Pas përmbledhjesh e përkthimesh, Pëllumb Nako boton romanin e parë/ Një “Rrugëtim në tri kohë” në tragjikomedinë shqiptare

Oct 13, 2021 | 10:43
SHPËRNDAJE

Rrugëtim në tri kohë”. Ky është titulli i romanit të parë të shkruar nga Pëllumb Nako. Pas dy përmbledhjesh me shkrime me temë “Siguria ndjesi subjektive apo realitet që ndërtohet” dhe “Hije që nuk po lemë dot pas”, por edhe një seri përkthimesh, autori provon në gjininë e romanit, duke sjellë një histori plot humor të së përditshmes shqiptare.

roman

Romani “Rrugëtim në tri kohë” është shkruar në vetën e parë dhe të krijon përshtypjen e një autobiografie, por në fakt bëhet fjalë për rrëfimin e një brezi që u shkollua në dekadat e fundit të diktaturës dhe që përmbysja e saj i gjeti në moshën e duhur për të gjykuar atë që kishte kaluar vendi, por jo aq të gatshëm për të ndërtuar mbi rrënojat e shtetit të saporënë. Libri ka një gjuhë të thjeshtë, me një stil herë me humor, herë sarkastik për të përshkruar një ralitet, i cili në vendin tonë luhatet thuajse përjetësisht ndërmjet qesharakes dhe tragjikes.

Ngjarjet shtrihen kronologjikisht që nga fshatrat e Beratit, ku fillimisht autori ka shërbyer si mësues, për të vazhduar me qytetin e Beratit ku debati beratas apo skraparlli mbetet gjithmonë i gjallë në përditshmërinë e qytetit. Më pas gjithçka zhvendoset në Tiranë, ku me të njëjtat nota tragjikomike përshkruhen momentet e para të ndërtimit të Policisë ku autori filloi të punonte, për të vazhduar me kohët e sotme, të dominuara nga një atmosferë sociale me padrejtësi, papërgjegjshmëri për fatet e vendit. Pëllumb Nako ka lindur në Berat.

Karriera e tij profesionale është e ndarë në dy kolona të ndryshme, deri diku të largëta nga njëra-tjetra. Fillimisht ka punuar si arsimtar për 9 vite e më pas për 22 vite në Policinë e Shtetit, për të cilën ka kryer studimet dhe specializime në Francë. Pëllumb Nako e ka filluar daljen e tij publike me disa libra të përkthyer nga gjuha frënge dhe ajo italiane si “Historia dhe civilizimi botëror, vëllimi III dhe XII:.

Më pas ka vazhduar me përkthimin e librit “Makiaveli në Demokraci” e ish-Kryeministrit francez Balladyr, me biografinë e krijuesit të Europës, “Robert Shuman ati i Europës”, me biografinë e zonjës së parë aktuale të Francës, “Brizhit Makron e dëlira”. Kurse nga italishtja ka përkthyer librin “Në emër të Pietrit”, shkruar nga Françeska Immakolata Shauki. Aktualisht pedagog në Universitetin “Tirana Busines University”. Ai po ashtu njihet edhe si opinionist për çështje të sigurisë, për të cilat shkruan në gazetën “Panorama”.

rruge

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura