“Pas lirimit nga Spaçi, kërkova ta kaloja natën në qelitë e Degës së Sarandës, pasi s’na pranuan në hotel, por…”/ Dëshmia e rrallë nga SHBA-të e të arratisurit në ’85-ën

Sep 14, 2020 | 11:06
SHPËRNDAJE

 

deshmia-shba-spacDashnor Kaloçi/ Publikohen disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. 

E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al

Prolog

Lexues të dashur!

Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.

Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.

Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.

Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!

Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.

Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!

Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!

Kaso Hoxha.

Llavrio, Greqi 1985

Vijon nga numri i kaluar

Mbërritja në Sarandë pas 16 orë udhëtimi, por s’kishim ku të flinim!

Pjesa më e madhe e të burgosurve të liruar kishin të afërm në Sarandë dhe u larguan. Kështu unë dhe Stefan Pando kishim mbetur pa hotel. Na mori ca kohë të gjenim hotelin dhe kur hyra brenda, në dorë mbaja një torbë me ca palo plaçka të vjetra! Në koridor prisnin shumë njerëz, me shpresë se mos hotelxhiu u jepte vend.

U afrova tek sporteli dhe ndërsa unë s’kisha kërkuar akoma gjë, ai më tha: “Mos u lodhni kot të pyesni, vendet janë të zëna”!

Njerëzve u bëri përshtypje ardhja jonë, pasi dukeshim njerëz jo të zakonshëm, ndoshta pse ishin të veshur keq, ndoshta pse rrobat tona ishin të pa lara dhe gjithashtu pse ishim të pa rruar!

Ikëm nga Hoteli dhe morëm rrugën për të shkuar përsëri në Degën e Punëve të Brendëshme.

Në korridorin e Degës, në zyrën e oficerit të shërbimit ndodheshin shumë ushtarakë të tjerë që rrinin kushedi se për çfar në atë orë të vonë!

– “Hoteli nuk ka vend”, i’u thashë unë.

– “Shkoni në Turizëm”, na u përgjigj rënd-rëndë.

– “Turizmi është i shtrenjtë dhe nuk pranon njerëz të pa larë e me morra”, i’a ktheva unë duke i treguar gjendjen time.

– “Po mirë çfar të bëjmë ne, nuk ke ndonjë të afërm këtu në Sarandë”, kërkoi oficeri të ç’faqsohej.

– “Jo, nuk njoh asnjeri” dhe pasi u mendova pak vazhdova: “Është e mundur të më lesh një birucë, sa për t’u gdhirë këtë natë të ftohtë me shi”, e pyeta.

– “A… jo! Nuk lejohet. Ti je qytetar i lirë”, tha oficeri.

– “Po ku të gdhij këtë natë”, e pyeta.

Një oficer tjetër ndërhyri në bisedë.

– “Po ti nga gëzimi s’duhet të flesh fare sonte, je liruar pas kaq vitesh, trembesh nga një natë që do kalosh pa gjumë”?! shtoi oficeri i shërbimit.

– “Çfarë the… a e dini çdo të thotë burg, apo i ke dëgjuar vetëm emrin. Burg do të thotë, të të lodhë, të të dobësoj, të të sëmur, të të rraskapisë fizikisht e shpirtërisht”.

– “Ooo me sa shoh je trembur shumë nga burgu”, m’u përgjigj me përbuzje.

– “Jo, zotni, por po të them të dish se çfarë është burgu. Ti e sheh nga jashtë dhe se çfar është brenda, ti nuk e din fare”, i’a ktheva aty për aty i nervozuar nga talljet e tij.

– “Ja … hip në këtë makinën e mbuluar, gdhihu si të gdhihesh sonte”, tha oficeri që kërkonte t’i jepte një zgjidhej problemit tim.

– “Si the,… ti kërkon të më vdesësh sot që fitova lirinë pas 10 vjetëve. Unë jam i lodhur nga rruga, kam 16 orë që udhëtoj në shi, jam i lagur, jam i sëmurë”, i’u përgjigja këtij njeriu pa shpirt, i cili kishte aq autoritet që të më gjente strehë.

– “Atëherë po qe se je sëmurë, shko në spital”, ma ktheu oficeri për t’u ç’fajsuar.

Mysafir në Spitalin e Sarandës, ku më pritën si jo më mirë!

Mua më kishin zënë të drithamt e kisha ethe, pasi sëmundja ime kronike e mushkrive, acarohej kur më hynte të ftohti.

– “Ku është spitali”, e pyeta, pasi më pëlqeu ajo këshillë, duke m’u shtuar një shpresë, se mos më shtronin për të ç’plodhur pak e ngrohur mishrat e thara.

– “Shko drejt në këtë rrugë, nuk është larg”, tha ai.

Ishte mesi i natës dhe në rrugë nuk kishte lëvizje. Pas 10 minutave arrita tek porta e spitalit ku nxhami i derës, hodha një vështrim brenda në godinës. Asnjë lëvizje, të gjithë flinin dhe aty ishte një qetësi absolute. Trokita në derë me pak ndrojtje, por asnjë s’u duk aty! Prita pak dhe trokita pak më fort që të dëgjonte dikush, por përsëri heshtje. Trokita përsëri dhe këtë herë një vajzë e re, e veshur me uniformën e infermieres, u afrua tek porta.

Vuri re se kush ishte pas portës, pasi errësira e natës e bënte të vështirë për infermieren të dallonte se kush ishte! Unë u afrova më pranë xhamit që të më shikonte. Ajo u drodh e tëra kur pa fytyrën time, të pa rruar dhe me vrap e trembur u zhduk në koridorin e spitalit! Unë i humba shpresat duke menduar se edhe kjo derë nuk u hap për mua! Ndërkohë kur u ktheva kurrizin për t’u larguar, dera u hap dhe një zë burri pyeti:

-“Kush je ti”?

Unë u ktheva mbrapsht, duke u afruar tek dera.

-“Më fal që ju prish qetësinë në këtë orë të vonë”, i thashë burrit të veshur me uniform të bardhë.

Ai, i çuditur nga ky mysafir që nga paraqitja e tij jo e zakonshme, i lagur qull, me rroba të grisura, i bërë kurioz, më pyeti përsëri.

– “Çfarë do këtu, nga je”?!

– “Jam i sëmurë zotëri, vij nga Burgu i Spaçit”, i’u përgjigja për ta siguruar se nuk kisha qëllim të keq. Ai më ftoi të hyja brenda dhe unë e ndoqa pas në korridorin e gjatë. Ai më çoi në zyrën e tij, pasi siç dukej, ishte mjeku i shërbimit të natës. Ai më ofroi një karrike të ulesha dhe unë e vura torbën që kisha në dorë në qoshe të zyrës e u ula në karrike.

– “Je i lagur”, më pyeti doktori, një burrë i gjatë, jo shumë i shëndoshë, moshë mesatare.

– “Po… bëra 16 orë udhëtim me një makinë të zbuluar, edhe gjuha më është lagur”, i’u përgjigja.

– “Por, më e keqja është se jam i sëmurë me ethe”, vazhdova unë. Doktori e pa se në ç’gjëndje të mjeruar ndodhesha. Ndërkohë, dy infermiere u afruan tek zyra e doktorit. Ai u tha se pacienti i porsaardhur, vjen nga Burgu i Spaçit dhe i urdhëroi infermieret të më shikonin temperaturën. Infermieria ngriti teshat e mia të qullura dhe vuri termometrin ndën sqetull. Pas një minuti e nxorri dhe lexoi 39 e gjysëm!

Smajli, mjeku human që më kuroi si të më kishte vëlla!

Doktori i habitur tha: “Me të vërtetë je i sëmurë, kur të filluan ethet”, pyeti ai për të mësuar diçka nga historia e shëndetit tim. Infermierët më vinin re me kureshtje dhe në shprehjen e fytyrës tyre, tregonin keqardhje.

-“Doktor, vuaj nga një bronkit kronik, prognozat nuk janë të mira dhe me sa kuptoj, mund të kemi të bëjmë me një bronkoektazi të mundëshme. Sa herë që ftohem, gjëndja keqësohet. Jam mjekuar disa herë në spital, por siduket “krymbi” ka hyrë brenda dhe shpejt ose vonë, do t’i hajë kokën viktimës së tij”, përfundova unë.

-“Jo, je i ri, mos u bëj pesimist”, më ngushëlloi doktori. Ai i urdhëroi infermieret të më sillnin pak supë të ngrohtë, ndërkohë që më dëgjonte me stetoskop mushkritë e infektuara. Ai më bëri një injeksion morfin që të më qetësonte dhe më dha një dozë me antibiotik të shoqëruar me disa vitamina.

Më çuan në një dhomë të vetme, për t’u siguruar se unë nuk kisha ndonjë sëmundje infektuese. Më dhanë tesha spitali dhe bëra banjë me ujë të ngrohtë. E ndjeva veten më mire dhe u shtriva në krevatin e ngrohtë. Megjthëse me ethe, më zuri gjumi i rëndë.

Nuk e di se sa ishte ora kur pashë një infermiere që ishte tek koka e krevatit tim. Ajo më zgjoi dhe për t’u ç’fajsuar, më tha me zë të ulët: “Më fal që të zgjova”!

– “S’ka gjë”, i’u përgjigja. Ajo mbante një pjatë në dorë dhe duke u lutur më pyeti: “Ke oreks, të solla nga shtëpia pak peshk të pjekur në furrë”, tha infermieria që më habiti me bujarinë e saj. Ndërkohë lajmi brenda në spital ishte hapur si rrufe: një i burgosur ka ardhur nga Spaçi!

Infermierja, motra e bashkëvuajtësit tim, Spiro Nasho

Infermieria e ndrojtur më pyeti përsëri: “Mos e ke njohur Spiro Nashon,…jam motra e tij”, tha infermieria përmes ngashërimave.

“Po motër, e kam njohur, shoku im Spiro Nasho dhe Dhimitër Nini që të dy nga Saranda, por fatkeqësisht besoj e dini. Spirua u dënua përsëri me Revoltën e Majit 1973”, i thashë duke e siguruar se e njihja vëllanë e saj. Ajo u largua që mos të binte në sy që bisedonte me një “armik të popullit”, pasi lufta e klasave vazhdonte.

Më bënë disa analiza gjaku dhe radiografi, për të qënë të sigurt se unë nuk kisha ndonjë sëmundje ngjitëse. Gjithë personeli i spitalit më vizituan më tepër nga kurioziteti. Doktor Smajli më vuri në kurim me antibiotikë, vitamina, dhe ushqim të mirë për të normalizuar gjëndjen time shëndetsore. Ju luta infermieres që më shërbente, nëse ishte e mundur të njoftonin familjen time në fshat, që unë isha i shtruar në spital. Ajo më premtoi se do të merrnin në telefon Markatin. Unë e dija që familja ime, nëna, motrat, mbesat, nipërit, vajzat e mia, më prisnin dhe ishin bërë merak. Nuk vonoi shumë infermierja u kthye në dhomën ku isha unë i shtruar dhe ajo më njoftoi se motra ime e mesme, Vitua, ishte në telefon dhe kishte dëshirë të fliste me mua. Ajo më pyeti nëse ishte e mundur, që të ngrihesha dhe të shkoja poshtë në zyrën qëndrore të spitalit.

U gëzova shumë, me vrap zbrita shkallët, dhe hyra në zyrë. Doktor Smajli, dhe ca infermiere ishin brenda.

-“Motra tënde Vitua është në telefon”, më thotë doktori dhe më zgjati telefonin.

-“Alo, kush je”, e pyeta personin në anën tjetër të telefonit.

“Jam Vitua, t’u bëfsha kurban, do vij bashkë me Belen”, tha ajo duke më përmëndur emrin e djalit të saj, i cili kur u arrestova unë, ishte 12 vjeç. Ai më donte shumë, por unë akoma më shumë dhe ai vinte çdo mbrëmje të flinte me gjyshen. Tani ai ishte bërë burrë, dhe kryente ushtrinë në Lëkurës të Sarandës.

Vizita e motrave të mia në Spitalin e Sarandës

Nuk kisha se çfarë t’i thosha në telefon. I thashë që jam gjallë dhe për më tepër do bisedonim nesër. E mbylla telefonin i qetë sepse të gjithë e dinin se isha në spitalin e Sarandës. I gjithë personeli i spitalit tregonte një kujdes për mua, sikur të isha një person me rëndësi dhe jo një “armik i popullit”.

Të nesërmen erdhi motra Vito. Unë se kisha parë atë për 10 vjet, pas saj qëndronte një djalë i veshur me uniformën e ushtarit. Ajo mu hodh në qafë dhe më puthte e qante. Qaja dhe unë. Nuk e di sesa kohë ngelëm të përqafuar! Isha i prekur shpirtërisht dhe s’mbaj mënd nëse u takova me ushtarin, Belen, që ishte nipi im i dashur.

U ndava me motrën time, duke e siguruar që nga fundi i javës do vija në shtëpi. Ditën tjetër erdhi të më shihte Idriz Hoxha, kushëriri im i dytë. Unë rrija në ballkonin e katit të katërt, për të marrë ajër të pastër, kur shikoj poshtë në oborrin e spitalit një burrë të thyer në moshë, me një çantë me portokalle, që thërriste: “O Kaçi, o Kaçi….”!

Pothuajse e kisha harruar këtë emër dhe përnjiherë mu kujtua që kështu më thërriste vetëm ai.

-“Ku je mor Çeço”, i’u përgjigja. E njoha nga zëri pasi ai kishte një familje të madhe: 5 vajza dhe dy djem. Vuajti shumë për t’i rritur, dhe tani më i vogli ishte 14 vjeç. Idrizi erdhi lart në dhomën time dhe u perqafuam me mall. E pyeta për të gjithë pjestarët e familjes. Idrizi ishte plakur para kohe, pasi nuk i thonë shaka të rrisësh 7 fëmijë!

Ai nuk kishte dijeni që unë e dija, që të gjithë fshatarët me biografi të keqe, nën presionin e organeve të Sigurimit të Shtetit, ishin vënë në shërbim të tyre! Madje dhe familjarët e …! Këto ishin taktikat e njohura të regjimit komunist, duke e hedhur njerin kundër tjetrit. Këta të mjerë nuk e dinin që nëna ime informonte se çfarë thoshte I…, me V…, dhe ata të dy informonin çfarë thoshte H…, me M…, e kështu i gjithë fshati! Këtë ma treguan oficerët e diktatorit pasi u futën në burg, pas rënies së Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, etj.

Më në fund pas një jave, doktor Smajli më tha se mund të shkoja në shtëpi dhe ta vazhdoja kurën atje. Ndjehesha pak më mirë fizikisht, mblodha plaçkat e mia, dhe falenderova infermieret për të gjithë kujdesin e treguar ndaj meje. Shkova në Degën e Punëve të Brëndshme, ku kërkova një dokument për të udhëtuar në jug. Atje është zonë kufitare dhe policia i ndalonte të gjithë kamionët tek ura e Bistricës dhe ura e Bogazit.

Oficeri që ishte me shërbim më tha që duhej të nxirrja pashaportë. Ai më dha udhëzim se ku duhet të shkoja, në një zyrë ku duhet të bëja një kërkesë dhe dy fotografi. Nënpunësi i asaj zyre më tha se: “Pas dy javësh, do ta dërgojmë pashaportën në fshat” dhe më dha një leje – kalimi për dy javë.

Pasi mbarova këto punë, shkova tek Agjensia e Transportit për të blerë një biletë për deri në Bogaz, me postën e Konispolit. Fatmirësisht kishte vënde dhe e bleva biletën e u ula në stol për të pushuar. Kur shoh që Drita, vajza e Dashos, kushëririt tim u duk tek dera e agjensisë së bashku me vëllain e Mejdos, Metin.

I njoha të dy, megjithëse nuk i kisha parë për 10 vjet. Ata më njohën, erdhën pranë dhe më panë me vërejtje, duke më thënë: “Ne shkuam në spital”!

-“Dola sot në mëngjes”, u thashë, duke u shtrënguar duart. Ata ishin fëmijë kur unë ika nga fshati, tashmë Meti kishte mbaruar ushtrinë, ndërsa Drita ishte martuar dhe kishte një fëmijë. Burri i saj, ishte vëllai i Mejdos. Melja ishte njeri i dashur unë e respektoja dhe kisha simpati për këtë njeri të urtë. Mora vesh që krushqinë e kishte bërë nëna ime. Drita, ishte gëzuar pa masë. Zbritëm në vil të Shalsit në orën 4 të mbrëmjes dhe për më tepër se një orë, ecëm në plakotinë e Markatit.

Në Markat pranë familjes, ku nëna më priti duke hedhur valle

Meti me Dritën më ndihmuan dhe unë nuk ndjeja veten të braktisur, kur e shihja se kisha në krah dy nga njerëzit e mi. Njerëzit që më takonin në rrugë, bënin sikur s’më njihnin! Ndoshta sepse kishin dhe frikë se mos i shihte kush që takonin “armikun e popullit”!

Kur arrita tek Pusi i Qafës, vajzat prisnin. Vajzat e motrave të mia, Flutura, kishte qënë 2 vjeç dhe tani ishte bërë grua. Entela që s’kishte lindur kur ika nga fshati, tashti ishte 10 vjeç. Lida, ishte e bërë 14 vjeçe. Mirela ishte 10 vjeç, ndërsa Luljeta 13 vjeç. Gjithashtu dhe Nezimja ishte bërë 6 muajshe. Të gjitha këto vajza, sa s’fluturonin nga gëzimi që shikonin babanë dhe dajën e tyre. M’u hodhën të gjitha në qafë dhe unë s’dija kë puthja më pare!

Kur arrita tek kasollja ime e varfër, më prisnin motrat, Dilo, Vito, dhe Bardha. Kur u hap porta, pashë nënën që hidhte valle nga gëzimi. Më përqafuan dhe më puthën të gjithë me rradhë. Më pyesnin sesi ndihesha me shëndet. Unë nga emocionet, që pas 10 vitesh zoti e bëri të mundur që t’i shihja prapë, sikur më shtrëngonte diçka në gjoks dhe mezi nxora fjalët: “Falë Zotit jam gjallë”!

Më ulën pranë vatrës në oxhakun me gur të thyer të asaj shtëpie të varfër, të ndërtuar mbi varreza! Gruaja ime Mejdo, më solli një tas me sup të ngrohtë. Më bëhej ta haja shpejt, se do vinin njerëz, por nuk kisha oreks dhe hëngra disa lugë me zor. Mbesat e mija të vogla, Entela, Mirela dhe Flutura, ishin ulur pranë meje dhe grindeshin se kush e kush të më ulej më parë në prehër.

Në darkë shtëpia u mbush me të afërm, për të më uruar mirseardhjen, por asnjë nga fshatarët nuk u afrua, veç dy burrave të ndershëm, të cilve u mbetem mirnjohës për jetë të jetëve. Këta ishin: Rexhep Zane dhe Duro Emini. Ardhja e tyre më bëri të mendoj se: ka akoma njerëz në fshat që më duan! Paria në fshat, me në krye Petrit Agakon Astrit Myrtajn dhe disa zagar komunist të tjerë, zhvillonin një luftë klasash të ashper!

Në të hyrë të fshatit, tek qafa kishin vënë një parrullë të madhe, të shkruar me bojë të kuqe: “ARMIKU MË I RREZIKSHËM ËSHTË AI QE HARROHET”.

Njerëzit që ishin ngarkuar nga Dega e Brendëshme, të më survejonin

Petrit A…, bashkë me vëllain e tij, Nazif A…, bënin ligjin në fshat. Ndoshta Petriti nuk ishte në organizatën e parisë komuniste akoma, por i shërbente regjimit të Diktatorit me fanatizëm, me të gjithë larot e tjerë. Ardhja ime i kishte shqetësuar dhe ata tashmë duhej të më ruanin, të më vëzhgonin se me cilin flisja dhe ku shkoja! Këtë porosi ua kishte dhënë Dega e Punëve të Brendshme.

Kur dilja në qëndër të fshatit, brezi i ri më rrethonin, pasi ishin kurioz të mësonin diçka nga e kaluara ime nëpër burgje. Ky brez i ri me ata djem, u bënë shokët e mi dhe dua të përmend disa prej tyre, nga më të mirët, si: Simon Haxhiu, djal i Sado Haxhiut, vëllai i Simonit. Agroni ishte kanditat për antar partie, por jo Simoni, ky kishte të tjera bindje për bindje jetën, nuk trembej të më rrinte pranë dhe të dëgjonte bisedat e mia!

Jasim Emini, djali i Duro Eminit, simpatizues që s’më ndahej asnjë çast. Fatri Rexho, djal i Lesko Rexhos, komunist i flliqur, por jo djali i tij, Fatriu, që më respektonte. Kujtim Çiço, djali Navrronit, e shumë djem të rinj që më simpatizonin. Çdo mbrëmje më vinin në shtëpi, Kaso Bejkua, vëllai i Mejdos dhe Ali Kola, djal i Dojko Osmanit. /Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura