Pas dorëheqjes së Tahirit, aleati i Bashës flet për ‘dorëheqjen e Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme’

SHPËRNDAJE

Kreu i PDK, Nard Ndoka, aleat i Lulzim Bashës thote se kjo situatë e krijuar pas doreheqjes se Tahirit nga mandati i deputetit, “zgjidhet me dorëheqjen e Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme”.

“Loja është e hapur, por jo e pastër, drejtësia tashmë është e lirë të veprojë, por jo çliruar nga presingu politik ndaj saj, si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita”, shkruan nder te tjera Ndoka ne nje status ne FB.

Reagimi i plotë i Nard Ndoka

– Imuniteti politik; mburojë nga sulmet politike apo nga drejtësia?!
– Imuniteti i Ramës mbron Tahirin, heshtja e Tahirit mbron Ramën.
– Drejtësi apo rënie e lirë, institucione funksionale, apo ultimatume ndërkombëtare?!

nardi-ndoka-1

Origjina e imunitetit na çon në Anglinë e mesjetës, ku deri në shekullin e XV, parlamentarit nuk i njihej asnjë imunitet. Në mesjetë, sovrani i kishte të gjitha pushtetet; legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, duke disponuar në këtë mënyrë, sipas dëshirës të mirat dhe lirinë e nënshtetasve të tij. Mjaftonte që një parlamentar të përdorte një fjalor paksa liberal, që mbreti ta arrestonte dhe ta burgoste.

Në Angli, baronët ishin e vetmja fuqi që ju kundërvu pushtetit të sovranit, duke detyruar Johan Lackland që të firmoste Magna Charta; të parin dokument me vlerë konstitucionale që arriti të vendosë disa kufizime pushtetit absolut të mbretit, për të krijuar pikërisht autonominë parlamentare.
Do të duheshin edhe 650 vjet të tjerë që këto ide britanike të përhapeshin edhe në pjesën tjetër të botës.

Sot, shumica e sistemeve kushtetuese, ndonëse në shkallë të ndryshme, e kanë një regjim të tillë të mbrojtjes së parlamentarëve. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, njeh imunitetin e disa prej organeve kushtetuese në shkallë të ndryshme.
Në thelb, përcaktimet kushtetuese në lidhje me imunitetin që garantohet për organet e përcaktuara në të, fokusohen në tre aspekte:
I pari, aspekti i papërgjegjshmërisë, i cili nënkupton përjashtimin nga ndjekja penale për kryerjen e akteve apo shprehjen e mendimeve në ushtrim të funksionit. Kjo është forma më e pastër e imunitetit, dhe kushtetuta shqiptare e përcakton për Presidentin e Republikës, deputetët, dhe anëtarët e këshillit të ministrave.

I dyti, nevoja për autorizim në rastin e ndjekjes penale. Autorizimi kërkohet në të gjitha rastet kur është garantuar imuniteti.

I treti, lidhet me lirinë personale të atyre të cilëve u garantohet imuniteti. Në shumicën e rasteve, kur garanton imunitet, Kushtetuta vendos kufizime të rëndësishme për organet proçeduese në drejtim të kufizimit të lirisë së personave që e gëzojnë atë imunitet.

Gjatë këtyre viteve pluralizëm, jemi përballur me situata të ndryshme të akuzave për korrupsion apo afera të sajuara nga politika për sulme politike brenda llojit.

Rasti “druri i arrës” akuzë ndaj ministrave Ruli e Uka, rezultoi akuzë e pastër politike brenda llojit.

Akuzat ndaj deputetit dhe botuesit Lesi, në një luftë politike me Kryeministrin Nano, rezultoi sulm i pastër politik dhe tendencë për revansh.

Janë këto dy raste për të kuptuar, se imuniteti është mburojë dhe garanci politike e kushtetuese, për të garantuar paprekshmërinë arbitrare të një pushteti agresiv autoritar në momente të caktuara krizash politike.

Ka patur raste dorëheqjesh morale, të ministrave të ndryshëm nga funksioni dhe në disa raste edhe nga imuniteti, të cilët janë përfshirë në akuza për korrupsion apo ngjarje të ndryshme.

Jemi përballur edhe me politikanë, që janë kacavjerrur në imunitetin parlamentar, duke iu shmangur procedurave të gjykimit nga drejtësia.

Rasti Tahiri është krejt ndryshe; kompleks, jorastësor, duke krijur një precedent të rrezikshëm të abuzimit me mburojën e imunitetit, nëpërmjet kartonave në Kuvend.

Sot Tahiri, çliroi veten, drejtësinë, Ramën, Kuvendin; duke vendosur përballë presionit ndërkombëtar, të zhvishet formalisht nga mjegulla imunitare, që trazoi një botë të tërë.

Loja është e hapur, por jo e pastër, drejtësia tashmë është e lirë të veprojë, por jo çliruar nga presingu politik ndaj saj, si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita.

Kjo situatë e krijuar zgjidhet me dorëheqjen e Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Çdo tentativë tjetër, është lëvizje taktike, shtyrje kohe, mashtrim ndaj faktorit nderkombëtar dhe procedura që do të vazhdojnë pafund dhe pashpresë.

Imuniteti i Ramës mbron Tahirin – heshtja e Tahirit mbron Ramën.

Në këtë rast drejtësinë nuk mund ta vendosë drejtësia, por një realitet tjetër politik ose një ultimatum tjetër “alla Merkel”!

Të presim!

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.