“Pas debatit me Enverin në zyrën e tij, në gjaknxehtësi e sipër, vëllai im vuri dorën te pistoleta që kishte në brez”, rrëfimi i emigrantit boshnjak për dy vëllezërit e pushkatuar, pas…

Feb 17, 2020 | 8:17
SHPËRNDAJE

pjimage (4)

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e emigrantit boshnjak, Hysen Sejdini, i cili së bashku me familjen e tij në vitin 1941, ishin larguar nga Mostari për shkak të konflikteve të armatosura ndërmjet çetnikëve serbë e ustashëve kroatë dhe kishin ardhur në Shqipëri duke qëndruar fillimisht në qytetin e Durrësit te Hotel “Molla” dhe më pas në Tiranë në një shtepi tek “Selvija” pronë e Mahmut Dajës.

Angazhimi i Hysenit dhe vëllait të tij, Hakiut, me njësitet guerile të Tiranës nën drejtimin e Lym Ketës që dy vëllezërit e kishin mik të ngushtë dhe më pas si partizanë në Çetën e Dajtit që komandohej nga Hamit Keçi, ku ata qëndruan deri në fund të Luftës për t’u caktuar më pas në punë si mekanik në Uzinën Qëndrore (Uzina “Enver”), ku si gjithë ish-partizanët e tjerë, kishin të drejtën e mbajtjes së armës.

Acarimi i Hysen Sejdinit pas urdhërit të dhënë nga Enver Hoxha për largimin e të gjithë shtetasve jugosllavë nga Shqipëria pas prishjes së marrëdhënieve me Beogradin, (nga frika se mos këtu mbeteshin agjentët e UDB-së) dhe takimi me Enverin në zyrën e tij pas ndërmjetësimit të Lym Ketës dhe Myslym Pezës, ku gjatë debatit, në gjaknxehtësi e sipër, Hyseni në mënyrë instiktive vuri dorën te pistoleta që kishte në brez!

Ndërhyrja e menjëherëshme e Koci Xoxeës dhe shoqëruesëve të tjerë që ishin në paradhomë, të cilët i vunë hekurat Hysenit dhe e dërguan në Burgun e Tiranës, ku pas pak kohësh e nxorrën në gjyq së bashku me vëllanë, Hakiun dhe disa të tjerë që ata nuk i njihnin fare, ku i dënuan me vdekje, duke i akuzuar si “Grup armiqësor e agjentë të UDB-së, që kishin dashur t’i bënin atentat Komandantit”?!

Pas prishjes me Jugosllavinë e Titos, Enver Hoxha dha urdhër që të gjithë shtetasit jugosllavë që gjendeshin në Shqipëri, të largoheshin duke i riatdhesuar në vendin e tyre, sepse sipas tij këtu mund të ngeleshin shumë agjentë të UDB-së. Hyseni tepër i indinjuar nga ky urdhër që prekte edhe familjen tonë, pasi si emigrantë boshnjakë kishim akoma shtetësinë jugosllave, me anë të dy miqëve të ngushtë të tij, Myslym Pezës e Myslym Ketës, i kërkoi takim Enver Hoxhës, i cili e priti në zyrën e tij aty ku sot është Akademia e Shkencave. Gjatë debatit të ashpër në zyrën e Enverit, Hyseni tepër i acaruar vuri dorën tek pistoleta që e mbante në brez”. Kështu e kujtonte, Elmaz Sejdini, boshnjaku i lindur në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës dhe i ardhur në Shqipëri si emigrant që nga viti 1941, takimin e vëllait të tij, me Enver Hoxhën, ku gjaknxehtësia do t’i kushtonte shtrenjtë, pasi Enveri nuk do t’ja falte atë xhest, duke e dërguar para togës së pushkatimit. Pasi kishte kaluar një jetë plot vuajtje e peripecira në kampet e internimit, për shkak të vëllait që u ekzekutua pas takimit me Enver Hoxhën, Elmaz Sejdini pas viteve ’90-të mundi që të kthehej në Tiranë dhe të kalonte vitet e mbetura në një kthinë të vogël të Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë, ku ishte strehuar falë dashamirësisë së Kurt Kolës që kryesonte atë institucion. Gjatë një bisede me të në ato vite kur shërbente pranë atij institucioni, ai na rrëfeu të gjithë historinë e familjes së tij, dhe të dy vëllezërve më të mëdhenj, Hysenit e Hakiut, të cilët u pushkatuan në vitin 1951, të akuzuar si “krerët e një grupi agjenturor të UDB-së jugosllave, që kishin dashur t`i bënin atentat Enver Hoxhës”?!. Po cila është historia e familjes Sejdini, përse erdhën ata në Shqipëri dhe përse dy vëllezërit, Hyseni me Hakiun, u akuzuan si agjentë të UDB-së që kishin dashur t`i bënin atentat Kryeministrit shqiptar Gjeneral-kolonel Enver Hoxhës?!

Largimi nga Mostari

Lidhur me historinë e largimit nga vendlindja e tyre, Mostari për në Shqipëri, Elmazi, i fundmi i mbetur gjallë nga katër djemtë e familjes Sejdini, i cili që pas kthimit nga internimi në vitin 1991, së bashku me shtatë pjestarë të familjes së tij jetoi për shumë vite në një dhomë të vetme në një nga zyrat e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, tregonte:” Babai, Qamili fillimisht punonte si pastiçier në një lokal të Mostarit, ku banonte familja jonë. Pasi lokali që punonte babai u mbyll nga serbët, ai u detyrua që të punonte për shumë vite në minierat që ndodheshin në periferi të Mostarit. Kjo gjë vazhdoi deri nga prilli i vitit 1941, kur familja jonë ashtu si mijra familje të tjera myslymane boshnjake, u detyruan të shpërngulen nga trojet e tyre, si rezultat i fillimit të luftës civile ndërmjet çetnikëve serbë dhe ustashëve kroatë, prej së cilës barra dhe fatkeqësitë binin mbi ne boshnjakët. Italianët të cilët asokohe kishin pushtuar një pjesë të Ballkanit, u kujdesën për boshnjakët, duke i ndihmuar ata që të emigronin për në Çekosllavaki, Bullgari e Shqipëri. Në këtë kuadër edhe familja jonë që përbëhej prej dy prindërve dhe gjashtë fëmijëve, më datën 8 prill 1941 u gjend e hipur në një vaporr të madh ushtarak italian, të cilën e pritëm gjatë në portin e qytetit, pasi ai mezi u ankorua nga minat e shumta që kishin vënë gjermanët në det. Teksa vaporri italian po afrohej në afërsi të ujrave shqiptare, nisur dhe nga ngarkesa e madhe që ai kishte në bord ku ishin me mijra emigrantë boshnjakë, u vendos që disa familje të zbarkonin në portin e Durrësit. Babai Qamili kërkoi që edhe familja jonë të zbriste në Durrës, pasi ai kishte dëgjuar se prej shumë vitesh dhjetra familje myslymane boshnjake që kishin emigruar aty, ishin stabilizuar më së miri duke u integruar në jetën shqiptare. Në portin e Durrësit zbritëm dhjetë familje boshnjake dhe vaporri me emigrantët e tjerë vazhdoi rrugën për nuk e di se ku. Ne, familjet boshnjake nën kujdesin e Bashkisë së qytetit, na shpërndanë nëpër hotele të ndryshme të Durrësit dhe familjes sonë i takoi të banonte për dhjetë ditë në hotelin “Molla”. Të gjitha shpenzimet e fjetjes, ngrënies dhe udhëtimit na paguheshin nga qeveria shqiptare e asaj kohe”, kujtonte Elmaz Sejdini peripecitë e largimit të familjes së tij, ku ata të detyruar nga lufta civile ndërmjet çetnikëve serbë dhe ustashëve kroatë, u detyruan të braktisin trojet e tyre dhe si emigrantë të vendoseshin në Shqipëri.

Stabilizimi i familjes Sejdini në Tiranë

Po si u pritën familjet boshnjake në kryeqytetin shqiptar, çfarë ndihme patën ata nga qeveria e asaj kohe dhe cili që fati i familjes Sejdini në vitet që pasuan? Lidhur me këtë Elmazi kujtonte:”Pas dhjetë ditësh qëndrimi në qytetin e Durrësit, të dhjetë familjet tona boshnjake i sollën në Tiranë, duke na shpërndarë nëpër shtëpi të ndryshme. Familja jonë u vendos tek shtëpia e një tiranasi të vjetër, të quajtur Mehmet Daja, që banonte aty afër Selvisë. Mbasi u vendosëm aty, po nën kujdesin e qeverisë shqiptare e cila kishte marrë përsipër stabilizimin e emigrantëve boshnjakë, babai filloi punë si minator në minierat e qymyrit të Krrabës, të cilat asokohe ishin pronë e Kol Kuqalit. Gjatë asaj periudhe familja jonë u lidh tërsisht me Lëvizjen Antifashiste, dhe vëllai i madh, Hyseni, pasi ishte guerilas ilegal me Myslym Ketën, doli partizan në çetën e Dajtit që komandohej nga Hamit Keçi, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi ajo. Pas mbarimit të Luftës, duke parë qëndrimin që kishte mbajtur familja jonë, nisur dhe nga nështetësia jugosllave, qeveria shqiptare na trajtoi si të barabartë me shtetasit e saj, e ndoshta shumë më mirë se ata. Babai vazhdoi të punonte si minator në minerat e Krrabës, kurse vëllai, Hyseni, ndonëse kishte qenë guerilas dhe partizan i njohur, u caktua të punonte si mekanik në uzinën Qëndrore (Uzina “Enver”) dhe kishte të drejtën e mbajtjes së armës, si shumë ish partizanë të tjerë në atë kohë. Po kështu, unë vazhdova shkollën, pasi atë e kisha lënë përgjysëm në Mostar dhe ne si familje pothuaj nuk flisnim fare shqip”, kujtonte Elmazi mbërritjen e familjes së tij në Tiranë dhe kujdesin e qeverisë shqiptare të periudhës së Luftës për stabilizimin e saj, e gjithashtu asaj komuniste të Enver Hoxhës e cila i trajtoi me përparsi si shtetas jugosllavë që ishin.

Incidenti me Enver Hoxhën

Nga ana e qeverisë komuniste shqiptare, trajtimi me përparësi i familjes emigrante boshnjake Sejdini, vazhdoi deri aty nga viti 1948-të, kur Enver Hoxha shpalli prishjen me Jugosllavinë e Titos. Pas kësaj për familjen Sejdini filluan peripecitë e shumta, me arrestime, burgime, pushkatime dhe internime, që do të vazhdonin gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist. Pas prishjes me jugosllavët, kryeministri shqiptar, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, dha urdhër që të gjithë shtetasit jugosllavë që gjendeshin në Shqipëri, të riatdhesoheshin në vendin e tyre. Lidhur me këtë, në një mbledhje të Byrosë Politike ai u shpreh:” Duhet ta zbatojmë me përpikmëri këtë gjë, sepse do të na mbesin në Shqipëri shumë prej tyre që mund të jenë agjentë të UDB-së”. Po ç’ndodhi me familjen boshnjake Sejdini, që kishte shtetësinë jugosllave? Lidhur me këtë, Elmaz Sejdini kujtonte: “Urdhëri i Enver Hoxhës për riatdhesimin e gjithë nënshtetasve jugosllavë që gjendeshin në Shqipëri, e indinjoi shumë vëllain tim Hysenin dhe sidomos thënia se; shumë prej nesh mund të ishin agjentë të UDB-së! Hyseni, si ish partizan dhe guerilas i njohur, i kërkoi dy miqve të ngushtë të tij, Myslym Ketës dhe Myslym Pezës, që t` i rregullonin një takim me Enver Hoxhën. Enveri e priti Hysenin në takim tek zyra e tij, aty ku sot është Akademia e Shkencave. Hyseni zhvilloi një debat të ashpër me Enver Hoxhën dhe ndërmjet të tjerash i tha: ‘Unë kam dalë partizan e kam luftuar për Shqipërinë e për ty, dhe jo për Titon. Si do të na dërgosh ti në Jugosllavi?! Si mund ta thuash ti atë fjalë se do t`i përzesh boshnjakët nga Shqipëria, sepse janë agjentë të UDB-së”?! Pas këtyre fjalëve që Hyseni i tha me ton të lartë dhe tepër i acaruar, në gjaknxehtësi e sipër ai në mënyrë instiktive vuri dorën në pistoletën që mbante në brez. Menjëherë pas kësaj ndërhyri Koci Xoxe me dy oficerë të Sigurimit të cilët ndodheshin në paradhomën e kryeministrit dhe i vunë prangat Hysenit, duke e arrestuar brenda në zyrën e Enverit”, kujtonte Elmazi incidentin e vëllait të tij Hysenit në zyrën e Enver Hoxhës, gjë e cila do t` i kushtonte jetën atij dhe vëllait tjetër Hakiut.

Peripecitë e familjes boshnjake në minerat e Krrabës, Kamit, Kurbneshit etj.

Pas dhënies së dënimit me vdekje, Hyseni me gjithë Hakiun bënë apelim për falje jete në Kuvendin Popullor, i cili nuk jua aprovoi, duke lënë në fuqi vendimin për pushkatimin e tyre. Lidhur me këtë Elmazi kujtonte:” Nga dita e dhënies së dënimit me vdekje, Hyseni me Hakiun, u lanë për tre vite në burgun e Tiranës, në pritje të ekzekutimit, ku ne shkonim dhe i takonim sipas mundësive që na krijoheshin. Duke pasur parasysh mardhëniet tepër të acaruara ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, qeveria shqiptare e kishte të vështirë pushkatimin e tyre, pasi ne akoma mbanim nënshtetësinë jugosllave dhe kjo gjë do të sillte pështjellime të reja ndërmjet dy vendeve. Po ashtu dhe heqja e nënshtësisë jugosllave nuk mund të bëhej pa kërkesën tonë. Si rezultat i kësaj, më 23 prill të vitit 1951, familjes sonë i dhanë nënshtetësinë shqiptare, pa na pyetur fare ne. Pas katër ditësh, Hysenin dhe Hakiun, i pushkatuan në Breg të Lumit dhe pas dhjetë ditësh neve na e treguan vetëm vendin e ekzekutimit, pasi kufomat e tyre nuk lejohej që t`i merrnim. Pas pushkatimit të dy vëllezërve, familjen tonë e internuan në Memaliaj, ku ne punuam në minierë deri në vitin 1954 kur na hoqën që andej dhe na dërguan në minierën e Kamit në Tropojë, ku qëndruam deri në vitin 1958. Pas kësaj, na dërguan në minierën e Kurbneshit ku qëndruam deri në vitin 1964, kur na hoqën që andej dhe na dërguan në Krrabë. Në minierat e Krrabës punuam deri në vitin 1991, kur filluan ndryshimet politike në Shqipër”, kujtonte Elmazi peripecitë e familjes së tij nëpër minierat e ndryshme të vendit, ku ju vdiqën dhe dy prindërit (Qamili me Aishen), të cilëve akoma nuk ju dihet varri, pasi si të internuar që ishin, ata i varroste shteti.

 Takimi me Presidentin Izetbegoviç në ’92-in

Me fillimin të proçeseve demokratike në vitin 1992, pasi mori një letër nga Muharrem Zejnullahu (konsulli boshnjak në Tiranë) Elmaz Sejdini shkoi në Bosnje dhe me ndihmën e të afërmëve të tij, u takua me Presidentin Alia Izetbegoviç, të cilit i kërkoi shtetësinë boshnjake dhe riatdhesimin e familjes së tij në Mostar. “Presidenti Izetbegoviç më tha të bëja dokumentat”, kujtonte Elmazi, i cili që nga ajo ditë (kur i patëm marrë këtë intervistë), rrinte gjithnjë në pritje të asaj kërkese, duke shtyrë ditët në një gjendje tejet të mjeruar së bashku me shtatë pjestarët e tjerë të familjes, aty në një zyrë të katit të dytë të Shoqatës së Përndjekurve Politikë, duke mos harruar për asnjë çast që të falenderonte Osman Kazazin dhe Kurt Kolën, që nuk e kanë ngacmuar për ta nxjerrë nga andej në rrugë të madhe!

(Gjë të të cilën, Elmaz Sejdini nuk ja arriti kurrë, pasi ndërroi jetë disa kohë më pas duke e zhytr me tej në mjerim familjen e tij…!)/Memorie.al

2-10-Photos 20200216_224956 20200216_225328 20200216_234321

 

 

D-Ndreu-H-Kapo-K-Xoxe-S-Simiç-E-Hoxha-S-Moisiu-J-Gjergja-duke-ndjekur-nje-paradae-ushtarake-ne-Tirane.-1946 enver-hoxha-koçi-xoxe gjyq-proces-politike-para-kinema-tomori26 Salle-Gjyqi-fundi-i-viteve-40-te scan scan0068 scan2009 Te-denuarit-gjate-nje-gjyqi-ushtarak.-1951

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura