Pas një aktakuze

Jun 29, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI leonidha-mertiri-150x150

Në një njoftim të këtyre ditëve të Raportueses për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, thuhet se, Gjykata, e mbështetur nga Bashkimi Europian, prish planet e SHBA-së për Samitin e Kosovës. Fjala është për aktakuzën, e njohur tashmë, të Prokurorisë Speciale kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kreut të Partisë Demokratike, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Me sa duket, aktakuza u ruajt qëllimisht që të bëhej publike në prag të takimit KosovëSerbi në Uashington, vetëm tri ditë para fillimit të tij.

Në këtë tablo, bie në sy fakti që përfaqësuesi i palës serbe, Presidenti Aleksandar Vuçiç, nxitoi të marrë bekimin nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës dyditore në Moskë. Sipas RTV të Serbisë, Vuçiç, me superlativa, nuk mungoi të shprehë falënderimet ndaj Putinit për idetë dhe rrugët e rekomanduara për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Rekomandime që dihen: Rusia, sikurse është parë, është e interesuar që kriza në marrëdhëniet Kosovë-Serbi të mbahet e ndezur. Kreu i Beogradit, menjëherë pas kësaj vizite, deklaroi i bindur se besonte tashmë që do të ndodhnin gjëra të rëndësishme. Dhe këtë e lidh me rolin aktiv të Rusisë në vendet ballkanike, inkurajuar, dashur pa dashur, dhe nga njëfarë indiferentizmi i BE-së. Nuk mund të mos i shërbejë kësaj politike qëndrimi, pothuajse mospërfillës, i këtij organizmi të rëndësishëm, duke u privuar shqiptarëve të Kosovës lëvizjen pa viza, kur tërë fqinjët e tyre kanë mbi një dekadë që e gëzojnë atë.

Tani, edhe akuza e Prokurorit të Gjykatës Speciale kundër drejtuesve të rëndësishëm të UÇK-së. Vuçiç, tepër i kënaqur. Politizimi i tejskajshëm i kësaj Prokurorie nuk mund të mos i jepte kënaqësi Presidentit serb. Ndërkohë, vështirë pas kësaj të shihet ajo si e pavarur. Një shërbëtore e denjë e korridoreve të pista të politikës. Sedra serbe përkëdhelet edhe më tej, por dhe shëmbëllim i një ndjese të çuditshme ndaj një agresori.

Pikëpyetjet shtohen pas kësaj aktakuze, duke shkuar edhe më tej. Të jetë ajo produkt i një mbetjeje qejfi nga BE-ja, që nuk mund të spostohet nga roli i vetë udhëheqës në bisedimet Kosovë-Serbi? Apo kjo udhëheqje nga SHBA-ja ishte në interes të saj, të Presidentit Trump, për një fitore të tij, me ndikim në marrjen e mandatit të dytë presidencial?

Disa analistë e shikojnë aktakuzën e ngritur si mburojë për të sfumuar çdo përpjekje të Thaçit dhe Veselit për mënjanimin e Prokurorisë Speciale dhe të Ligjit, mbi të cilin u krijua Gjykata Speciale. Në një shkrimin tim, botuar në këtë gazetë, më 28 maj 2015, me titull “Drojë apo kurajë”, theksoja se, krijimi i kësaj Gjykate nuk mund të vlerësohet si një proces i dhimbshëm apo të shihet nga pozita të ngushta, si arritje e kundërshtarëve të Kosovës. Ajo u jep fund hamendjeve, supozimeve për krime, duke u mbyllur derën përfundimisht çdo rihapjeje të tyre. Kosova nuk mund të mbajë barrë që nuk i takojnë. Gjykata Speciale, dhe më tej i jep asaj imazhin e nevojshëm, të cilin nuk mund ta dëmtojë askush. Krijimi i saj u bë dhe në saj të dakordësisë së Hashim Thaçit dhe deputetëve të tjerë të Kuvendit, duke qenë në kuadrin e sistemit aktual kushtetues të Kosovës. Por ajo që gati nuk ka funksionuar, çuditërisht tani fillon e vihet në lëvizje. Gjatë këtyre viteve, asnjë akuzë konkrete. Heshtja e saj, thjesht për t’iu bërë krahë një Kosove të lënë në darën e akuzave, për ta hapur atë, sikurse u veprua tani, kundër drejtuesve të UÇK-së. Kurrkush nuk mund të hedhë baltë mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nga ana tjetër, asnjë fjalë, asnjë akuzë ndaj agresorit serb, edhe pse na flasin përditë mijëra shqiptarë të vrarë, të zhdukur, të dhunuar… Me këto kërkohet të fillojnë bisedimet midis dy palëve.

Pas këtyre aktakuzave, një shkundje e domosdoshme e partive politike në vend, pa zhurme e tam-tame. Çështja është që ato t’i dalin para çdo eksperimenti që kërkohet të bëhet me Kosovën dhe Serbia të mos ketë pengesa në rrugën e integrimit europian. Po kështu, një dorëheqje e Thaçit dhe Veselit do të ishte domethënëse përballë akuzave për krime. Të gjithë e kujtojmë vendimin e Ramush Haradinajt, i cili për zbatimin e ligjit ndërkombëtar la karrigen e Kryeministrit dhe shkoi vetë në Gjykatën e Hagës për t’u ballafaquar me drejtësinë.

Nga ana tjetër, qytetarët e Kosovës nuk mund të bëhen pre e atyre politikanëve të molepsur në korrupsion, të papërgjegjshëm e të pazotë. Ata që, të verbuar nga pasurimi i paligjshëm, harruan luftën e drejtë që bënë, madje, edhe gjakun e bashkëluftëtarëve, duke e matur veten me hijen e mëngjesit. Kështu, edhe krimet monstruoze të shtetit mafioz serb iu lanë spontanitetit, në vend që të ngriheshin struktura serioze për evidentimin e këtyre krimeve e për t’i bërë prezente dhe duke qenë të njëzëshëm.

Kosovës i duhen fytyra të reja, jo të pistë nga zhvatja e pasurive të saj, të paparagjykuar dhe as patriotë folklorikë, që gëzojnë respekt të gjithanshëm te qytetarët. Dhe Kosovës nuk i mungojnë ata. Ata që mund të jenë garanci reale edhe në tryezën e bisedimeve me palën serbe, përmes një platforme të qartë dhe serioze.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura