Pas replikave për vizat, Merkel gati planin 5-pikësh për ‘kokorroçin’ Trump!

Feb 3, 2017 | 11:24
SHPËRNDAJE

Ekziston një plan 5-pikësh, të cilin Angela Merkel e ka përdorur gjithmonë për të rrëzuar kundërshtarët e saj ‘macho’ në gjithë karrierën e saj, shkruan Pol Hokenos në “Foreign Policy”.

Angela Merkel mund të mos duket në pamje të parë një lojtare e ashpër: Ajo është e butë, fizikisht e paimpostuar dhe jokarizmatike.

Por në rast se Donald Tramp, mendon se mund të frikësojë kancelaren gjermane duke e detyruar t’i bindet linjës së tij, apo të paktën t’i hapë rrugë, ai duhet të marrë parasysh këshillat e Vladimir Putinit.

Merkel krenohet me qasjen e saj të kujdesshme dhe joemocionale, dhe deri më tani ka refuzuar të reagojë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të përsëritura të Tramp ndaj politikës së saj mbi refugjatët si një “gabim katastrofik”.

Por ajo nuk humbi kohë, për t’iu përgjigjur me forcë vendimit të presidentit amerikan për ndalimin e e hyrjes së refugjatëve dhe qytetarëve të tjerë nga disa vende me shumicë myslimane.

“Lufta e nevojshme dhe e vendosur kundër terrorizmit, nuk e justifikon në asnjë mënyrë dyshimin e përgjithshëm ndaj të gjithë njerëzve që ndajnë një besim të caktuar, në rastin konkret njerëzit e fesë myslimane, apo njerëz me një sfond të caktuar”.

Procedura e miratuar nga administrata Tramp, është në kundërshtim me filozofinë themelore të ndihmës ndaj refugjatëve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, vazhdoi Merkel.

Angela Merkel ka lënë të kuptohet se ajo nuk do të luajë viktimën. Me të mësuar natën e zgjedhjeve amerikane se Donald Tramp do të bëhej presidenti i ardhshëm i SHBA-së, ajo këmbënguli se marrëdhëniet e Gjermanisë me Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë brenda parametrave tradicionalë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, të bazuara në vlerat e tyre të përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Në qendër të sjelljes së Merkel është durimi i saj i fortë, çka e bën të pamundur që ajo të provokohet lehtë. “Ajo nuk është si Meril Strip, e cila pati një reagim emocional ndaj Trampit”- thotë Kerolin Fetsher, kolumniste për të përditshmen gjermane “Der Tagesspiegel”.

“Ajo u rrit në politikën gjermane në një parti të dominuar nga burrat e zhurshëm të Gjermanisë Perëndimore. Ajo, një grua nga Gjermania Lindore, i vëzhgoi nga afër për të identifikuar pikat e forta dhe të dobëta, por nuk i imiton kurrë ata”.

Kryeveprat e Merkelit në pushtetin politik kanë ndodhur kur ajo është protagoniste e dobët, thotë politologu Detlev Klausen. “Ajo nuk e kërkon përplasjen, përkundrazi pret deri sa kundërshtari i saj të shfaqë dobësi apo sentimentalizëm dhe pastaj me një qetësi të akullt i ngul një thikë pas shpine”.

Klausen vëren se Evropa nuk është prioritet i Trampit në këtë moment. “Ajo ndoshta do të presë derikur një pjesë e shkëlqimit të tij fillestar të humbasë. Kjo është mënyra se si ajo do ta mposhtë”.

/bota.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura