Pas Teatrit Kombëtar, edhe TKOB në rikonstruksion

Sep 3, 2015 | 12:56
SHPËRNDAJE

Ndoshta për një vit Shqipëria do të mund të ketë një Teatër Kombëtar Opere dhe Baleti dinjitoz. Dje, në një konferencë me rastin e prezantimit të kalendarit të ri artistik, drejtori i këtij institucioni, Ilir Kerni, u shpreh për mediat se në muajin janar priten të fillojnë punimet për rikonstruksionin e godinës.

Drejtori i Përgjithshëm i TKOB, Ilir Kerni
Drejtori i Përgjithshëm i TKOB, Ilir Kerni
“Fillojmë një sezon që, për mendimin tim, është më i veçanti në 60 vjet, sepse, përveç ngjarjeve artistike, teatri për herë të parë do t’i nënshtrohet rikonstruksionit total”, u shpreh Kerni, duke shtuar se brenda një periudhe të shkurtër do të kemi një teatër modern dhe me parametrat e duhur.

Sipas tij, punimet do të zgjasin rreth një vit dhe ndërkaq TKOB-ja po përgatitet për të shpërndarë aktivitetin e tij në skena të tjera alternative, jo vetëm në Tiranë. Kerni u shpreh se në këtë situatë do të aplikohen më shumë shfaqjet me një numër të kufizuar artistësh, si në rastin e baletit, apo koncerte. Nuk do të mungojnë turnetë nëpër Shqipëri, por edhe jashtë, si në Itali, Gjermani etj.

RIKONSTRUKSIONI
Me gjithë ndonjë andrim që i është bërë në vite, ndërtesa e Pallatit të Kulturës, ku janë vendosur dy nga institucionet më të rëndësishme kulturore, TKOB-ja dhe Biblioteka Kombëtare, paraqet probleme jo të vogla në infrastrukturë. Salla e TKOB-së tashmë nuk e fsheh më dot rrënimin e saj dhe nuk iu përgjigjet dot më as kërkesave të artistëve që punojnë në të dhe as spektatorit që do të donte të ndiqte një shfaqje në kushte normale.

Balerini Astrit Zejnati
Balerini Astrit Zejnati
Drejtori Ilir Kerni thotë se më në fund TKOB-ja do të ketë një pamje moderne. Ai shprehet se do të ketë një rikonceptim të sallës. Edhe pse nuk mund të flasë ende me detaje për projektin që do të zbatohet, ai thotë se është kërkuar që salla të ketë lozha rrethore, të përmirësohen sistemet elektrike dhe skena të mund të ketë një teknologji që iu përgjigjet kërkesave të kohës. Për Kernin puna kërkon vetëm pasion, ashtu siç është punuar gjatë këtyre dy viteve në TKOB.

KALENDARI
“Nëse mund të jem i sinqertë, kurrë nuk kam menduar se do të kishte këtë zhvillim situata artistike në këtë periudhë gati 2-vjeçare. Nëse bëjmë një pasqyrë të gjithçkaje që është bërë, jam jo i kënaqur, por i surprizuar me veten time”, thotë Ilir Kerni, teksa shpreson të mbajë këtë ritëm pune në TKOB edhe këtë vit artistik, kur pritet të nisë rikonstruksioni.

Kerni premton të tjera shfaqje dinjitoze dhe emra të rëndësishëm të operës e të baletit. Pas disa shfaqjesh konceptore e përvjetorësh, shfaqja e madhe që do të hapë sezonin artistik është opera “Don Giovanni” e Mozartit. Gjatë këtij sezoni pritet të shfaqet baleti “Carmina Burana”, një produksion madhështor, që sjell në Tiranë koreografin e njohur hungarez, Youri Vamos. Një tjetër premierë baleti do të sjellë sërish në Tiranë koreografin Angjelin Preljocaj.

Këtë herë trupa e baletit do të interpretojë veprën “Dasma”, ku tradicionalja dhe modernia gërshetohen së bashku.

“Në këtë mënyrë ne vulosim edhe një herë emrat e mëdhenj në teatrin tonë. Kjo është një pasaportë që e radhit teatrin tonë ndër ata më seriozët të rajonit, por edhe më gjerë. Nëse vazhdojmë në këtë rrugë, jam i bindur që shumë shpejt do të kemi nivel dhe cilësi që është për t’u admiruar”, tha Kerni. Ndërkohë, gjatë muajve tetor dhe nëntor do të rikthehen sërish për publikun opera, të cilat janë tashmë pjesë e repertorit të TKOB-së, “Pagliaçi” dhe “La Boheme”.

Nuk do të mungojnë edhe koncertet e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kohës që do të interpretojnë në skenën shqiptare, trupa e baletit do të përgatitet për një turne prej 7 shfaqjesh në disa qytete të Italisë me baletet “Coppelia”, “La Stravaganza” dhe “La Sylphide”, me koreografi të Angjelin Preljocajt dhe Ilir Kernit. 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura