Pas Turqisë, Nik Xhelilaj kërkon suksesin në Gjermani

Sep 3, 2015 | 11:35
SHPËRNDAJE

11
Një nga televizionet më të mëdha në Gjermani, që njihet për produksione të ndryshme dhe të suksesshme në kinematografi, këtë herë sjell një tjetër surprizë, rirealizimin e filmit “Winnetou”, ku rolin kryesor të këtij filmi me po të njëjtin emër ia kanë besuar aktorit të njohur shqiptar, Nik Xhelilaj. Ky i fundit, pas disa sukseseve nëpër serialet turke, ka vendosur që të zhvendoset në Gjermani për një karrierë akoma më të suksesshme e sigurisht edhe ofertave më joshëse.

RTL këtë herë bën një tjetër goditje ndërkombëtare. Megjithëse emri që kanë zgjedhur, sipas mediave gjermane është pak i njohur për publikun atje, producentët janë të bindur se Niku do t’ia dalë. 32-vjeçari i famshëm në Shqipëri e Turqi, sipas asaj që shkruajnë mediat atje, është parë teksa ka aktruar nëpër filma familjarë e kryesisht nëpër seriale turke, por me rolin e tij në vitin 2010 te filmi ‘’Shqiptari’’, ka zgjuar vëmendje të madhe, kryesisht te producentët gjermanë.

Winnetou njihet tashmë si një hero amerikan, ndërsa është përshtatur në film. Vepra u përkthye në gjermanisht nga Karl May dhe është një nga romanet më të shitura në historinë e Gjermanisë, deri në 200 milionë kopje. Kështu, Niku do të ketë një tjetër sfidë të stilit të viteve ‘60, ku do të luajë rolin e një indo-amerikani. Përshtatja e librit në film është realizuar edhe më herët, para shumë vitesh, dhe të njëjtët aktorë kanë pasur një jehonë të madhe dhe popullaritet në publikun gjerman, dhe të njëjtën gjë pret edhe Nik Xhelilaj. RTL ka menduar që këtë film ta xhirojë dhe ta shfaqë në tri pjesë, ndërsa xhirimet e para kanë filluar në Kroaci, nga data 15 gusht. Për të matur pulsin e publikut janë shfaqur edhe fotot e para të aktorit shqiptar, teksa Xhelilaj i ka mahnitur të gjithë me fizikun e tij të mrekullueshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura