Pas ndarjes, burri kërkon mbrojtje: Ish e dashura më kërcënoi edhe gruan

Jul 5, 2015 | 12:19
SHPËRNDAJE

Një 41-vjeçar, bashkëshort dhe baba i dy fëmijëve, i ka kërkuar lëshimin e një urdhër mbrojtjeje Gjykatës së Tiranës nga një femër, më të cilën kishte pasur një raport 5-vjeçar jashtëmartesor. 

Gjykata e Tiranës

Pas përfundimit të lidhjes intime, ish-e dashura 35-vjeçare i ka sjellë shqetësime të forta atij dhe familjes. E paditura P. M. nuk ka ngurruar të shkojë në banesën e ish-të dashurit të saj, M. F. dhe të përballet me bashkëshorten e tij të ligjshme.

Për më tepër, ajo ka fyer dhe kërcënuar me jetë 41-vjeçarin, bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët e çiftit. Të gjendur nën kërcënimet e vazhdueshme të 35- vjeçares, kryefamiljari i është drejtuar Gjykatës për mbrojtje.

Pak ditë më parë, Gjykata ka pranuar kërkesën, duke lëshuar një urdhër mbrojtjeje ndaj tij, bashkëshortes dhe dy fëmijëve. Sipas këtij urdhri, e paditura P. M. nuk duhet të cenojë, ngacmojë apo komunikojë dhunshëm me pjesëtarët e familjes të ish-të dashurit të saj dhe të mos u afrohet atyre në një distancë më të afërt se 500 metra.

Sipas Gjykatës, paditësi M.F. për një periudhë 5- vjeçare ka pasur një lidhje dashurore, jashtëmartesore me të paditurën P.M. Gjatë kësaj periudhe ai ka pretenduar se e ka ndihmuar të paditurën financiarisht, duke i paguar qiranë e shtëpisë, si dhe në lidhje me një biznes të sajin. Lidhja ka përfunduar nga ana e paditësit, pasi ai nuk ka pasur më mundësi të investonte financiarisht. Paditësi është përpjekur që këtë lidhje jashtëmartesore dashurie të mos e dinte familja e tij.

Por pas ndarjes, e paditura P.M. i ka shkuar në banesë, ku është konfliktuar me bashkëshorten e tij, të cilën e ka fyer, ofenduar, bërtitur me zë të lartë dhe kërcënuar me jetë atë dhe dy fëmijët e mitur. Ajo është prezantuar si e dashura e burrit të saj dhe i ka kërkuar të takohej patjetër me paditësin.

Për shkak të shqetësimeve, bashkëshortja e 41- vjeçarit ka lajmëruar policinë, por pas këtij momenti asaj i kanë filluar telefonata nga numra të ndryshëm telefoni, me numra privatë, ku kërcënohej dhe i kërkonte burrin e saj, kërkonte t’i jepnin truallin, në të kundërt nuk do t’ju ndahej.

Referuar vendimit të urdhrit të mbrojtjes, bashkëshortja e paditësit ndihej shumë e shqetësuar dhe e dhunuar psikologjikisht, pasi e paditura kishte kërcënuar edhe fëmijët e saj me telefonata dhe në Facebook. Në një prej këtyre mesazheve u thoshte se kishte nisur njerëz për të vrarë babain e tyre dhe se më pas do të merrej me të vegjlit.

“I ka shkruar fëmijës së madh të familjes në facebook dhe i ka thënë ‘do mbaroj punë me të mëdhenjtë dhe pastaj do filloj me ju më të vegjlit'”, citohej kërcënimi në vendimin e Gjykatës.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura