Pas lejes së Kuvendit për t’i arrestuar, Tom Doshi i lëshon mesazhin e fundit Ramës. Frroku: Sulm politik në prag të zgjedhjeve

Mar 27, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas vendimit të Kuvendit që i dha leje prokurorisë të arrestojë Tom Doshin dhe Mark Frrokun, dy deputetët kanë nisur konsultimet me avokatët e tyre për të organizuar mbrojtjen në gjykatë.

Deputetet Tom Doshi dhe Mark Frroku, foto ilustruese

Burime i thanë “Panorama Online” se Doshi pas seancës plenare është takuar me avokatin e tij mbrojtës Vladimir Meçi, kurse Mark Frroku me avokatin Genc Gjokutaj, për të përgatitur mbrojtjen për në Gjykatën e Lartë. 

Pak pas seancën plenare, në një prononcim për mediat Doshi tha se nuk i trembet arrestimit.

“E morën vesh se ngjarja nuk është sajesë por e vërtetë, e patë vetë dhe Prokuroria as kishte nisë hetime, asnjë akuzë, që u ballafaqua dje me mu, ata nuk arritën për me më eleminu fizikisht se në fisin timë në kohë të Enverit janë pushkatu 5. Ky është një kontribut që e bana për shqiptarët ta marrin vesh deri ku ka shku krimi, deri sa një përfaqësues i policisë shkon e kërcënon dëshmitarin me i mbyt fëmijët imagjinoni se ku ka shku ky vend, demokraci s’ka më në Shqipni, kur nuk zbatohet ligji për deputetët imagjinoni për qytetarët e thjeshtë. Eshtë një mesazh që çdo qytetar, nëse denoncon një përfaqësues institucionesh kudo të jetë përfundimin e ka në burg”.

Keni një mesazh për Ramën?

Mesazhi është që ai sot ndodhet në një pozitë jo të mirë, sepse sidoqoftë unë kam punu dhjetë vjet me të, por e rëndësishme për të është karrigia qe ka sot, sesa një deputet në burg.

Çfarë prisni tani?

Çdo gjë e pres, por e rëndësishme është se gjithë provat që kërkova të bëhen prezent edhe para Këshillit edhe në gjykate, prokuroria është e detyrat ti bjerë, atëherë do të shohin nëse kam bërë kallëzim të rremë, apo kërcënim.

Ju i keni këto prova?

Nuk kam pse ti kem, i ka prokuroria, është provë e patjetërsueshme, seancë gjyqi. Nuk mund ta tjetërsojë prokuroria gjithçka është në dosje.

Çfarë kërkoni, çdo ndodhë më ju?

Çdo ndodhe me mu, do ballafaqohena në gjykatë me Prokurorinë. 

Frroku: Vendimi i Kuvendit i verber

Pas vendimit te Kuvendit ka reaguar me nje status ne faqen e tij ne Facebook edhe Mark Frroku, i cili e quan votimin te verber. 

Statusi i Frrokut

Sot, Kuvendi i Shqipërisë, mori një vendim të verbër për të pranuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për të më hetuar me disa akuza të cilat i kam kontestuar tërësisht që në fillim.

Unë e kam deklaruar që kur kam marrë mandatin e deputetit se përballë ligjit, jam një qytetar pa imunitet, por nuk mund të mos denoncoj forcërisht dhe publikisht standardin që ka ndjekur Prokurori i Përgjithshëm për të më hetuar mua, si dhe të shpreh mosdakordësinë time me kolegët deputetë që e kanë miratuar këtë kërkesë pa marrë asnjë provë të qenësishme.

Ky është një standard i rrezikshëm për këtë Parlament, i cili sot është i shantazhuar nga organi i akuzës në shprehjen e vullnetit që i ka deleguar populli. Kjo është një shenjë e rrezikshme për të ardhmen e institucioneve dhe politikës shqiptare.

Dua t’iu garantoj se unë do ta fitoj betejën ligjore shumë shpejt, pasi askush nuk më ndalon për të realizuar projektet e mia, të mbështetësve të mi dhe të gjithë kristian-demokratëve shqiptarë.

Ky sulm politik vjen pikërisht në prag të zgjedhjeve vendore, por unë dua ti ftoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PKD-së që të jenë më të motivuar se asnjëherë tjetër për të shënuar fitoren e madhe më 21 qershor 2015. I juaji, Mark Frroku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura