Pashk Përvathi, 50 hijet e së bardhës në telajo

Mar 18, 2015 | 14:51
SHPËRNDAJE

Për një piktor e bardha nuk është asnjë- herë thjesht e bardhë. Edhe bora nuk është e njëjta në Korçë apo në Valbonë.

Pashk Pervathi

Ekspozita “Bardhësi” e piktorit Pashk Përvathi, e hapur në Art-Galeri “Kledio” na bind pikërisht për këtë. Pas ekspozitës së një viti më parë “Traditë mbi telajo”, përmes së cilës i rikthehej natyrës së qetë, Përvathi kthehet sërish në terren, sërish mes natyrës, te peizazhi. Si një adhurues i natyrës, Përvathi i ka trajtuar të gjitha stinët në tablotë e tij. Janë karakteristike e kuqja e vjeshtës, e gjelbra e pranverës apo reflektimet në ujë. Por çuditërisht, bardhësia e dimrit ka qenë pak e trajtuar në veprat e tij. Kjo, sepse bora është sqimatare.

“Kjo është hera e parë që e trajtoj borën në tablotë e mia. Bora është një fenomen shumë i pëlqyeshëm për njerëzit.

I gëzohem si fëmijë kur bie dhe trishtohem kur pikat e shiut bien mbi të dhe ajo shkrin. Bora është trajtuar pak në veprat e piktorëve dhe kjo për arsye që dihen, si pamundësia e lëvizjes apo për arsyen se jetojmë në vende ku bora bie rrallë dhe një ndër ta jam dhe unë”, tregon piktori ngasjen e tij për të trajtuar temën e borës. Por, pavarësisht kënaqësisë që ajo i fal, do të duhej edhe një shtysë tjetër, që ai të merrte kavaletin e bojërat për të pikturuar. “Viti 2015 ishte fatlum, sepse gjatë një kolonie piktorësh realizova një numër punimesh mbi këtë temë në Korçë.

Duke pasur parasysh që disa të tilla i kisha realizuar dhe i kisha në studion time, vendosa të bëj një inkursion në Valbonë dhe nuk bëra një, por dy, sepse Valbona është Meka e peizazhit shqiptar. Kështu u krijua një seri punësh mbi motivin e dëborës, që m’u duk se kishte kuptim nëse të gjitha bashkë do t’i paraqisja në një ekspozitë”, thotë Pashk Përvathi, i cili numëron ekspozitën e tij të 36.

UDHËTIMI

Piktori Pashk Përvathi shkon atje ku është natyra. Nuk do të mund të pikturonte një peizazh nga studioja, aq më tepër kur bëhet fjalë për borën. Veprat e paraqitura në ekspozitën “Bardhësi” janë realizuar në Lezhë, Shkodër, Korçë e Valbonë, në temperatura të ulëta e mes njerëzish kureshtarë. Nga Korça ai na sjell disa tablo të realizuara në fshatin Drithas apo në Moravë. “Shtëpitë e fshatit Drithas vijnë në tablotë e Përvathit si një lojë e bukur koloristike, çka e bëjnë të zakonshmen e këtij fshati të jetë e bukur për syrin e artdashësve.

Me sa duket, Përvathi mbi këto realitete të zakonshme krijon realitetin e tij estetik”, shprehet studiuesi i artit, Arsim Kajtazi. Ai veçon tablo si “Natë me borë në Korçë” apo “Dritë dielli mbi Moravë”. Por ai ndalet në veçanti te cikli i realizuar në Valbonë, sipas të cilit vjen më i plotë, që nga perëndimi i diellit mbi Shkëlzen te shtëpitë nën dritën e hënës në Dragobi.

LOJA E DRITËS

Duke kaluar nga njëra tablo te tjetra, vërehet qartazi se asnjëra nuk i ngjan tjetrës. Jo thjesht në përzgjedhjen e peizazheve, në kompozimin e tyre, por në nuancat e së bardhës. Ku ajo është plot shkëlqim, ku anon nga grija, ku merr në të verdhë… Ekspozita duket si një eksplorim mbi të bardhën. E gjitha është lojë dritash. Piktori ka kërkuar, ka pritur me durim zbardhjen e mëngjesit, rënien e muzgut, natën, ditën me qiell të veshur… “Bora është e bukur kur e sheh, por tepër e vështirë për t’u trajtuar, sepse nuancat e së bardhës nën efektin e dritës, së vranësirës, janë të ndryshme. Ajo mund të shkojë deri tek e verdha, madje tek portokallia, siç e kam vënë re në malin e Shkëlzenit”, tregon Përvathi. Sipas tij, janë të shumta të fshehtat e së bardhës. Të njëjtën të bardhë nuk e gjen në Korçë dhe në Valbonë. Te kjo e fundit ajo është më e ftohtë, krahasuar me vende të tjera. Por këtë ftohtësi Përvathi e “ndez” me dritat e ca shtëpive që duken atje tej, një vijëz uji, një siluetë njeriu që ka marrë udhën që në agim, apo një qen që po merr rreze dielli.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura