Pas vonesës prej 4 vitesh, fillon restaurimi i godinës 100 vjeçare të bankës në Durrës

May 10, 2022 | 19:34
SHPËRNDAJE

Godina 100 vjeçare e Bankës Kombëtare Tregtare në Durrës që nga dita e hënë është rrethuar pjesërisht me mbrojtëse metalike, në prag të fillimit të punimeve restauruese në ndërtesën thuajse shekullore.

banka

Godina e bankës u braktis 4 vjet më parë në pritje të punimeve restauruese, duke i transferuar shërbimet e saj në një mjedis tjetër disa qindra metra më tej. Por punimet vonuan, ndërsa dy tërmete sollën dëme shtesë mbi fasadën e godinës historike.

Por të martën më 10 maj drejtoria e BKT i tha BIRN në një e-mail zyrtar se “faza e parë e punimeve, e cila përfshin përforcimin konstruktiv të godinës së BKT në Durrës, tashmë ka filluar”. BKT tha se për procedurën e restaurimit janë marrë lejet përkatëse pranë të gjitha organeve kompetente si Bashkia e Durrësit, Ministria e Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.

Në një shkrim të BIRN në fund të vitit të shkuar, specialistë dhe banorë të qytetit u shprehën të shqetësuar lidhur me vonesën disavjeçare në ndërhyrjen në godinën e ndërtuar në vitin 1928.  BKT insiston se gjithçka u shty për shkak të pandemisë nga Covid -19.

Megjithëse nuk është njoftuar ende për fillimin e punimeve, arkitektja Lida Miraj, që ka hartuar projektin restaurues tha për BIRN se gjithçka do të rikthehet në pamjen që ka patur godina, që u projektua gati një shekull më parë nga arkitekti italian Vittorio Ballio Morpurgo.

Sipas Mirajt, restaurimit do t’i nënshtrohen mjediset e brendshme si dhe mobiljet që kanë mbërritur nga periudha para luftës.

BKT tha se restaurimi i kësaj godine, e cila veç amortizimit të hershëm u godit edhe nga dy tërmetet e vitit 2019, përbën një sfidë për institucionin.  “Situata pas tërmetit i ka vështirësuar punimet e zbatimit për përforcimin konstruktiv të godinës”, – shpreh BKT në përgjigjen e saj me shkrim për BIRN.

Por godina që ka marrë statusin “Monument kulture i kategorisë së dytë” më në fund do t’i nënshtrohet restaurimit.

Mbi hyrjen impozante të bankës ndodhet monumenti i një gruaje, që përfaqëson në mënyrë simbolike begatinë dhe që për disa kohë hapi diskutimin nëse i takonte figurës së mbretëreshës ilire Teutë. “Ky monument është pjesë e planit të restaurimit” – nënvizoi BKT, sipas së cilës restaurimi i godinës do të përfundojë brenda këtij viti.

Godina e BKT është një nga ndërtesat më përfaqësuese të qytetit bregdetar. Specialistët, qytetarët dhe të huajt vlerësojnë arkitekturën e saj dhe zgjidhjet arkitektonike në mjediset e brendshme.

Historia e godinës së Bankës është një paralele e jetës së qytetit bregdetar gjatë 100 vjetëve të fundit. Kur u ndërtua në vitin 1928, ajo dëmtoi një monument mesjetarë në qytet.  Themelet e saj ndodhen mbi kullën juglindore të fortifikimit bizantin, i cili njihej si “bastioni i madh”./Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura