Pas Indisë, ky është vendi i dytë në botë që miraton ligjin e lejes me pagesë për punonjëset që pësojnë abort

Mar 30, 2021 | 23:10
SHPËRNDAJE

Zelanda e Re është bërë vendi i dytë pas Indisë që ka mundësuar lejen për gratë që pësojnë një abort spontan ose humbasin një fëmijë gjatë lindjes.

zelanda e re abort (2)

Më 24 mars, parlamenti i vendit miratoi legjislacionin duke u dhënë grave dhe partnerëve të tyre të drejtën për leje me pagesë në rast të një aborti spontan, raporton “BBC”.

Tani, punonjësit mund të përfitojnë nga leja 3-ditore nëse një shtatzëni përfundon me abort. Këto pushime do të jenë të ndryshme nga pushimet e zakonshme për punonjësit.

Pikëllimi që vjen me abortin nuk është një sëmundje, është një humbje dhe kjo humbje kërkon kohë. Kohë për t’u rikuperuar fizikisht dhe kohë për t’u rikuperuar mendërisht. Kohë për t’u rikuperuar me partnerin, sepse shpesh nëna nuk është vetëm në pikëllimin e saj.

Pikëllimi i një partneri është pikëllimi i përbashkët, dhe unë jam e kënaqur që dispozitat në këtë projekt-ligj shtrihen si për nënat, ashtu edhe për partnerët.

zelanda e re abort (1)

Çiftet kanë nevojë për kohë për të punuar së bashku me pikëllimin e tyre pa presionin e humbjes së të ardhurave ose duke përdorur pushimin mjekësor“,- tha deputetja e Partisë së Punës, Ginny Andersen në parlament.

Dispozitat e pushimit janë të vlefshme për nënat, partnerët e tyre, si dhe prindërit që planifikojnë të kenë një fëmijë përmes birësimit. Deputetja e Partisë së Punës, Ginny Andersen, e cila nisi projekt-ligjin, tha se 1 në 4 gra në Zelandën e Re pëson një abort spontan.

Zelanda e Re shihet si pioniere për sa i përket të drejtave të grave dhe çështjeve përkatëse. Në fakt, Zelanda e Re ishte vendi i parë në botë që u dha të drejtën e votës grave.

Qeveria aktuale e Punës drejtohet nga Kryeministrja Jacinda Ardern, e perceptuar si një udhëheqëse globale për gratë. Vitin e kaluar, Zelanda e Re miratoi një ligj historik që dekriminalizoi abortin. India është i vetmi vend tjetër në botë që ofron dispozita të ngjashme për gratë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura