Valbona Sako dorëhiqet bashkë me zëvendësen, drejtimin e Bashkisë së Durrësit e merr i besuari i Vangjush Dakos

Dec 1, 2019 | 14:30
SHPËRNDAJE

Pas dorëheqjes së kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako, drejtimin e bashkisë së këtij qyteti do ta marrë Zhulien Varfaj, nënkryetar i kësaj bashkie kur atë e drejtonte Vangjush Dako.

varfaj

Varfaj do të qëndrojë në këtë post deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë, ndërsa merr drejtimin e qytetit të dytë më të madh në vend në një situatë kaotike si pasojë e tërmetit shkatërrimtar që goditi qytetin bregdetar mëngjesin e së martës.

Vendimi është marrë gjatë një mbledhje me urgjencë të këshillit bashkiak të Durrësit.

Ndërkohë, po sot ka dhënë dorëheqjen edhe nënkryetarja e Bashkisë, Elteva Kondi, e emëruar në këtë post nga zonja Sako, çka do të thotë se Dako merr kontrollin de fakto të bashkisë. Ai ka qenë nënkryetar për 12 vite, aq sa ka qëndruar Dako në detyrë.

Zhulien Varfaj nuk është një emër i panjohur për durrsakët jo vetëm për pozicionin por edhe për çështjet e hapura me drejtësinë.

Ai u denoncua edhe nga emisioni “Stop” për abuzim me tenderat e autobusëve, ndërsa në vitin 2011 është çuar për ndjekje penale nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ai akuzohej për favorizim të tenderave për rikonstruksionin e bulevardit dhe gjelbërimin e qytetit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura