Pas Durrës-Kukës, ja rrugët me pagesë. Zbulohet “hilja” për Rrugën e Arbrit

Mar 25, 2015 | 14:45
SHPËRNDAJE

Durrës-Kukës do të jetë rruga e parë që do të kalojë me koncesion dhe aktualisht kjo autostradë është në fazë tenderimi.

Haxhinasto dje në Komisionin e Ekonomisë

Qeveria ka vendosur që operimin, mirëmbajtjen dhe disa investime të papërfunduara nga projekti fillestar t’ia lërë në dorë sektorit privat përmes formës së partneritetit publik-privat. Kjo do të bëhet në këmbim të një tarife që do të paguhet nga gjithë ata që kalojnë në këtë rrugë.

Ende nuk është folur për tarifa të sakta, por paraprakisht është lakuar se mjetet e vogla do të paguajnë jo më pak se 5 euro. Por, Rruga e Kombit nuk do të jetë e vetmja ku do të paguhet për të kaluar. Aktualisht katër janë rrugët apo projektet që kanë një trafik të garantuar dhe mundësi për të kaluar me koncesion.

E para është Rruga e Kombit, me të cilën po procedohet. E dyta është rruga Tiranë-Elbasan për të cilin projekti ka parashikuar edhe toll stacion (stacion pagese) dhe që sërish ka trafik të garantuar. Dy projekte të tjera që janë këshilluar të jepen me pagesë në përfundim të tyre janë bypass-i i Vlorës dhe ai i Fierit.

Vetë BERZH që financon këto dy projekte, në vitin 2011 publikoi një raport të cilin ia dorëzoi qeverisë ku hidhte variantin e rrugëve me pagesë për të shtuar buxhetin nga gropa e shpenzimeve të mëdha të mirëmbajtjes së gjithë rrjetit. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës ishte dje në Komisionin e Ekonomisë për të mbrojtur edhe një marrëveshje granti që synon financimin e një strategjie për taksimin rrugor.

OPOZITA

Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, ngriti dje si problem në Komisionin e Ekonomisë mbivendosjen e taksave. Sipas tij, për mirëmbajtën e rrugëve sot qytetarët paguajnë te karburanti atë që quhet taksë qarkullimi. Vendosja e një tarife ekstra për mirëmbajtjen do të thotë sipas Bodes taksim i dyfishtë dhe qeveria duhet të mbajë ose njërën, ose tjetrën, në të kundërt kthehet në abuzim.

“Sot gjithë qytetarët paguajnë një taksë që është ajo e qarkullimit dhe vlera e saj është diku te 90 milionë apo 100 milionë dollarë në vit. E paguajnë gjithë qytetarët dhe shkon në buxhetin e përgjithshëm. Do ta hiqni atë taksë që paguhet për kalimin në rrugë. Kjo është taksë shtesë. Është një marifet për të rritur barrën e taksave dhe është e papranueshme”, tha Bode.

RRUGA E ARBRIT

Koncesioni i Rrugës së Arbrit u cilësua nga ministri Haxhinasto si përjashtim nga rregulli për faktin se kompania kineze e lakuar së fundmi ka sjellë me vete financimin dhe ka shprehur gatishmërinë për ndërtimin e segmentit 27 kilometra. Ai theksoi se në kushtet kur ishte bërë një pjesë e mirë e investimit, ishte e nevojshme që të ruhej ritmi për të mos degraduar pjesën e përfunduar. Por duket se kompania kineze ka kërkuar garanci dhe qeveria ka pranuar garancinë e trafikut.

“Është garantuar një formë e re garancie, jo sovrane, për arsye që ne e dimë se s’mund të marrim borxhe pafundë- sisht. Por do të marrim atë që quhet garancia e trafikut. Kjo garanci do të jepet si pagesë në rastin kur niveli i qarkullimit të automjeteve do të jetë nën një nivel të caktuar, ose më mirë deri në atë nivel që garantohet pika e kthimit të investimit. Nën atë nivel shteti angazhohet t’i kthejë investimin kompanisë”, sqaroi Haxhinasto.

Kjo do të thotë se në rast se në rrugë do të kalojnë më pak makina sesa parashikon firma, atëherë do të jetë qeveria që do të paguajë diferencën. Pra, në rast se firma kineze, për të garantuar fitimin, parashikon që në rrugë të kalojnë 1 mijë makina me pagesë në ditë dhe gjatë një dite kalojnë 800 makina, atëherë diferencën e munguar e paguan qeveria nga buxheti.

Nga taksat që paguajnë qytetarët. Me pak fjalë, çfarëdo që të ndodhë, firma kineze e ka të garantuar fitimin, ajo thjesht mund ta rrisë atë, në rast se tejkalohet parashikimi i makinave që do paguajnë tarifën.

DEBATI TEK EKONOMIA

Edmond Haxhinasto: Sot kemi të bëjmë me një marrëveshje granti, e cila ka për synim që të realizojë një studim mbi bazë të të cilit do kemi disa produkte të vlefshme për strategjinë e mëpasme që do të kemi për tarifimin e rrugëve të Shqipërisë. Pra ajo që do të vendoset nga ky studim, do të jetë pikë serioze reference për atë që do të bëjmë në të ardhmen për të tarifuar një pjesë të rrugëve të vendit, pasi edhe rrugët që do tarifohen do të jenë pjesë e këtij studimi.

Erjon Braçe: Zoti ministër, nëse e kuptova drejt, qeveria mendon që të kalojë një pjesë të inventarit të rrugëve në procesin e tarifimit? Apo jo?

Edmond Haxhinasto: Po.

Erjon Braçe: Kjo do të përcaktohet pas këtij studimi apo ju keni një plan se cilat nga kategoritë e rrugëve do të kalojnë që tani?

Edmond Haxhinasto: Kjo do të përcaktohet mbas këtij studimi me përjashtim të Rrugës së Kombit, e cila është në proces tenderimi. Por ky është një rast specifik pasi Rruga e Kombit, ose më mirë projekti i kësaj rruge, parashikon jo vetëm tarifimin, por edhe investimet kapitale të domosdoshme.

Edmond Spaho: Zoti ministër, ne pak a shumë e njohim inventarin e rrugëve në Shqipëri. Përveç Rrugës së Kombit, e cila është hedhur për t’u dhënë me tender, po supozoja mbase edhe autostrada për Elbasan, cilat kategori të tjera rrugësh mendoni ju se mund të jenë subjekt i këtij studimi, që mund të hyjnë në proces?

Edmond Haxhinasto: Do të pres përfundimin e këtij studimi pasi objekt i tij është të përcaktojë pikërisht se cilat rrugë vendosin një balancë të tillë që të ketë ekuilibër mes të ardhurave nga tarifimi dhe aktivitetit ekonomik që zhvillohet në të.

Florion Mima: Meqë thatë që keni një kontratë në dorë me kinezët për Rrugën e Arbrit: A është e vërtetë që në kontratë qeveria merr përsipër deri në një nivel të parashikuar të makinave në rast se kjo nuk ndodh në realitet? Dhe a është e vërtetë që në fund të periudhës së koncesionit kompania do ketë marrë 5-fishin e vlerës që do ketë investuar?

Edmond Haxhinasto: Sa i takon Rrugës së Arbrit, mund të them që gjërat do të zhvillohen hap pas hapi. Së pari do të diskutohet në Parlament ajo që ju fola më parë, një procedurë e veçantë për dhënien me koncesion të kësaj rruge, pasi kompania ka sjellë edhe financimin vetë. Sa i takon pastaj elementëve të ndryshëm që ju përmendët në këtë kontratë, e cila nuk ka marrë formë përfundimtare, por do të jetë objekt negocimi mes tre ministrive, mes Ministrisë së Transportit, Financave dhe Ekonomisë me kompaninë kineze. Është garantuar një formë e re garancie jo sovrane, për arsye që ne e dimë se s’mund të marrim borxhe pafundësisht për të respektuar nivelin e borxhit, por do të marrim atë që quhet garancia e trafikut. Kjo garanci do të jepet si pagesë në rastin kur niveli i qarkullimit të automjeteve do të jetë nën një nivel të caktuar, ose më mirë deri në atë nivel që garantohet pika e kthimit të investimit. Nën atë nivel, shteti angazhohet t’i kthejë investimin kompanisë. Edhe për elementin tjetër të shumës në fund të koncesionit, jemi para dy varianteve sesa do të zgjasë periudha, ndaj është herët të jap një përgjigje.

Ridvan Bode: Krijimi i fondeve të veçanta është krijimi i xhepave të Ali Babës, ndërkohë që kemi një të vetëm dhe ky është buxheti. Kjo i jep mundësi secilit ministër të krijojë fondin e vet. E dini që sot gjithë qytetarët paguajnë një taksë, që është ajo e qarkullimit dhe vlera e saj është diku te 90-100 milionë dollarë në vit. E paguajnë gjithë qytetarët dhe shkon në buxhetin e përgjithshëm. Do ta hiqni atë taksë që qytetarët e paguajnë për kalimin në rrugë. Ne e kemi me taksim të përgjithshëm. Kjo është taksë shtesë. Ky është një marifet për të rritur barrën e taksave dhe është një masë e papranueshme.

Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura