Pas deklaratës së kuratorit holandez, GKA: Kërkesë Ministrisë për godinë të re për fondin

| 12:52
SHPËRNDAJE
 

Një godinë të re për fondin e veprave të artit. Kjo ka qenë kërkesa e Galerisë Kombëtare të Arteve, drejtuar Ministrisë së Kulturës, për të siguruar veprat që ruhen në të, rreth 5 mijë syresh.

Nga ekspozita e fundit në GKA

Pas publikimit të intervistës së as/kuratorit holandez Vinsent Van Gerven Oei, në të cilën, ndër të tjera ai shprehej se gjendja në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve është alarmante, kjo e fundit nuk e ka mohuar këtë fakt, madje është shprehur se ka bërë kërkesa të vazhdueshme për shtim buxhetesh, me qëllim përmirë- simin e kushteve, në të cilat ruhen veprat, si dhe për restaurimin e tyre. Ndërkaq, nga Ministria e Kulturës më- sojmë se pikërisht dje, në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve është miratuar restaurimi i ndërtesës së GKA-së, ndërsa përmirësimi i kushteve të fondit është prioritet për vitin që vjen.

GALERIA KOMBËTARE E ARTEVE

Kushtet jo optimale, në të cilat ruhen veprat e artit, në Galerinë Kombëtare të Arteve, përbëjnë tashmë një problematikë të hershme për këtë institucion. Për çdo drejtues që ka ardhur në krye të GKA-së, fondi ka qenë gjithnjë një nga ato pikat e nxehta, që preferonin të mos e preknin. As/kuratori holandez, Vinsent Van Gerven Oei, u ndesh me këtë gjendje gjatë përgatitjes së ekspozitës “Punëtorët dalin nga studioja. Duke mos parë më Realizëm Socialist” dhe u shpreh se “është një emergjencë, e cila mund të quhet edhe kombëtare, si përmbytjet”.

Drejtori i GKA-së, Artan Shabani, nuk e mohon gjendjen problematike të fondit, edhe pse sipas tij Gerven Oei nuk është specialist i fushës dhe se i është referuar gjendjes së emergjencës të një pjese të veprave të fondit, të cilat kishin qëllim prezantimin në këtë ekspozitë dhe nga të cilat ai dhe kuratori janë nisur për të bërë përzgjedhjen përfundimtare.

“Sa i takon gjendjes së fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, e cila është një çështje me interes për të gjithë artistët, por edhe publikun në përgjithësi, GKA e ka pohuar disa herë publikisht se fondi ku ruhet pasuria kombëtare e artit pamor ka nevojë të padiskutueshme dhe urgjente për ndërhyrje”, thotë Shabani, i cili e ka ngritur këtë problem edhe më parë në media. Madje, sipas tij kjo çështje nuk ka mbetur thjesht në rrafsh mediatik, por është përcjellë zyrtarisht pranë institucioneve përkatëse, prej nga varet GKA.

“Edhe në kërkesat për fonde në fillim të vitit 2015, drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Kulturës, GKA ka kërkuar jo vetëm buxhet për ndërtimin brenda të gjitha standardeve të një godine të re për ndërtesën e fondit të GKA, por edhe buxhet për sigurimin e veprave të artit që ruhen në GKA. Ruajtja, konservimi dhe restaurimi i veprave të fondit si trashëgimi kombëtare është dhe mbetet një nga funksionet prioritare të GKA dhe, në kuadër të këtij funksioni, specialistët e këtij institucioni bëjnë një punë të vazhdueshme për ruajtjen dhe restaurimin e tyre. Qartësisht kjo ndërhyrje duket se është akoma e pamjaftueshme, pasi gjendja komplekse e veprave të artit që ruhen në GKA kërkon një ndërhyrje tërësore restauruese, në infrastrukturë, mbështetur me një angazhim konkret me fonde të qarta e të dedikuara specifikisht për këtë qëllim”, thotë Artan Shabani.

MINISTRIA

Burime nga Ministria e Kulturës bëjnë me dije se dje, në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve është miratuar projekti për restaurimin e godinës së Galerisë Kombëtare të Arteve, fasada e së cilës, e ndërtuar në trajtë mozaiku, ka filluar të shkërmoqet. Mësohet se Ministria e Kulturës është në dijeni për problematikën në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe parashikon që vitin që vjen të sigurojë një buxhet më vete për të, por nga ana tjetër kërkohet një projekt konkret nga ana e drejtuesit të institucionit në fjalë, çka ka munguar deri më sot.

Galeria Kombëtare e Arteve është një nga ato institucione, e cila është mbështetur gjithnjë e më pak nga buxheti i shtetit dhe në vitet e shkuara drejtuesit kanë shfrytëzuar të tjera burime financimi, për të mbajtur gjallë Galerinë dhe për të përmirësuar infrastrukturën e saj.

Mungesën e financimeve e ka pranuar edhe vetë ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, duke premtuar një shtim në buxhetin e këtij viti. Dhe, në të vërtetë, buxheti është dyfishuar, duke shkuar në masën rreth 4 milionë lekë (të rinj). E megjithatë, ky shtim nuk do të mjaftonte kurrë për të ndërhyrë në përmirësimin e kushteve të fondit të veprave të artit.

PASURIA E FONDIT TE GALERISË SË ARTEVE

Mbi 5 mijë vepra arti ruhen në fondin e Galerisë Kombëtarë të Arteve. Në të ruhen vepra që datojnë që nga fundi i shekullit XIX, periudhë që shënon fillesat e pikturës jo fetare shqiptare, deri në und të viteve ’90. Autori më i hershëm i pikturës është Kol Idromeno, vepra e të cilit “Motra Tone” daton në vitin 1883. Një numër i konsideruar punësh i takojnë realizmit socialist, por ka edhe vepra të autorëve të huaj apo të artistëve bashkëkohorë.

Alma Mile 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

12 KOMENTET

Comments are closed.