Pashk Përvathi: “Ndryshe”, ekspozita që më ka dhënë aq shumë mbresa dhe ndjesi artistike

Nov 6, 2018 | 12:10
SHPËRNDAJE

Pashk Përvathi

Portretet i kam punuar në të rrallë dhe përgjithësisht nuk e kam preferuar përfaqësimin tim nëpër ekspozita me këtë gjini arti. Tre vite më parë, as që e kisha menduar se një ekspozitë e re me portrete dhe nudo sapo e kishte nisur startin e modelimit të saj. Ishte pikërisht koha kur një vajzë rome pozoi në studion time për realizimin e tri nudove të para. Realizimi i tyre më bëri të ndihem mirë, mbasi kjo temë nuk ishte trajtuar asnjëherë nga unë. Edhe ato vepra që kishim realizuar gjatë studimeve në Akademi, nuk patën qenë gjë për të qenë. Modele të lodhura e realizime brenda kornizës së rregullave akademike të shkollës. Koha kaloi shpejt, numri i punimeve u rrit dhe pretendimi për një ekspozitë të veçantë ishte më se real. Por kjo nuk do të ishte ekspozitë si gjithë të tjerat, që unë i kisha hapur më parë. Nuk do të kishte peizazhe si në të shkuarën, por vetëm portrete, kompozime figurale dhe nudo nga komuniteti rom. Prandaj, edhe ishte e veçantë. Ndoshta për këtë arsye, këtë ekspozitë e mendoja të hapur vetëm në Galerinë Kombëtare të Arteve. Unë kam bërë shumë ekspozita, tre prej tyre edhe në këtë galeri, por kjo e tanishmja ishte më e justifikuara për këtë vend. Ishte motivi i saj që kërkonte pikërisht këtë galeri. Galerinë e kam menduar gjithnjë si vendin e vlerave. Në fundin e vitit 2017, bëra aplikimin për ekspozitë personale pranë Galerisë Kombëtare të Arteve me projektin “Rom & Art”.

45513748_300763037198635_4955790891148115968_n

Në vjeshtën e kaluar, përpara se ta dorëzoja në galeri, projekti im kaloi në duart e disa miqve artistë apo njerëz të fushës së medias. Po e testoja si të tillë. Tema ishte e veçantë. Në projekt kisha dhe fotot e nudove dhe portreteve të realizuara. Pritja ishte e mirë dhe frymëzuese për mua. Paralelisht me dorëzimin e projektit për shqyrtim në galeri, fillova të mendoj për infrastrukturën e ekspozitës. Hapjen e saj e mendoja me 8 prill, në ditën e Festës Ndërkombëtare të Romëve. Më duhej katalogu, një paspartim i mirë në korniza, poster i madh e të tjera gjëra të vogla. Ilir Keko, një zë i njohur i fushës së letrave, i hodhi një sy plot interes projektit tim e më tha pa mëdyshje: “Ty ekspozitën do të ta bëjnë ndërkombëtarët. Rri i qetë. Ata bëjnë për tema të tilla”. Ishte fjala për trupën diplomatike të Tiranës. Fjalët e Ilirit më zgjuan mendimin t’iu drejtohesha vërtet pikërisht këtyre “ndërkombëtarëve”. Ndoshta vërtet do ta kishin sensibilitetin ndaj temës së ekspozitës për të kontribuar në botimin e katalogut. Kaq kërkoja unë. Thjesht katalogun. Të tjerat, si gjithnjë, do t’i bëja vetë. Por zhgënjimi qe i madh, i paparë siç thonë vlonjatët. As nga zyrat e një institucioni europian e as nga tri ambasada të vendeve të ulëta, që thuhej se janë më të ndjeshmit ndaj këtij komuniteti, nuk gjeta mbështetjen e duhur për botimin e katalogut. Thjesht më thanë do përpiqemi të jemi në ekspozitë, që në fakt edhe këtu nuk erdhën. Askush nuk tregoi ndjeshmëri dhe unë ndjeshmërinë e tyre tani e quaj ndjeshmëri të rrejshme apo fasadë. Iliri nuk kishte pasur të drejtë. Ua kam thënë kohë më vonë me shaka, se “më dërgove në dyer të mbyllura të ndërkombëtarëve të Tiranës”. Desha ta dinte. Iliri ngriti supet. U habit kur i tregova për “pamundësinë” e tyre në projektin e katalogut të ekspozitës.

ekspo1

Në kushtet normale të funksionimit të Galerisë Kombëtare, projektet e paraqitura duhej të analizoheshin dhe të dilej në projektet fituese brenda muajit dhjetor. Por në Galerinë tonë kishte heshtje. Galeria ishte pa drejtuesin e saj. Ishte larguar ai i mëparshëm dhe tani kërkohej një i ri. Thashethemet për drejtuesin e ri na dërgonin në Kosovë. Atje e kishte projektuar Kryeministri ynë drejtuesin e galerisë, gjë për të cilën unë nuk kisha asnjë paragjykim. Pse jo, edhe prej andej mund të ishte. Ditët kalonin, e më në fund morëm vesh dhe emrin e drejtuesit të ri të Galerisë. Ai do të ishte Shkëlzen Shkololli nga Kosova. Thashethemnaja na doli e vërtetë. Por projektet përsëri po vonoheshin të analizoheshin. Duhej ngritur bordi i ri e duhej të miratohej diku atje lart. Emrat e bordit nuk më jepnin besimin se projekti im do ta “kalonte” klasën. Ata pak ose aspak kishin të bënin me artin që bëja unë apo kolegët e mi. Ndoshta-ndoshta, ata kishin dhe një lloj fobie ndaj këtij arti apo metode krijuese. Miq artistë nga Kosova, më kishin bërë me dije preferencat artistike të drejtorit tonë të ri, dikur drejtues i Galerisë së Kosovës. Biles, në një gazetë të përditshme të Kosovës, dikush shkroi se “Shkëlzen Shkololli, mbasi shkatërroi Galerinë e Prishtinës, tani ka shkuar të shkatërrojë edhe atë të Tiranës”. Në fund të majit ose në fillim të qershorit, mbërriti dhe përgjigjja për projektin tim. Në të shkruhej: “Ju, zoti Pervathi, me projektin tuaj nuk sillni atë që Galeria kërkon t’ia sjellë publikut artdashës. Projekti juaj është i mirë dhe urojmë ta hapni atë në një galeri tjetër!”. Fjala “projekt i mirë” ishte “furçë” për ta pranuar me sportivitet vendimin e bordit të Galerisë. Unë isha i përgatitur për këtë përgjigje, por polemikë vendosa të mos bëja. Vetë drejtori nga Kosova ma hiqte mundësinë e polemikës. Qoftë edhe duke gabuar, doja që ai të mos ndihej sikur ne të këtushmit po e sulmojmë pikërisht pse ishte nga Kosova. Do i lija në pozitën e tyre dhe përgjigjen më të mirë do ta jepja me ekspozitën time në një vend tjetër. Nuk më bindte konkluzioni i tyre. Unë kisha dy arsye që mendoja se projekti që paraqita duhej të kishte qenë fitues: “Ekspozita do të ishte e para në historinë e artit shqiptar që i kushtohej tërësisht komunitetit rom dhe egjiptian dhe njëkohësisht e para ekspozitë, ku ekspozoheshin 21 nudo të realizuara direkt me model nga natyra”. I përgatitur për një përgjigje negative të bordit të Galerisë, që herët në pranverë, pata zënë një datë rezervë për ekspozitën time pranë Muzeu Kombëtar. Drejtuesit e këtij institucioni ishin treguar gjithnjë dashamirës ndaj veprës sime. Ndoshta do më duhet, pata menduar, gjë që koha vërtetoi se kisha pasur të drejtë.ekspo

Mbas vendimit refuzues të bordit të Galerisë, isha më i bindur se kurrë se ekspozita duhej bërë, duhej shtypur katalogu e të gjitha këto do t’i bëja në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pa mbështetjen e askujt tjetër, përveçse të familjes sime. Kjo ekspozitë e meritonte këtë përkujdesje.

Nëse fillimisht ekspozitën do t’ia kushtoja vetëm komunitetit rom, një rastësi e fatit ma zgjeroi larminë e saj. Një vajzë tjetër jashtë këtij komuniteti pranoi të pozonte për disa vepra të reja. Ishin pikërisht veprat e realizuara në qershor-korrik të këtij viti, që e dërguan ekspozitën në një dimension tjetër më përfaqësues. Të gjithë e gjenin veten në ekspozitë. Më mirë kështu. Ndoshta edhe për vetë romët e Shqipërisë ishte më mirë kështu. Nuk do të mendonin se Pashku paska pikturuar vetëm lakuriqësinë e tyre. Isha më i lehtësuar. Unë e dua këtë komunitet dhe për asnjë arsye nuk doja t’i lëndoja. Përkundrazi, me ekspozitën time doja të dëshmoja se ata janë muzë e vërtetë me cilësi figurative të veçanta. Tek ata gjen motive dhe marrëdhënie koloristike si askund tjetër.

Muaji tetor mbajti kohë e mirë. Katalogu doli nga shtypshkronja me kualitet mjaft të lartë. Paspartimi në korniza ishte bërë mrekullisht mirë. E njëjta kornizë dhe e njëjta ngjyrë e errët venge e tyre krijonte qetësi dhe mundësi vrojtimi të kujdesshëm të punimeve. Një poster i madh ishte vendosur në hyrje të portës së muzeut, aty ku dhe ndodhej ekspozita. I kisha bërë të gjitha me përkushtimin maksimal. E meritonte kjo ekspozitë.

Ekspozita u hap në datën 11 tetor në sallën e ekspozitave të Muzeut Kombëtar. Ishte plot një vit mbas ekspozitës “Shqipëria, vend i bukur” dhe po në të njëjtin vend. Titullin e ekspozitës “Ndryshe” e pata menduar që herët dhe asnjëherë më vonë nuk e vura në dyshim si të tillë. Ky titull i rrinte mirë për shtat ekspozitës sime të re. Kishte ngjitur. Ishte lehtë për t’u kuptuar se isha ndryshe nga ekspozitat e kaluara. Nuk kisha peizazhe, por vetëm portrete dhe nudo.. Unë për artdashësit nuk isha Pashku i përhershëm i vjeshtave dhe peizazheve të bukura të Shqipërisë. Tani ata kishin mundësinë të shikonin edhe një pjesë tjetër të panjohur të profilit tim krijues. Një profil i ri i imi i shpalosur i tëri për gjykim. E prandaj nuk pata pasur as dyshimin më të vogël se titulli i ekspozitës do të ishte vetëm “Ndryshe”. Në ceremoninë e hapjes erdhën shumë miq, artdashës e kolegë artistë. Piktori Petro Kokushta, në fjalën e tij të ceremonisë u kthye 33 vite mbrapa në kohë. Përmendi me emocion kohën kur më pati njohur, por edhe nxitur për të ndjekur Akademinë e Arteve. Edhe unë thashë se ne jemi edhe produkt të rrethanave. Ndoshta pa njohur prof. Petron as që e kisha marrë kurajën për të ndjekur studimet në moshën dhe kushtet familjare qe kisha unë. Të shumtë ishin vizitorët edhe në ditët në vazhdim. Në asnjë ekspozitë timen të mëparshme nuk kam pasur kaq shumë vizitorë. Mbërritën të gjitha mediat kryesore, ku realizuan kronika lajmesh, por dhe emisione më të zgjeruara. Tematika e ekspozitës i kishte tërhequr si me magji. Mora përgëzime nga njerëz, që nuk i kisha parë kurrë. Pashë me sytë e mi kulturë dhe emancipim në shijimin e veprave të ekspozuara, paçka se edhe vetë kisha pasur fillimisht një lloj stepjeje sesi do të ishte përballja e tyre me veprën time. Artdashësve mendoj se iu solla pritshmërinë artistike që ata e kërkojnë, ani se bordi i galerisë e pati refuzuar pikërisht me argumentin e mungesës së pritshmërisë, gjithnjë simbas idesë së tyre. Siç po shkojnë punët në atë institucion, tani mendoj se më paskan pas bërë nder që ma refuzuan projektin tim.

Ekspozita ime, në të shumtën e saj pati në qendër figurën e romëve. Jam përpjekur të zbuloj ndër to, bukurinë fizike dhe hijeshinë koloristike, alegrinë, por dhe dramën e tyre. Kjo ekspozitë erdhi në kohën e duhur. Më ka plotësuar një qoshe të profilit tim krijues, që e kisha të zbrazët. Njëkohësisht më ka mundësuar t’u rikthehem fuqishëm dhe me plot dëshirë krijuese peizazheve të bukura të vendit tim. Nuk ishte mbyllur akoma ekspozita në Tiranë, kur mbërrita në bjeshkët e Lëpushës në Vermosh. Kishte mbërritur vjeshta. E prej andej fluturova në Voskopojë, rrethinat e Korçës, Volorekë e gjithandej.

Faleminderit miqtë e mi romë, që më ndihmuat në realizimin e ekspozitës sime! Dijeni mirë, se kam derdhur gjithë fuqinë time krijuese në realizimin e veprave që jua kushtova Juve!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura