Pas marrëveshjes historike energjitike Kosovë-Shqipëri, reagon Serbia: Nuk do lejojmë zbatimin e saj!

Dec 3, 2019 | 18:16
SHPËRNDAJE

Ditën e djeshme në media u raportua se mes Shqipërisë dhe Kosovës u nënshkrua marrëveshja historike e themelimit të bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri.

marreveshje

Në këtë mënyrë Kosova shkëputej nga sistemi rregullues energjitik i Sebisë dhe bashkohej me vendin tonë.

Por sikurse pritej lidhur me këtë marrëveshje ka reaguar edhe Beogradi zyrtar, i cili e cilëson këtë lëvizje si një “marrëveshje energjetike të Shqipërisë së Madhe”.

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kërcënoi se “Serbia nuk do ta lejojë zbatimin e marrëveshjes energjetike Kosovë-Shqipëri”, shkruan DW.

“Shqipëria e madhe energjetike” ekziston vetëm në ëndrrat shoviniste të disa politikanëve në Prishtinë. Serbia është pronare dhe ndërtuese e elektrorrjetit në Kosovë dhe për këtë kemi dëshmi të panumërta”, citojnë mediet në Serbi komunikatën nga zyra e Marko Gjuriqit.

“Në sajë të angazhimit të Rrjetit Energjetik të Serbisë (EMS), dhe Elektroekonomisë së Serbisë si dhe të institucioneve përkatëse gjatë viteve të shkuara është penguar dhe ndaluar anëtarësimi i operatorit të Prishtinës, i cili ilegalisht shfrytëzon një pjesë të rrjetit tonë në Kosovë në (ENTSOE), ndërsa paralajmërimi për krijimin e Shqipërisë së madhe energjetike zbulon fytyrën e vërtetë shoviniste të politikës së Prishtinës”, thuhet në komunikatë. Sipas Marko Gjuriq, “blloku energjetik që po synohet të krijohet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, është i pazbatueshëm në terren dhe ai duhet të ndalet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare para se të prodhojë pasoja për energjetikën rajonale, madje edhe për stabilitetin politik dhe vulos perspektivën e dialogut”.

Marrëveshja energjetike Kosovë-Serbi ishte pjesë e dialogut disa vjeçar ndërmjet dy vendeve, por asnjëherë nuk arriti të zbatohej.

Kjo për faktin që Serbia pretendon pronësi mbi sistemin e transmisionit energjetik të Kosovës. Sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka humbur mbi 17 milionë euro nga bllokada që Serbia i bën rrjetit të transmisionit të Kosovës.

“Janë nga 10 deri në 15 milionë euro në vit, pa përfshirë edhe transmisionin me Shqipërinë, i cili nuk është futur në funksion pikërisht për këtë arsye. Pra, në përgjithësi janë mbi 170 milionë euro, që Serbia i arkëton në emër të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”, citohet të ketë thënë ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, i cili thotë se Kosova do të kërkojë kompensimin e këtyre mjeteve gjatë negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë dialogut Kosovë-Serbi dhe nënshkrimit të marrëveshjes energjetike Kosovë-Serbi që ishte bërë në vitin 2013, ishte rënë dakord që të krijohet edhe një kompani e re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Mirëpo, kjo kompani nuk u regjistrua kurrë, sikundër që një sërë marrëveshjesh të tjera Kosovë-Serbi në kuadër të dialogut nuk u zbatuan asnjëherë. Shumica e qytetarëve serb të veriut të Kosovës, për vite të tëra nuk paguajnë energjinë elektrike dhe humbjet llogariten deri në 8 milionë euro.

Kjo shumë deri vitin e shkuar iu është faturuar banorëve të pjesëve tjera të Kosovës, deri kur një Gjykatë në Prishtinë e urdhëroi Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të Kosovës, që humbjet nga mospagesa e energjisë elektrike në veri të mos u faturohen më qytetarëve të pjesëve tjera të Kosovës.

Lexo edhe: 

“Marrëveshje historike”, Kosova shkëputet nga sistemi rregullues energjetik i Serbisë, i bashkohet Shqipërisë

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura