Tahiri: S’u njoftuam në kohë për shkresën e ardhur nga Brukseli. S’jemi të pagabueshëm, përballemi me përgjegjësitë

Apr 1, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Në një dalje publike, pak orë pas dorëheqjes së Artan Didit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka quajtur veprimin e tij si një shembull të përgjegjësisë morale të modelit që po ndërton kjo qeverisje.

Duke u shprehur se nuk ka pretenduar kurrë për pagabueshmëri, Tahiri u shpreh se për gabueshmërinë njerëzore në kryerjen e një detyre, jemi edhe të gatshëm për t’u përballur hapur me përgjegjësitë.

Saimir Tahiri

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka dhënë një tjetër shembull të modelit që ne po ndërtojmë në qeverisjen e vendit. Ka marrë përsipër përgjegjësinë morale, për një fakt shqetësues që është prodhuar si rezultat i mosveprimit të zyrës sonë të Interpolit, lidhur me një praktikë ndërkombëtare për deputetin Mark Frroku”, u shpreh dje Tahiri. Por, sipas tij, sistemi që po ndërtohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë nga rrënojat e 18 muajve më parë, këtë herë nuk ka funksionuar siç duhet.

“Praktika e komunikimit të zyrës sonë të Interpolit me Prokurorinë e Përgjithshme, për praktikën e ardhur nga Belgjika, nuk është zhvilluar në kohën e duhur. Për këtë arsye, me t’u vënë në dijeni të fakteve, kam urdhëruar menjëherë në bazë të ligjit ngritjen e një grupi inspektimi dhe hetimi lidhur me procedurat e zbatuara nga zyra e Interpolit Tiranë”, deklaroi ministri.

Sipas tij, pas një hetimi paraprak, inspektimi i ministrit të Brendshëm dhe Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme, konkludoi se nuk ishin zbatuar saktë procedurat e parashikuara nga ligji, ndaj për këtë arsye, për 2 punonjës të policisë ka nisur ndjekja penale po nga shërbimi ynë i brendshëm referuar më pas Prokurorisë.

“Jam informuar mbrëmë se, mbi bazën e kërkesës sonë, Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e punonjësve të Policisë të cilët pritet të japin shpjegimet e tyre para organeve të drejtësisë. Por, pavarësisht këtyre, ndodhemi konkretisht përpara një shkeljeje serioze, të cilën sidoqoftë e ka zbuluar, hetuar dhe proceduar po Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Dhe aq sa ndjehemi jo mirë për atë që ka ndodhur, po aq jemi të inkurajuar nga forca ligjore reaguese dhe vetëkorrigjuese e jona dhe Policisë, përmes së cilës është vepruar menjëherë ndaj dy punonjësve të Policisë”, u shpreh Tahiri.

Tahiri mbledh krerët e policisë në rrethe, Çako komandohet në vend të Didit

Pas arrestimit të dy zyrtarëve të Interpol Tirana dhe dorëheqjes së kreut të Policisë së Shtetit, krerët e policisë së qarqeve u takuan me ministrin e Saimir Tahiri rreth orës 11:45 në ambientet e Ministrisë së Brendshme.

Në takim morën pjesë edhe zv/drejtori i policisë për krimet e rënda Haki Çako dhe zv/drejtori i policisë për rendin dhe sigurinë publike Altin Qato. Mësohet se Çako është caktuar përkohësisht në postin e Didit, pas dorëheqjes së këtij të fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura