Pas “furtunës” tek Krimet e Rënda, Donika Prela shfaqet përkrah prokurorit “rebel”

Sep 23, 2018 | 17:04
SHPËRNDAJE

Pas ditësh tensione në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, mes drejtueses së saj dhe 10 prokurorëve që refuzuan shortin “Shullazi’, Donika Prela ka vendosur të heshtë sërish. Ajo u shfaq ditën e djeshme në konferencën për mediat përkrah prokurorit të Krimeve të Rënda, Blerim Tominaj. Kjo është dalja e parë në publik e Prelës pas përplasjeve për shortin “Shullazi”.

Kujtojmë se Blerim Tominaj është një nga 10 prokurorët që refuzoi shortin për dosjen “Shullazi” dhe ndaj tij ka nisur hetim disiplinor nga Prokuroria e Përgjithshme. Në konferencën për mediat për operacionin “Oaz” ku u arrestua Safet Bajri së bashku me 10 persona të tjerë, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda refuzoi që të flasë për përplasjet në organin e akuzës.

Prela dhe Tominaj

Megjithatë, ajo u shfaq e qetë përkrah prokurorit Tominaj, që ka kryesuar hetimet për Safet Bajrin dhe grupin e tij. Donika Prela mblodhi prokurorët më datën 19 shtator dhe u komunikoi se do ta hidhte në short dosjen “Shullazi” për të caktuar prokurorë të rinj. Kjo gjë u kundërshtua nga të paktën 10 prokurorë, të cilët e cilësuan të jashtëligjshme hedhjen në short të dosjes, në kushtet kur ajo ka tre prokurorë. Sipas tyre, dosjet hidhen në short në fazën e hetimit dhe kur nuk kanë në të asnjë prokuror.

Mirëpo, Prela ka insistuar se do ta hidhte në short, edhe pse prokurorët Imeraj, Nakuçi dhe i fundit Hajdarmataj vijonin të qëndronin në dosje. Kjo bëri që të kishte debate të ashpra që sollën braktisjen e shortit. Më pas, Prokurorja e Përgjithshme urdhëron hetim disiplinor për 10 prokurorët rebelë dhe firmos urdhrat e transferimeve për Olsian Çelën, Sonila Muhametajn dhe Besim Hajdarmatajn. Këto lëvizje sollën edhe përplasje me akuza e kundërakuza mes Markut dhe prokurorëve.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura