Pasi vrau gruan, kërcënoi djemtë: Thoni që u vetëvra, ose ju vras edhe juve

May 12, 2017 | 19:11
SHPËRNDAJE

Vetëm pak çaste pasi, siç dyshohet, ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij, 74- vjeçari Beqir Xhilaj ka kërcënuar me vdekje dy djemtë e tyre, të lindur nga martesat e mëparshme, shkruan “Panorama”. 

Beqir Xhilaj dje në Gjykatë
Beqir Xhilaj dje në Gjykatë

Beqir Xhilaj u ka thënë dy djemve se do t’i vriste nëse tregonin ç’panë dhe i ka urdhëruar që të nxjerrin fjalë që 45-vjeçarja ishte vetëvrarë me çifte.

Ky është pretendimi i Prokurorisë për Krimet e Rënda në lidhje me krimin brenda familjes Xhilaj në fshatin Guci të Re të Shkodrës, mbrëmjen e 7 majit, ku mbeti e vrarë Lumturie Xhilaj. I moshuari Xhilaj u paraqit dje te Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë, ku këmbënguli se e shoqja kishte vrarë veten.

“Unë po pija kafe e raki me djalin që gruaja ka nga martesa e parë. Dëgjova krisma në dhomën tjetër dhe pashë që ajo kishte qëlluar veten”, ka pohuar ai në seancë. Avokati i tij, Stefan Topalli, pretendoi se ka kundërthënie në deklarimet e personave të pyetur mbi ngjarjen dhe kërkoi një masë shtrënguese me afat 20-ditor, gjatë të cilit duhet të sqarohen rrethanat e ngjarjes.

Përfaqësuesi i Prokurorisë kërkoi lënien në qeli të 74-vjeçarit. Sipas prokurorit, janë siguruar prova të mjaftueshme, që provojnë se ai është autor i vrasjes së bashkëshortes. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi masën “arrest në burg” për të moshuarin për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”.

NGJARJA SIPAS PROKURORISE

Sipas Prokurorisë, viktima Lumturie Xhilaj ka qenë e ulur në kolltuk në dhomën e ndenjes, në banesën e saj në Guci të Re, të rrethit Shkodër, kur rreth orës 22:30 të datës 7.05.2017 është qëlluar me armë gjahu, teke, nga bashkëshorti i saj, Beqir Xhelilaj. Ngjarjen e ka parë i biri i Lumturies (nga martesa e parë), Brigeno Meçaj, i cili megjithëse nuk jetonte në një banesë me ta, kishte shkuar për darkë tek e ëma.

Në kohën që ndodhi ngjarja, ai ka qenë i shtrirë në një divan për të fjetur. Është ngritur dhe ka parë Beqirin tek shtinte me çifte ndaj Lumturies. Të shtënat e armës së gjahut i ka dëgjuar dhe Besim Xhilaj, i biri i Beqirit nga martesa e parë, i cili banonte nën një çati me të atin, por me hyrje dhe oborr më vete.

Sapo ka dëgjuar të shtënat, menjëherë ka vrapuar bashkë me të shoqen, Besën, dhe ka parë të atin me armë në dorë, që i ka thënë se Lumturia ka vrarë veten me çifte. Megjithëse Lumturia në ato momente është deklaruar nga Brigeno dhe Besimi se ka qenë ende në jetë, dhe pas pak vdiq.

Ai dhe Brigeno nuk patën asnjë mundësi t’i jepnin asaj ndihmë, pasi Beqiri i kanosi ata të dy se do t’i vriste dhe se për këtë që panë ai u tha se duhet të nxirrnin lajmin se Lumturua e kishte vrarë veten me çifte.

Sipas Brigenos, këtë natë ai e kishte mbushur çiften duke e ulur me tytë në tokë me njërin krah, duke e përthyer atë për t’i futur fishekët. Kur kishte bërë qitjen e parë ndaj Lumturies, ai e kishte të mbushur atë.

Pas qitjes së parë, ai e kishte mbushur edhe dy herë të tjera dhe kishte shtënë përsëri në drejtim të saj. Nga të shtënat viktima ka marrë plagë në qafë, majtas, poshtë veshit, si dhe një dëmtim në gjurin e majtë.

ARMAND BAJRAMI /PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura