Pashk Përvathi “Ndryshe”, mes nudove dhe portreteve psikologjike

Oct 12, 2018 | 14:08
SHPËRNDAJE

KUJTIM BUZA

Edhe pse piktori e quan ekspozitën “NDRYSHE”, unë mendoj se ajo është edhe një tjetër vazhdim i arsenalit të tij piktorik ne gjininë e portretit, nudos apo figurës së zbuluar. Këto janë realizime sipas koncepteve të tij të njohura estetike, gjithnjë vetanake.

Pashk Përvathi është një peizazhist i shquar, por njëkohësisht portretist dhe piktor i kompozimit të figurës. Natyrat e tij të qeta dhe brenditë kujtohen dhe vlerësohen për vendosjen dhe mënyrën e pikturimit, që bien në sy për konceptimin bashkëkohor dhe përkryerjen e tyre figurative.

Prurjet e kësaj ekspozite, mbi 46 punime, janë referime të bagazhit të tij artistik, që janë kuruar në situata të reja si plenerist dhe piktor i natyrës, që vështron në mënyrë krijuese e artistike. Vendosjet kompozicionale të figurave janë të ndryshme, thjesht dhe pa gjestikulacione, në dritë dhe hije të ambientit dhe me rekuizite të kujdesshme.

“Nudo në hije”, “Ndrojtje”, “Nudo ne Studio”, Bardhësi”, “Nudo me jeshile”, “Cigania”, etj., bien në sy për kompozimin elegant të figurës dhe modelimin plastik, delikatesën e penelatave dhe përkëdheljen me to të trupit femëror. Kalimet e buta dhe përkujdesja ndaj karaktereve i bën këto figura një cikël të veçantë në pikturën tonë bashkëkohore.

542525454

Ashtu sikundër lulet në natyrat e qeta me ngjyrat e tyre, peizazhet pikturuar me penelatat e gjera e të shtrira, po ashtu edhe figurat nudo janë të ngopura me ngjyra neutrale te theksuara. Figura me dritë, jetë dhe gjallëri, të besueshme dhe me plasticitet. Portretet janë karaktere të zbuluara me mjeshtëri edhe kur ato i ngjasojnë figurave konkrete.

“Poeti Ndoc Gjetja”, “Nënë Tereza”, “Babai” dhe veçanërisht “Autoportreti”, janë punime që e vlerësojnë si një portretist të mprehtë dhe që penetron psikologjikisht në botën e tyre. Portreti “Djali”, vendosur në kopertinë, zbulon bukur aftësitë profesionale të piktorit, futjen në intimitetin human të tij. Pikturimi i draperive në figurat e shtrira nudo, materialet me ngjyra neutrale dhe ato me ngjyra në gjysmënudot dhe portretet, krijojnë një atmosferë të gëzueshme dhe tepër emocionuese koloristike. Sfondet e disa portreteve si “Pritja”, “Në park”, “Nudo në studio 2”, janë përcaktuese dhe plot vlera.

“Nëna Romë” është një tablo e veçantë në ciklin e portreteve. Dallohet për vendosjen dhe skalitjen koloristike, qëndrimin e bukur të nënës së re, kënaqësisë së saj psikologjike dhe veçanërisht bashkimin e dy figurave në harmoni kompozicionale. Ka kolorit dhe ndriçim të artë. Pashk Përvathin e kam njohur në vitin 1979, kur ai merr pjesë për herë të parë në një ekspozitë kombëtare, krahas artistëve figurativë më të njohur të vendit. Asokohe kryente shërbimin ushtarak, por peizazhi i ekspozuar “Vjeshtë në Manati”, ishte një shenjë treguese se Pashk Përvathi po hynte në rrugën e bukur të artit si krijues peizazhist. Pashku filloi të ecë më tej.

Takimet e mëvonshme, shkolla, ekspozitat etj. bënë që ai të njihej me kolegë, artistë dhe të lidhet në miqësi të reja. Fillimisht punonte pikturë sipas traditës, një pikturë tonale me vizatim korrekt dhe përpunim realist të ngjyrës. Më vonë dalëngadalë u fut në ngjyra të çelëta, me penelata të shkathëta dhe detaje interesante. Duke parë muzeume, ekspozita, rritur horizontin kulturor profesional, duke njohur veprën e impresionistëve dhe postimpresionistëve, ai filloi të kuptojë forcën e ngjyrës, vendosjen e shkathët dhe kombinimin e mjeteve shprehëse mbi telajo.

Puna e vazhdueshme dhe e pandërprerë në natyrë, mes miqsh dhe kolegësh, ekspozitat mbi 40 të tilla, kuptimi me zgjuarsi dhe mprehtësi i problemit të mënyrës së pikturimit, e çoi Pashk Përvathin në zbulime të reja dhe mënyra shumë tërheqëse. Piktura e tij filloi të bëhet më e bukur dhe intriguese, duke zënë vende të veçanta në ekspozita. Talenti, zgjuarsia, intuita dhe formimi kulturor profesional, puna e vazhdueshme në natyrë dhe thellimi në vlera të vërteta, bëri që Pashku të vijë tani në ekspozita të suksesshme sikundër kjo që sapo është hapur në Muzeun Kombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura