Pashk Përvathi, piktor i peizazhit me përmasa universale

Nov 21, 2017 | 11:10
SHPËRNDAJE

PROF. DR. HIVZI MUHARREMI

Mbresë nga ekspozita vetjake “Shqipëria, vend i bukur” e piktorit Pashk Përvathi, hapur kohë më parë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë. Pashk Përvathi i takon brezit të mesëm të krijuesve të arteve pamore shqiptare. Me një përkushtim dhe devocion që nga mosha e hershme e deri më tani, ai i është përkushtuar realizimit të veprave artistike që vijnë nga vokacioni i frymëzimeve prej botës së virgjër të natyrës, nga plenerizmi. Lirisht mund të themi se është më i devotshmi i vazhdimësisë së piktorëve të parë shqiptarë që e fillojnë një kapitull të ri të izmave moderne në pikturën shqiptare.

Të tillë janë impresionizmi dhe postimpresionizmi me primesa intimiste (Kolë Idromeno, Abdurrahim Buza, Vangjush Mio, Zef Kolombi, Qamil Grezda, shumë e shumë të tjerë), të cilët artin tradicional të rilindjes e sollën në nivel të vlerave europiane. Këtu paraqiten reflekset e para të frymës së re e moderne, që do të implementohen në vazhdimësi drejt lartësimit të pikturës…

Pa dyshim, piktori Pashk Përvathi është artisti i cili me sens dhe emocion, tërë këtë spektër imazhesh të natyrës nga vendet e trojeve shqiptare do ta përcjellë në telajo me një gjuhë të pastër artistike e poetike, gjithnjë në reflekset e elementit të dritës natyrale, dritës së vërtetë, e cila buron nga brendësia shpirtërore dhe rrezaton në tërë gamën pikturale të hapësirës kompozicionale. Është njohës i shkëlqyer i elementit koloristik. Pra, përmes dy elementeve parësore, dritës dhe ngjyrës, spikasin kompozimet poetike të peizazheve.

Në këtë metodë krijuese të tij mbarështohen veprat vijuese të piktorit që mund të vërehen edhe në ambientet e ekspozuara nga ekspozita e fundit në Muzeun Historik Kombëtar. Për artdashësit e shumtë, kjo ekspozitë ishte një surprizë e vërtetë. Ata patën rast të kundrojnë një frymë të re të impresionizmit shqiptar, si nga ana kompozicionale, po ashtu edhe nga ajo përmbajtjesore, përmes motiveve nga vendet tona më atraktive. Këto motive vetëm syri dhe mendja e mprehtë e piktorit di t’i selektojë dhe formësojë në kompozimet e veta.

Ai din të zgjedhë çfarë të pikturojë. Një motiv në dukje i thjeshtë për një sy të pastërvitur, për Pashkun është një vepër e re. Ai është i qartë në stil dhe formë. Nuk joshet nga moda, por mbetet konsekuent i bindjeve të veta duke dëshmuar se është njohës i mirë i “ligjeve” të punës për një peizazhist. Veprat e tij meritojnë nota të larta të kualiteteve artistike në gjininë e peizazhit.

Përderisa piktorët impresionistë francezë pikturonin ujërat dhe qiellin në frymën e drejtpërdrejtë të dritës natyrale, Pashku në qasjet e tij hulumtuese të sekreteve natyraliste, futet në trajtim të gjithmbarshëm të strukturës së elementeve koloristike, por gjithnjë duke theksuar dritën dhe hapësirën.

Peizazhet nga Vithkuqi, periferia e Korçes, Valbona, Gështenjat e Recit, Bregu i Himarës e shumë e shumë të tjera, me stilin tij gjithnjë origjinal, stil i cili pa dyshim është rezultat i punës së vazhdueshme kreative që nga veprat e para e deri në këto të fundit të ekspozuara në ekspozitën vetjake, e bëjnë artistin Përvathi emër të spikatur në lëvrimin e peizazhit shqiptar në kohët e sotme moderne. Një karakteristikë e tërësisë së punimeve të autorit është prezantimi i imazheve pikturale nga katër stinët e vitit. Këto vepra spikasin një kolorit, një formë kompozimi krejt më ndryshe në aspektin e ngjyrës dhe trajtimit të dritës.

Element i përbashkët, si tregues i shtegtimit nga stili vetjak i piktorit, është hapësira kolosale dhe struktura e formave natyrale me bukuritë natyrore e harmonike, duke shpërfaqë ndjesi poetike e sugjestive me primesa postimpresive në lidhje me figuracionin. Figuracionin gjithnjë e më shumë do ta evidentojë në ciklin e portreteve “Cigania e ulur” 2009, “Vajza e vogël nga Xhamajka”, 2010, “Zadrimorja” 2010, e deri tek intelektualet, rilindësit dhe personalitetet më të shquara kombëtare, që i paraqet me një frymë sa poetike, po aq edhe ekspresive, sa reale, po aq edhe psikologjike, varësisht nga modelet apo personazhet e periudhave të ndryshme kohore e historike.

Peizazhet, natyrat e qeta dhe portretet shquhen për nga ngjyrat që variojnë nga ato transparente, subtile, impresive, foviste e deri në ato me primesa të spektrit ekspresiv me një gamë më të mbylltë koloristike, por gjithnjë në ngërthim të elementit të dritës, e cila depërton dhe përvijohet në planet koloristike të kompozimeve të piktorit Pashk Përathi, duke u dhënë gjallëri dhe “shpirt” figurave të trajtuara nga ato të peizazheve e deri në këto portrete të fundit…

Ekspozita e fundit e Pashk Përvathit “Shqipëria, vend i bukur”, vjen edhe si një homazh dashurie i artistit për vendin e tij. Është një thirrje për vetëndërgjegjësim për ta dashur këtë tokë, është një ftesë për secilin nga ne për të bërë më shumë për vendin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura