Pas deklaratës se do rikthehet në politikë, Prifti takon Gjinushin e zhgënjyer nga Rama (FOTO)

Mar 11, 2015 | 20:46
SHPËRNDAJE

Në kohën kur klima politike është tensionuar nga akuzat e deputetit të shkarkuar nga Partia Socialiste Tom Doshi, në lidhje me pretendimin se ndaj tij ishte porositur një vrasje, por që mbeti në tentativë, surpriza të reja duket se do të shohim sa i takon marrëveshjeve politike.

Vetëm pak orë pasi Dritan Prifti, në dalje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku dëshmoi për akuzat e Doshit, deklaroi se ka ardhur koha t’i rikthehet politikës, është parë në shoqërinë e Skënder Gjinushit, Kryetar i Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, në një lokal të Tiranës. 

Dritan Prifti dhe Skënder Gjinushi në një lokal të Tiranës

Nuk dihet se cila ka qenë tema e bisedës mes tyre, apo nëse është thjesht një takim mes dy shokësh, por ajo që mund të thuhet është se konteksti në të cilin bëhet ky takim, është kur Prifti ka paralajmëruar rikthimin pas dy vitesh largim, në skenën e politikës shqiptare.

“Po vjen koha që të rikthehem në politik, pasi në këtë vend po ndodhin gjëra të çuditshme…Ka pasur një skenar për të vrarë  Tom doshin, Meta ka porositur vrasjen. Nuk më tremb asnjë lloj presioni, kërcënimi që mund të bëj Meta për të shtrembëruar të vërtetën”, tha Prifti një ditë më parë.

Sakaq, ditën kur deputeti Tom Doshi u shkarkua si deputet nga Partia Socialiste, tha se nuk ka ndërmend të largohet nga politika, madje paralajmëroi se ishte në gjendje të krijonte edhe një parti më vete.

“Nuk dal prej politikës, ja bëra të qartë edhe Edi Ramës, nuk shkoj tek asnjë parti tjetër, po qe nevoja jam në gjendje me krijuar edhe një parti të re. Dhe do t’i them me 60 kandidatë në të gjithë Shqipërinë”,- tha Doshi me 2 mars. 

Skënder Gjinushi njihet si një person që ka qenë gjithnjë kundër Ilir Metës në politikë, kohë kur kryeparlamentari është i akuzuari nga Tom Doshi si personi që ka urdhëruar vrasjen e tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi.

Ndërsa mund të thuhet gjithashtu se Gjinushi kohët e fundit ka shprehur pakënaqësi dhe zhgënjim nga kryeministri Edi Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura