Pas pastorit në Maliq, një myslimane e devotshme në listën e aleatëve të PS

Jun 5, 2015 | 11:54
SHPËRNDAJE

Elementët fetarë po tërhiqen nga politika. Një femër e mbuluar me shami po kandidon në zgjedhjet vendore, si këshilltare në listën e aleatëve të PS-së, për Tiranën. Bëhet fjalë për Elona Hoxhën, që përfaqëson forcën politike “Partia Shqiptare Atdheu” dhe mban numrin 45.

Duke vëzhguar profilin e saj në Facebook, Elona tregon edhe arsyen pse kandidon: “Ai që nuk i shërben atdheut të vet, është i destinuar të vdesë në harresë…. Ka fakte dhe tregues autentikë të gërryerjes dhe kalbëzimit nga brenda të shtetit, të ngjitjes së regjimeve që nuk njohin ligje, principe dhe moral.

Ky konkluzion i dhimbshëm është bërë dhe stërbërë radhazi publik nga faktori vendës dhe ai ndërkombëtar. Një psikologji e sofistikuar, mbytëse, terrorizuese e deri antikombëtare, po synon heshtjen, mënjanimin dhe mbylljen në vetvete të atdhetarëve e intelektualëve, duke u dhënë mundësinë e dominimit të situatës njerëzve populistë, militantë, avokatë mbrojtës të së keqes. Ky është edhe orientimi strategjik i ‘Partisë Shqiptare Atdheu’, ku gjej veten”.
Gazeta “Panorama” shkroi disa ditë më parë për tjetër rast unik, ku u vu re një “rekrutim” edhe nga përfaqësuesit e fesë. Partia Socialiste kandidoi një pastor për Këshillin Bashkiak të Maliqit. Pastori Plator Çollaku është i shtati në listën e këshilltarëve bashkiakë. Pastori ungjillor nuk ka qenë i përfshirë më parë në asnjë parti politike. Përfaqësuesi i kishës u nxit nga të rinjtë për të kandiduar dhe tashmë ka nisur fuqishëm fushatën. Ai predikon në Kishën Ungjillore në Libonik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura