Pas dy procedimesh nuk kishte “vënë mend”/ Prangoset pronari që organizoi fejesë në lokal, DJ-it iu sekuestruan….

Nov 26, 2020 | 9:20
SHPËRNDAJE

Pronari i një lokali në Krujë, shtetasi me inicialet XH.B. i cili ishte proceduar 2 herë penalisht më parë, u prangos nga Policia pasi kishte organizuar një fejesë në kundërshtim me Aktin Normativ anti-covid.

fes

Ndërkaq është proceduar penalisht edhe një tjetër shtetas, N.H., 20 vjeç, që punonte si DJ në lokal, ndërsa iu sekuestruan instrumentet muzikore.

Njoftimi i plotë

Vijojnë kontrollet nga strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Arrestohet në flagrancë pronari i një lokali, i cili pasi ishte proceduar penalisht 2 herë dhe ishte ndëshkuar disa herë me masë administrative, u konstatua sërish duke organizuar festa familjare në kundërshtim me Aktin Normativ.

Procedohet penalisht 1 shtetas tjetër.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, kanë konstatuar në territorin e DVP Durrës, konkretisht në Fushë Krujë, subjektin në pronësi të shtetasit Xh. B., i cili kishte organizuar një festë familjare (fejesë), në kundërshtim me Aktin Normativ.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. B., 46 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”.

Ky shtetas, në periudha të ndryshme kohore, është ndëshkuar disa herë me masa administrative, si dhe është proceduar 2 herë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke organizuar ceremoni martesore ose festa familjare në kundërshtim me Aktin Normativ.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi N. H., 20 vjeç (DJ), si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale instrumentet muzikore.

Policia e Durrësit apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura