Pas Superkupës korçarët fokusohen te Partizani, Shehi nuk e ndryshon ekipin fitues

Aug 15, 2018 | 20:59
SHPËRNDAJE

Skënderbeu filloi dje javën anti-Partizani për ta përgatitur si duhet ndeshjen premierë të Kategorisë Superiore. Në përgatitjen e programuar gjatë pasdites, kampionët e vendit të drejtuar nga trajneri Orges Shehi kanë zhvilluar një seancë të plotë stërvitore, ku në thelb ka qenë vendosja taktike në fushë dhe aspekti teknik i ekipit. Shehi ka nisur pjesën e parë të stërvitjes me udhëzime përqendrimi për të tijtë, teksa lojtarët kanë punuar më së shumti për qarkullim topi dhe ushtrime të rendimentit fizik.

shehi

Në pjesën e dytë të seancës, e gjithë vëmendja u është kushtuar skemave të ndryshme të lojës, por edhe situatave mbrojtëse dhe sulmuese. Dukshëm, që nga kjo ditë stërvitore, bardhekuqtë kërkojnë të marrin më shumë përgjigje pozitive në lidhje me takimin e parë, por mbi të gjitha të shmangin edhe paqartësitë e ndeshjes së fundit kundër Laçit në Superkupë. Për këtë arsye, trajneri Shehi ka lajmëruar ekipin se dita e sotme para seancës stërvitore do të përkojë me një analizë të gjerë të takimit të zhvilluar në Superkupë, për të parë anët delikate të skuadrës në këtë 90-minutësh dhe për t’i përmirësuar ato. Ndërsa në anën tjetër, një ditë pas kësaj analize, pra të enjten, ekipi do të fokusohet tek imazhet-video apo informacionet e mbledhura për të analizuar Partizanin e Gegës, si kundërshtarin e radhës në ndeshjen e parë të kampionatit.

shehi-skenderbeu-stervitje-750x430

Formacioni- Pas fitores ndaj Laçit, duket se Skënderbeu do t’i besojë të njëjtit formacion që luajti takimin e Superkupës. Ekipi që fiton nuk ndryshon dhe ky është një slogan që vlen edhe për Orges Shehin, që me shumë mundësi do t’i besojë në pjesën më të madhe këtij formacioni. Gjithsesi, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë në kohën kur ishkapiteni i Skënderbeut do të bëjë edhe provat gjenerale para kësaj ndeshjeje. Përpos të gjithave, pritet që si në reshtim ashtu edhe në përbërjen e njëmbëdhjetëshes bazë të ekipit të mos ketë ndryshime thelbësore.

skenderbeu

Makota – Veç përgatitjeve të ekipit për ndeshjen premierë të Kategorisë Superiore, bardhekuqtë janë duke parë me kujdes edhe formën e Janik Makotës, sulmuesit frankokamerunas që ka nisur provën te Skënderbeu para disa javësh. Duket se dita-ditës, Makota është duke bindur korçarët në lidhje me potencialin e tij dhe mund të jetë një armë e mirë në repartin ofensiv për trajnerin Orges Shehi. Elementët pozitivë që ka futbollisti duket se mund të ndërthuren me atë të ekipit për të përshtatur sa më mirë forcën dhe kjo është ajo që ka filluar të bindë kampionët për të vijuar bisedimet për nënshkrimin e kontratës për sulmuesin kamerunas. Gjithsesi, 26-vjeçari pritet të qëndrojë edhe disa ditë në provë para se Shehi të vendosë për të ardhmen e tij.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura