Pas kërcënimit nga Shullazi, Rama- rektorëve: Respekt që s’u tërhoqët

Apr 28, 2016 | 8:16
SHPËRNDAJE

Një javë pas zgjedhjeve universitare, Kryeministri Edi Rama priti në një takim rektorët dhe dekanët e rinj për t’u dhënë porositë për 4-vjeçarin e ardhshëm, por edhe mbështetje përpara se të marrin mandatin.

Kryeministri Rama dje gjatë takimit me drejtuesit e rinj të universiteteve
Kryeministri Rama dje gjatë takimit me drejtuesit e rinj të universiteteve

Rama insistoi se qeveria është distancuar nga zgjedhjet në universitete, ndërsa siguroi “të zgjedhurit” për bashkëpunim, pavarësisht bindjeve politike që ata kanë. “Këtu ka rektorë, dekanë, shefa që nuk kanë votuar dhe nuk kanë për të votuar asnjëherë për mua, ashtu sikundër ka edhe të tjerë që kanë votuar e do të votojnë prapë për mua. Por të jeni të sigurt që ky nuk është kriteri mbi të cilin vendoset cilësia e bashkëpunimit tonë”.

Përpos mbështetjes, Rama u shprehu një kërkesë krerëve të rinj në universitete: jetësimin e reformës në arsimin e lartë. “Kemi bërë një punë që unë mendoj se është historike për arsimin e lartë, tani sfida është ta jetësojmë. Konsiderojeni qeverinë, Ministrinë e Arsimit, zyrën e kryeministrit një partner të ngushtë, strategjik, në një rrugë ku vendimmarrja është e juaja, por nga bashkëpunimi i frytshëm midis nesh varet niveli dhe cilësia në të cilën ju do ta ngrini departamentin, fakultetin apo rektoratin që drejtoni”.

PËR KONIN E KULEN

Me përjashtim të incidentit famëkeq vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, e gjithë fushata sipas Ramës ka qenë pozitive. Ai përgëzoi rektorin e ri të UT-së, Mynyr Koni, dhe dekanin e Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, të cilët nuk ranë pre e presioneve kriminale.

“Më lejoni t’i shpreh respekt qoftë rektorit të sapozgjedhur, qoftë dekanit. Të dyve që nuk u tërhoqën përballë një presioni kriminal tërësisht të papranueshëm, jo për botën universitare, por për jetën shoqërore në tërësi, e dhanë një mesazh shumë kuptimplotë me vendosmërinë e tyre për të vazhduar qetësisht një garë”.

Po ashtu, kryeministri vlerësoi edhe Ministrinë e Arsimit, pasi mori përsipër përgjegjësinë që i takonte. “Ministria e Arsimit, besoj ka bërë më së miri detyrën e saj në angazhimin me përfaqësuesit e vet në të gjitha hallkat e procesit zgjedhor. Për hir të së vërtetës, bashkëpunimi me organet zgjedhore të institucioneve të arsimit të lartë ka qenë shumë pozitiv dhe ka garantuar një proces të rregullt ligjor zgjedhor”, vuri në dukje Rama.

Sipas tij, por edhe procesverbaleve të ruajtura në KIZ, kontestimet për deformim të vullnetit të zgjedhësve apo për ndërhyrje të çfarëdollojshme në proces kanë qenë minimale.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura