“Pas fjalimit të Rigerta Lokut askush s’erdhi. Jemi pa ujë, shkollë e qendër shëndetësore”

Oct 5, 2017 | 16:01
SHPËRNDAJE

“Rigerta Loku nuk e tha gjithë të vërtetën e realitetit të fshatit tonë në fjalimin që mbajti në Parlament. Ne jetojmë akoma dhe më keq”.

Kështu shprehen bashkëfshatarët e saj në Rrushkull të Prosekut, zonë ku ndodhet edhe ferma e dhive. Rruga prej 3 kilometrash që lidh fshatin Rrushkull me aksin nacional të Rrëshenit, është amortizuar, aq sa në disa vende makinat mezi kalojnë. Kjo ua ka vështirë- suar së tepërmi banorëve lëvizjen dhe lidhjen me qytetin, ku ata marrin të shumtat e furnizimeve të dimrit.

Rigerta-Loku

Banorët thonë se në fshat mungon uji i pijshëm dhe vaditës. Ata furnizohen nëpërmjet puseve, por kjo nuk është e mjaftueshme e për rrjedhojë prodhimet bujqësore janë minimale.

E vetmja mundësi mbijetese për mjaft familje janë këto fryte të pakta të të mbjellave, si dhe blegtoria. Mjaft familje trajtohen me ndihmë ekonomike, ndërsa shpresa e vetme te ta janë të ardhurat që u vijnë nga emigracioni.

As shkolla dhe qendra shëndetësore nuk funksionojnë prej vitesh. Banorët që kanë mbetur aty tregojnë se jetesa për ta është bërë mjaft e vështirë dhe se ata janë gati të braktisin fshatin.

“E vetmja gjë që kërkojmë janë dritat, rrugë, ujë, punë. Nuk po realizohet asnjëra. Rruga është copë-copë. Uji vaditës nuk ekziston që në kohë të Enverit”, thotë një banor. Çdo mëngjes, fëmijëve të këtij fshati u duhet të ecin 3 km për të mbërritur në shkollën më të afërt që ndodhet në fshatin Perlat Qendër, pasi shkolla në fshatin e tyre është e shkatërruar. “E kemi larg të shkojmë. Na duhet të ecim 40 minuta në këmbë. Nuk ka as mjet transporti. Ne lodhemi shumë duke udhëtuar në këmbë për të ndjekur shkollën. Në dimër mbërrijmë në shkollë të lagur nga shiu dhe ndodh që të sëmuremi me ditë të tëra”, thonë fëmijët.

Banorët kanë dëgjuar fjalimin e Rigertës në Parlament e duket se gjithçka është thënë aty u ka zgjuar një shpresë se qeveria do t’i kthejë sytë për të investuar në këtë zonë.

“S’po të kërkoj bukë, por të paktën ujin ma sill të vadis, se janë tharë të gjitha… Do të ikim, s’kemi çfarë të bëjmë. Kam punuar dikur me autokombajna këtu. Sot nuk mblidhet as 1 për qind e asaj që prodhohej në kohën e Enverit. Kemi shpresë se pas fjalimit të Rigertes në Parlament diçka do të ndryshoje”, thotë Ndue Gega, banor i Perlatit.

Edhe banorë të tjerë pohojnë se pas fjalës së Rigertës, kanë mbetur me sytë nga rruga, por askush nuk ka shkuar të bisedojë me ta. E vetmja shpresë është që shteti t’i kthejë sytë nga ata, në mënyrë që fshati të mos braktiset.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura