Pas dorëheqjes, Basha hap zyrë shumë pranë selisë blu. Ish-kreu i PD, takime me demokratët në degët e Tiranës

Mar 28, 2022 | 11:28
SHPËRNDAJE

Që pas dorëheqjes nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk e ka më zyrën në selinë blu. Mësohet se ish-lideri demokrat ka marrë një “shtëpi të re”, e cila ndodhet në katin e 10- të të qendrës “Torre Drin”, shumë pranë godinës ku ndodhet selia e Partisë Demokratike.

lulzim basha

Bëhet e ditur se zyrën e tij në selinë blu, që Basha e mbajti për 9 vite, e ka boshatisur ditën e djeshme. Burimet bëjnë të ditur se pikërisht nga zyra e re, Basha ka nisur edhe axhendën e takimeve, ndërkohë që aty punon edhe stafi personal më i ngushtë i Lulzim Bashës.

Lulzim Basha dha dorëheqjen si kryetar i PD-së pas presioneve të shumta nga Grupi Parlamentar dhe Kolegji i Kryetarëve, pas disa humbjesh radhazi në zgjedhje.

Në deklaratën e tij, ai tha se po bënte një hap pas për të bashkuar demokratët, por shtoi se do të vijojë qëndrimin në PD. Nuk dihet nëse Basha do të kandidojë sërish për t’u rizgjedhur kryetar partie, pasi drejtimin e PD-së e ka marrë Komisioni i Rithemelimit.

Ndërkohë, Lulzim Basha ka nisur turin e takimeve në parti. Ndonëse Basha ka preferuar që këto takime-kafe me demokratët t’i mbajë pa praninë e medias në rrjetet sociale, mbështetësit e tij publikuan foto të takimeve me z. Basha.

Gjatë ditës së djeshme, Basha zhvilloi takime me demokratët në zonën e Dajtit dhe në degën 8 në Tiranë. Nuk dihet çfarë është diskutuar, por vetë z. Basha ka bërë me dije se takimet e tij do të jenë në funksion, të bashkimit dhe forcimit të PD-së.

Para pak ditësh, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, njoftoi se Lulzim Basha ka zhvilluar një bashkëbisedim me demokratë dhe anëtarë të PD-së në Ndroq. Z. Basha ka bërë të ditur edhe në tekstin e dorëheqjes se ai do të vazhdojë të kontribuojë për bashkimin e demokratëve dhe për ta bërë atë të një parti të madhe dhe fituese.

Por, pasi Gjykata regjistroi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, në PD u hoqën logot e partisë të vendosura dy ditë para mbajtjes së protestës së 8 janarit. Xhamat kryesore u mbuluan me logot e PD-së, ndërsa brenda Lulzim Basha urdhëroi fortifikimin e dyerve si masë mbrojtëse ndaj protestuesve.

Situata në PD mori kthesë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila një ditë më parë e njohu statutin e Kuvendit të 11 dhjetorit. Tashmë, anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, me në krye vetë Sali Berishën, janë rikthyer në selinë e PD-së.

Komisioni i Rithemelimit vendosi t’i heqë logot nga xhamat, si dhe fortifikimin e dyerve, për të dhënë mesazhin e hapjes së partisë. Punëtorët hoqën dje dyert e blinduara, si dhe letrat adeziv nga dyert dhe xhamat. Ndërhyrje u bënë edhe në zyrën e ish-kreut të PD-së, Lulzim Bashës, e cila është e zbrazur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura