Pas SPAK, edhe OFL i çon letër një të vdekuri. Të vrarit në Siri i kërkohet të…

Sep 19, 2020 | 16:20
SHPËRNDAJE

Pas gafës që SPAK bëri në muajin korrik, duke firmosur një urdhërarrest për një person që kishte ndërruar jetë, dje edhe OFL-ja ka bërë të njëjtin veprim.

Shkëlzen Dumani
Shkëlzen Dumani

I ka nisur letër për të deklaruar pasurinë një personi që rezulton të jetë vrarë. Në rastin konkret, duket se gabimi është disi më i lehtë, pasi pasurinë e tij mund ta deklarojnë edhe familjarët, megjithatë në vend të emrin të tij, formulari mund të ishte adresuar në emër të të afërmve, siç edhe ka ndodhur në disa raste.

Rasti në fjalë i përket Shkëlzen Dumanit, i cili rezulton të jetë vrarë në Siri që prej vitit 2014. Megjithatë, duket se procedurialisht nuk ka ndonjë gabim nga ana e Policisë, pasi vdekja e tij nuk është dokumentuar në letra. Sipas familjarëve të tij, ai ka pasur në pronësi një apartament dhe një automjet.

Në apartament, pas vdekjes së të ëmës, Mentije Dumanit, nuk jeton askush. Për këtë arsye, ata e kanë kthyer mbrapsht formularin e dërguar nga Operacioni Forca e Ligjit. Shkëlzen Dumani u vra krah grupeve xhihadiste në vitin 2014 në moshën 39-vjeçare.

Sipas riteve fetare në Siri ushtarët e vdekur për luftën e shenjtë bien shahit dhe varrosen në tokën ku kanë luftuar. Ai la pas dy fëmijë, Evën dhe Endrin, ndërsa nëna e tyre, Mide Dumani, kërkon rikthimin e tyre. Policia tha dje se në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL-ja u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: Astrit Tola, banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, kryer në bashkëpunim dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, kryer në bashkëpunim; Orion Reçi, banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit”, kryer në bashkëpunim,

“Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, kryer në bashkëpunim dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, kryer në bashkëpunim; Shkëlzen Dumani, Krimet e Rënda kanë caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “Rekrutimi i personave me qëllim kryerjen e veprave terroriste”, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve”; Saimir Alimehmeti, banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e Nju Jorkut (SHBA), me 22 vite heqje lirie, për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL-ja është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”, tha zyrtarisht Policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura