Pas videos së Berishës, Rama mbledh strukturat e PS-së në Durrës nën masa të forta sigurie, Garda kontroll për telefona e përgjues

May 6, 2015 | 19:05
SHPËRNDAJE

Pas takimit që zhvilloi pasditen e së mërkurës në qytetin e Durrësit ku prezantoi rikandidimin e Vangjush Dakos për të tretën në bashkinë e këtij qyteti, kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i PS-së, zhvilloi një mbledhje me strukturat e Partisë Socialiste.

Kryeministri Edi Rama, foto marre nga profili i tij ne “Facebook”

Mbledhja nisi rreth orës 18:00 në Pallatin e Kulturës në Durrës dhe zgjati për rreth një orë, ndërsa në të merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deputetë të Partisë Socialiste të këtij Qarku dhe përfaqësues të pushtetit vendor. 
Burime pranë këtij takimi konfirmuan për “Panorama Online” se mbledhja nisi nën masa të forta sigurie, ku Garda kreu kontrolle të shumta mes të pranishmëve edhe për aparate përgjimi. Mësohet se gjatë këtij takimi u ndërprenë edhe hyrje-daljet në Pallatin e Kulturës, ndërkohë që në këtë institucion ndodhen edhe disa zyra të medieve dhe administratës lokale.

Më herët, ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një material filmik të një takimi që Rama kishte zhvilluar me strukturat e forcës politike që ai drejton, bashkë me ato të LSI-së, në qytetin e Shkodrës. Në videon e publikuar nga Berisha dëgjohej kryeministri Rama duke u dhënë urdhra drejtorëve të këtij qarku që të angazhohen personalisht në mbledhjen e votave për kandidaten e PS-së, Keti Bazhdari. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura