë hapësirën urbane, mjedisin, sigurinë publike, arsimin, argëtimin e çdo gjë që e bën jetën më të mirë, si përgjegjësi që kërkon edhe angazhim e tyre si komunitet vendor apo si individ brenda një komuniteti. Kjo e bën edhe qeverisjen më të përgjigjshme e më të përgjegjshme.

Dhe dëshirën e shqiptarëve për të ndërtuar jetën këtu, më të pranishme.
Pak a shumë, kështu e lexoj unë Strategjinë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore në kapitullin për qeverisjen komunitare. Por a është e lehtë kjo??
Ndoshta është gjëja më e vështirë, por jo e pamundur për t’u realizuar. Por më e rëndësishmja është se nuk ka rrugë tjetër për të siguruar mirëqeverisje, për të sjellë shpresën në shoqëri.

Barak Obama te “Dreams from my father” nevojën e organizimit të komunitetit e shikonte si nevojë për ndryshim; ndryshim në strukturat më të larta drejtuese të vendit (Shtëpi e Bardhë dhe Kongres), për të luftuar korrupsionin, ndryshim në moralin e vetabsorbuar të shoqërisë. “Ndryshimi nuk mund të vijë nga sipër”, shkruan Obama. “Ndryshimi mund të vijë nga komunitetet e fuqizuara”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura