Pasardhësit, trashëgimia e vyer e OBVL-së

Nov 4, 2019 | 10:15
SHPËRNDAJE

HALIL RAMA halil rama

Federata Botërore e Veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, me seli në Paris, në të cilën që nga viti 2003 aderon edhe OBVL e popullit shqiptar, drejtohet nga norvegjezi 40-vjeçar Dan Vigo Bergtun, si president i saj. Për vetë moshën e tij relativisht të re, si edhe të kryetarëve të organizatave të veteranëve të luftës të Kroacisë, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës e Maqedonisë, (bij e bija gjeneralësh të Luftës së Dytë Botërore), dikush mund të habitet me angazhimin e tyre në mbrojtje të vlerave të kësaj lufte. Por në themel, programi i kësaj Federate (si edhe i Federatës Europiane të Veteranëve), ku bëjnë pjesë më shumë se 70 shtete, konsiston në njohjen dhe propagandimin e Luftës së Dytë Botërore që shpëtoi njerëzimin, si rezultat i fitores së luftës së popujve të udhëhequr nga Aleanca e Fuqishme: SHBA – Britania e Madhe – Ish-BRSS, kundër Boshtit nazist, të përbërë nga Italia, Gjermania dhe Japonia, që synoi të shkaktonte një kasaphanë të vërtetë, nga viti 1939 deri në vitin 1945.

I solla këta shembuj për të evidentuar domosdoshmërinë e pasardhësve të veteranëve, si trashëgimi e vyer e organizatave përkatëse.

Edhe Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ-it të popullit shqiptar (OBVL), që në themelimin e saj para 25 vitesh përcaktoi në dokumentet themeluese, vazhdimësinë nëpërmjet pasardhësve të veteranëve. Në më shumë se dy dekada e gjysmë veprimtari intensive, krahas themeluesve, ish-veteranë të LANÇ-it, drejtues të spikatur të formacioneve partizane dhe më vonë të Ushtrisë shqiptare, si dr.Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, Liri Belishova, Skënder Malindi, Myfit Guxholli, Edip Ohri, Tahir Voshtina, Hamit Keçi, Enver Reçi e dhjetëra figura të tjera të shquara, pasardhësit e tyre kanë qenë të pranishëm. Dhe jo vetëm si figurantë apo në sfond, por si pjesë vitale e kësaj organizate me një histori të lavdishme. Dëshmi e vijimësisë së kësaj organizate ishte edhe Kuvendi i 7-të Kombëtar i saj, i mbajtur në vigjilje të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesi nazifashist, në Akademinë e Shkencave, ku përveç qindra veteranëve të LANÇ-it e pasardhësve të tyre ishin të pranishëm dhe përshëndetën edhe zv.ministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, zv.Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjen. brig. Manushaqe Shehu.

Jo vetëm përvoja shqiptare, por edhe ajo botërore evidenton domosdoshmërinë e vijueshmërisë së aktivitetit të organizatave të veteranëve të luftës. Këtë domosdoshmëri, në këtë Kuvend e argumentoi më së miri kryetari i ri i OBVL, kolonel ing. Myfit Guxholli, ish- pjesëmarrës aktiv dhe kuadër në formacionet e Brigadës IV Partizane, i cili, pasi kreu studimet e larta në ish-Bashkimin Sovjetik, shërbeu në funksione të rëndësishme të Ushtrisë shqiptare dhe pas viteve ’90 ishte ndër themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të OBVL-së për 25 vjet.

Është fakt që në veprimtaritë e ndryshme me karakter politik, patriotik e social të kësaj organizate, gjithmonë ka qenë i dukshëm kontributi i madh dhe i përhershëm i veteranëve. Por gjithsesi është e pamundur vijueshmëria e aktivitetit të këtyre organizatave, siç është edhe OBVL, pa e trashëguar traditën te më të rinjtë.

Para tri vitesh, në korrik 2016, në një konferencë rajonale të organizatave të veteranëve të vendeve të rajonit të Ballkanit, që u mbajt në Zabljak të Malit të Zi, përveç gjeneralit shekullor shqiptar, Rrahman Parllaku, që u prit si hero legjendar dhe kreut të veteranëve malazezë, prof. dr.Ljubomir Sekuliq si organizator, spikatën edhe dhjetëra të rinj, si përfaqësues të organizatave të veteranëve të Kroacisë, Sllovenisë, Serbisë e Bosnje-Hercegovinës. Midis tyre, edhe presidenti i Federatës Botërore të Veteranëve, norvegjezi Dan Vigo Bergtun, i cili ishte rreth 40 vjeç.

Pa dyshim, fjala e kryetarit të delegacionit shqiptar, legjendës së gjallë të këtij vendi, gjeneralit të pamposhtur Rrahman Parllaku, këtij kolosi fisnik, që fitoi menjëherë admirimin e të gjithë të pranishmëve, u prit me interes të jashtëzakonshëm. Por pa dashur t’ia rris vlerat gjeneral Parllakut, i cili pa dyshim ngjalli emocione të fuqishme, jo vetëm me prezencën e vitalitetin e tij, por dhe me mesazhet që përcolli edhe te përfaqësuesit e delegacioneve të veteranëve nga Mali i Zi, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bosnje- Hercegovina etj., ajo që ra në sy në këtë event të rëndësishëm ishte prania e shumë pasardhësve të veteranëve. Nëse norvegjezi 40- vjeçar Dan Vigo Bergtun vinte si president i Federatës Botërore të Veteranëve, kryetarja e Org. së Veteranëve të Kroacisë ishte një e përafërt me të në moshë, si bija e një gjenerali kroat me emër. Të tillë ishin edhe përfaqësuesit e Serbisë e të Sllovenisë.

Por nëse ish-kreu i OBVL-së, gjeneral Rrahman Parllaku -Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, nderohej e respektohej dhe i dëgjohej fjala kudo, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Prishtinë, Gjakovë e Prizren, apo edhe në veprimtari promovuese, siç ndodhi kohët e fundit në promovimet e librave të ish-ushtarakëve Kujtim Boriçi e Demir Rusi, është koha që ata pa asnjë mëdyshje të bëhen pjesë e kësaj organizate. Ish-ushtarakë të shquar, të pranishëm në këto promovime, si gjeneral Dilaver Laçi, Ismail Shulku, Sokol Agolli, Nesim Ndreu e të tjerë do të ishin trashëgimia e vyer e kësaj organizate, anëtare e Federatës Botërore të Veteranëve. Ata kanë se ç’të mësojnë nga bilanci i pasur i veprimtarive, jo vetëm produktive, por edhe cilësore të OBVL, të fokusuara në konferenca shkencore e sesione jubilare, por dhe në botime produktive e cilësore. Kjo domosdoshmëri u evidentua edhe në Kuvendin e 7-të të OBVL, në të cilin veteranët dhe pasardhësit konfirmuan vazhdimësinë e kësaj organizate të krijuar e drejtuar me largpamësi e përkushtim maksimal nga dr.Ymer Dishnica dhe gjeneral Rrahman Parllaku. Kësisoj, OBVL do të vazhdojë të funksionojë si organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, që dënon krimet e komunizmit, që mbështeti fort Luftën e drejtë të UÇK-së dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare. Por kjo nuk mund të arrihet pa angazhimin e pasardhësve, që kanë rol përcaktues për vijueshmërinë e OBVL-së. Edhe në veprimtaritë e saj kanë qenë dhe janë prezentë në vijimësi personalitete të njohura për publikun, si: Suzana Guxholli, Tatjana Parllaku, Petrit Çomo, Arlinda Keçi, Dashamir Tahiri e disa të tjerë, vajza e djem të themeluesve e drejtuesve të OBVL-së. Por tashmë që prindërit sa vijnë e largohen në moshë, është koha që ata të marrin përgjegjësi konkrete në organizimin dhe drejtimin e veprimtarive të kësaj organizate. Për më tepër, kur si pjesë vitale e saj janë bërë herë pas here edhe ikona të artit e kulturës sonë kombëtare, si artistet e popullit Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, nga pasardhësit e drejtpërdrejtë kërkohet një angazhim më i madh, që ata të trashëgojnë Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar (OBVL), historia e së cilës është me të vërtetë një histori suksesi.

Këto vlera janë përqafuar e propaganduar nga pasardhësit e denjë të veteranëve, si ish-ushtaraku gazetari e shkrimtari i njohur Sakip Cami, nga historianët, studiuesit, publicistët e shkrimtarët e mirënjohur si: Shpendi Topollaji, Hyqmet Zane, Xhemal Meçi, Nikolla Sudar e ing. Kol Deda, por janë dhjetëra të tjerë, ish-ushtarakë të devotshëm, të mirëpritur në radhët e strukturat e OBVL-së. Për përjetësimin e veprës së gjeneral Parllakut, Kuvendi i 7-të Kombëtar i OBVL-së vendosi t’i propozojë Këshillit Bashkiak të Tiranës që emri i tij t’i vendoset një sheshi apo një rruge kryesore në kryeqytetin shqiptar. Po ashtu, OBVL-ja i propozon Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH, që në sheshin qendror, brenda mjediseve të këtij institucioni, të vendoset busti i gjeneral Parllakut. Sidomos tani më shumë se kurrë, në kuadrin e 75- Vjetorit të Çlirimit të Atdheut, është koha që personalitete të tilla t’i përjetësojmë në panteonin e vlerave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura