Pas dy marsit vjen tre marsi

Feb 26, 2020 | 10:40
SHPËRNDAJE

HAMDI JUPE hamdi jupe

Më dy mars, të hënën, në Tiranë do të bjerë shi. Kështu thonë shërbimet meteorologjike. Kush nuk e beson këtë, le t’u drejtohet atyre. Shirat, në fakt, pritet të fillojnë qysh në datën një mars pasdite, por sidomos më dy mars do të jenë me shumicë.

Fermerët do të jenë të lumtur nga kjo gjë. Ata kanë kohë që vuajnë për shi. E do toka ujin, para se të fillojnë plugimet e pranverës. Kështu që, ata do të gëzohen shumë atë ditë. Do të marrë hov të ri sallata jeshile, preshi, brokoli etj. Por jo vetëm ata. Edhe punonjësit e KESH-it do të kenë arsye të gëzojnë. Kanë vuajtur për ujë basenet e ujëmbledhësve këtë dimër. Kështu që, shiu është flori edhe për ta.

Nuk dihet nëse ka dorë qeveria në këtë stuhi shiu që do të përshkojë vendin dhe është pak e mundur të besohet një gjë e tillë. Se nuk e ka kompetencë këtë, pra rënien e shiut qeveria. Po ta kishte, do ta bënte. Kështu që shiu do të bjerë, pavarësisht nga qëndrimi që kanë ndaj tij qeveria dhe opozita. Shiu është një e mirë e madhe nga e cila përfitojnë të gjithë, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive partiake.

Ka vetëm një problem të vogël nga rënia e shiut në datën 2 mars: Presidenti i Republikës ka thirrur një protestë të madhe në bulevardin kryesor të Tiranës në mbrëmje, me temë: “Të shpëtojmë Shqipërinë nga qeveria e saj. Të bëjmë një Besëlidhje të re kundër qeverisë”. Është një “thirrje presidenciale”, që u drejtohet çdo ditë shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Besëlidhja e parë, edhe ajo më 2 mars të vitit 1444, u bë në Lesh (kështu quhej Lezha atëherë). Ishte besëlidhja e princave shqiptarë nën udhëheqjen e të madhit Skënderbe, në luftë kundër pushtuesve turq. Tani është besëlidhja e Presidentit të Republikës kundër qeverisë legjitime të Edi Ramës. Si shpjegohet kjo përputhshmëri në data? Rastësi, natyrisht.

Edhe më 8 dhjetor të vitit të kaluar, ditën e protestës së studentëve, Presidenti kishte thirrur një protestë të madhe qytetare, por ajo u anulua për shkak të tërmetit të 26 nëntorit. Nuk i binte më njeriut mendja për mitingje në atë kohë. Tani që po përgatitet protesta e re, po na sillet vërdallë gripi kinez. A mos do të ndodhë e njëjta gjë edhe me këtë datë të re të protestës? Edhe pyetja tjetër: pse pikërisht kur planifikon protesta Presidenti, ndodhin fatkeqësitë natyrore?

Është e para herë në Shqipëri që Presidenti i Republikës organizon protestë kundër maxhorancës parlamentnare që e ka zgjedhur vetë atë, Presidentin. Ka të dhëna (jo plotësisht të konfirmuara zyrtarisht) se kjo është një shpikje alla shqiptare, pra diçka që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës demokratike. Por s’ka gjë. A nuk ka thënë edhe Presidenti ynë i dikurshëm, Alia: “Shqipëria nuk është as Lindje, as Perëndim”? Ne jemi rast i veçantë. Ne e pasurojmë botën me përvoja të reja në fushën e politikës. Si dje, ashtu edhe sot.

Opozita deri tani ka deklaruar se do të marrin pjesë në protestë “si qytetarë”, jo si politikanë. Kështu kanë thënë deri tani Luli, Monika, (si e pavarur që është nga Presidenti kjo e fundit) po edhe Gon Duka i Agrares dhe të tjerë luftëtarë të opozitës. Më tej nuk dihet çfarë ngjet. Por ka arsye të besohet se kështu do të ndodhë. Ajo, opozita më saktë, partitë pa bosht kurrizor të saj, pritet t’ia varin Presidentit të Republikës “këmborën” e madhe të opozitarizmit në vend. Se protesta ka dy anë: mund të dalë e mirë, por mund të dalë edhe për ibret.

Opozita e provoi për gjashtë muaj me protesta vitin që shkoi dhe e kuptoi të paktën që nuk del gjë prej tyre. Atëherë Presidenti bënte deklarata, përshëndetëse dhe mbështetëse për protestat e opozitës. U ngjir Presidenti duke mbështetur protestat, por … hiç. Qafën e patës. Tani ai le ta provojë vetë një herë nëse është i zoti të nxjerrë qimen nga “qulli” i protestave, domethënë, të rrëzojë qeverinë me anë të tyre.

Qarkullon një ide në rrethet e analistëve të pavarur, sipas së cilës Presidenti kërkon të testojë se sa shumë e do populli atë, Presidentin, se sa shumë vdes populli për të.

Domethënë, sa mbështetje mbarëpopullore do të ketë ai. Protestat në sheshe prandaj bëhen, për matjen e forcës. Dhe kjo lidhet me një çështje tjetër të rëndësishme: pas mbështetjes së madhe popullore (të supozuar, kuptohet) ai mund të japë dorëheqjen si President dhe të kthehet prapë te partia e familjes së tij, pra në opozitë. Monika nuk e ka problem t’ia lirojë karrigen e kryetarit, ashtu siç ia liroi ai kur u bë President. Pra, duhet pasur në konsideratë edhe kjo mundësi (hipotetike): që do të mbetet vendi pa President Republike dhe kjo do ta rëndojë edhe më tej situatën.

Nëse pjesëmarrja në protestë do të jetë e ulët, (gjë që ka shumë mundësi të ndodhë, në rrethanat e sotme të gripit kinez nëpër këmbë) Presidenti i Republikës do të tërhiqet (“me bisht në shalë”, do të shkruajë ndonjë nga ata të maxhorancës, p.sh., Braçja) duke qëndruar edhe më tej në karrigen e Presidentit. A nuk ka thënë ai se do të qëndrojë aty deri në vitin 2022?

Ka shumë arsye të besohet se numri i protestuesve do të jetë i ulët në protestën mbarëpopullore të Presidentit. Jo se ata, qytetarët, vdiqën nga dashuria për qeverinë “Rama”, jo. Por për faktin se dy marsi është ditë e hënë, pra dita e parë e javës, kur njerëzit shkojnë në punë, në shkolla, në biznese etj. Nuk është e qartë se përse nga organizatorët (kupto: Presidenti) u zgjodh pikërisht dy marsi për protestë dhe nuk u zgjodh një marsi, që është e diel. Kjo e vesh datën e protestës me një lloj misterioziteti.

Më dy mars, shqiptarët do të jenë edhe më tej në gjendje alarmi prej gripit kinez. Ky është shtruar këmbëkryq në Italinë fqinje. Italia është në alarm. Ne kemi lidhje ajrore me gjashtëmbëdhjetë qytete italiane. Ne jemi lagje e Italisë. Shumë shqiptarë që banojnë atje, po edhe italianë, do të kërkojnë të kthehen këtu për t’i shpëtuar koronavirusit. Në këto rrethana, protesta e Presidentit ka rrezik të infektohet nga gripi. Nuk është ende e qartë nëse Presidenti i Republikës do të mbajë maskë në fytyrë kur të dalë në foltoren e mitingut. Presidenti kinez doli me maskë në publik para disa ditësh atje (Këshillohen reporterët e shtypit që do të ndjekin protestën të mbajnë maska atë ditë.)

Kjo pra, paniku nga gripi kinez, ka rrezik të ulë edhe më tej numrin e pjesëmarrësve në mitingun e protestës së Presidentit. Në këto rrethana, ekziston frika reale që në sheshin e protestës të mbeten vetëm Luli, Tit Vasili, Mona, Goni, Dashi dhe Nikollë Lesi (pa folur për zëdhënësin e Presidentit). Prandaj, nuk do ishte ide e keqe që dikush ta këshillonte Presidentin ta shtynte protestën e tij një a dy muaj më vonë, atëherë kur të jetë zhdukur nga këmbët e Europës virusi kinez.

Nuk është mirë që Kryeministri Rama të dalë në ballkonin e Kryeministrisë e të thotë pastaj: “Ja, sa pak popullor është Presidenti, nuk mbledh dot as një kaçile me protestues në shesh”. Ai rast do, që të fillojë e të tallet me Presidentin. Bile, ai do t’i bëjë thirrje popullit që të mos afrohet fare atje, sepse ka rrezik serioz për virus, do t’u thotë. E gjitha kjo, për të minuar mitingun, kuptohet. Dhe thirrja e Kryeministrit këtë herë do të dëgjohet si asnjëherë tjetër, nga ata që e duan dhe nga ata që nuk e duan Kryeministrin. Në këto rrethana, nuk do ishte keq që Presidenti të caktonte një datë tjetër për protestën e tij, p.sh., Një Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. E treta, e vërteta. Edhe ngritja e temperaturave të motit do të bëjë që të largohen gripërat nga Tirana.

Më dy mars do të bjerë shi. Kush rri e laget në bulevard në këtë fillim pranvere, ende të ftohtë! E përse, për Presidentin e Republikës! Ky shi do t’i japë vrull çeljes së luleve dhe gjelbërimit në përgjithësi. Parku i Liqenit do të zbukurohet edhe më tepër, duke u bërë më tërheqës për qytetarët. Pas dy javësh do kemi pastaj edhe festën e Ditës së Verës me bollokume etj.

Më tre mars, njerëzit do jenë po ata që kanë qenë. Ata do të shkojnë në punë, në shkolla, në biznese, në aktivitete të tjera (natyrisht, nëse i lë gripi). Atë ditë ata do të tregojnë më shumë barsoleta për Presidentin e Republikës së tyre, barsoleta këto, që do të frymëzohen edhe nga protesta e Karnavaleve të Tiranës një ditë më parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura