Pas daljes nga izolimi

Feb 8, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Më 2 prill të vitit të kalu ar, gjashtë vendet më të fuqishme të botës apo grupi 5+1, pra, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit ..të Sigurimit, SHBA, Kina, Rusia, Britania e Madhe, Franca, si dhe Gjermania, në negociatat me Iranin ranë dakord për një marrëveshje për programin bërthamor të këtij të fundit, e cila përfundimisht do të nënshkruhej pas tre muajsh, në korrik të vitit që shkoi, ashtu sikurse ndodhi.

Një arritje jo e vogël, pas vitesh embargoje ndaj Iranit. Jehona e saj ishte e justifikuar. Personalitete të njohur të diplomacisë botërore, si Samuel Berger, Javier Solana, Thomas Pickering, Carl Bildt etj., po atë ditë nxituan të përshëndesin negociatorët, sepse për ta, një dosje, në dukje e vështirë, u zgjidh përmes mjeteve paqësore, gjë e rrallë në kohën tonë të trazuar.

Mbi bazën e kësaj Marrëveshjeje, të thirrur, Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) deklaroi tri javë më parë, më 16 janar, se Teherani i ishte përmbajtur këtij plani dhe se pritej heqja e sanksioneve. Ajo që tërhoqi me të drejtë vëmendjen, qysh më parë, me ngjarjen e korrikut, ishte rënia dakord nga SHBA, krahas Fuqive të tjera të Mëdha, për lehtësimin e sanksioneve ekonomike ndaj Iranit, me qëllim kufizimin e armëve bërthamore.

Një kthesë e dukshme kjo në marrëdhëniet midis dy vendeve. Kështu, konfliktit atomik i erdhi fundi, dhe pse në Kongresin Amerikan nga vetë republikanët, sidomos, por edhe nga demokratët, pati reagime të menjëhershme. Ndërkohë, Presidenti amerikan, Barack Obama, nënshkroi urdhrin, sipas të cilit tërhiqen sanksionet e SHBA në transaksionet.

Bashkimi Europian, në anën tjetër, tërhoqi menjëherë të gjitha sanksionet ekonomike dhe financiare kundër Iranit, të ndërlidhura këto me programin atomik. Pavarësisht nga këto, Irani, duke u ballafaquar përsëri me probleme në fushën e ruajtjes së të drejtave apo të terrorizmit, nuk ka si të mos e ndiejë peshën e kufizimit të marrëdhënieve me vende të ndryshme.

Duket që tashmë për Iranin nuk ka kohë për të humbur. Sanksionet e OKB-së, SHBAvë dhe BE-së e rënduan jo pak atë gjatë këtyre viteve. Kështu, vetëm nga mungesa e eksportit të naftës, vendi ka humbur çdo muaj katër deri në 8 miliardë dollarë. Irani mbahet vendi i katërt në botë, pas Arabisë Saudite, Venezuelës dhe Kanadasë për rezervat e naftës.

Me ndryshimet aktuale, pritet që ky prodhim iranian të shkojë këtë vit 1.5 milionë fuçi në ditë, megjithëse, rënia e çmimit të naftës mund të stopojë rritjen e këtij prodhimi. Vizita e menjëhershme e presidentit Iranian Hasan Rouhan në Itali dhe Francë, solli po ato ditë disa marrëveshje të rëndësishme në fushën e biznesit. Vetëm ato që u nënshkruan në Romë kapin shifrën 18 miliardë dollarë dhe ku priten marrëveshje të tjera.

Me axhendën e vet diplomatike, tepër aktive, Presidenti iranian Rouhan duket se përpiqet t’i bindë bashkëbiseduesit europianë që dallimet midis vendeve të tyre t’ia lënë së kaluarës, ndaj dhe i fton ata “t’ia nisin nga e para”.

Irani e sheh Europën si partnerin më të madh, gjë që kjo u konvenon dhe vendeve të këtij kontinenti, t’i gëzohen riecurisë së bashkëpunimit tregtar me të. Optimizmi i Rouhanit dhe ithtarëve të tij, por edhe i disa analistëve të njohur, lidhet me besimin që, pas intensifikimit të këtyre marrëdhënieve, ekonomia iraniane të mëkëmbet fuqishëm. Aktualisht, kompani të huaja po rritin prezencën e tyre në Republikën Islamike.

Ky afrim i Iranit me Perëndimin ka krijuar gjithashtu jo pak shqetësime te të tjerët, madje dhe në qarqe të ndryshme brenda Teheranit, sidomos te përkrahësit e vijës së ashpër. Nga ana tjetër, rivaliteti për hegjemoni rajonale, sikurse ndodh midis Riadit dhe Teheranit, të cilët i kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike mes tyre, duket se do t’i rritë më tej përmasat e veta.

Moska, që mund të ishte ndërmjetësuesja më e mirë për qetësimin e të dy partnerëve në këtë konflikt të tyre, e ka më të vështirë. Madje, dhe neutraliteti i saj nuk do ta favorizonte atë vetë. Kjo, edhe për shkak të rënies së besueshmërisë së njërës apo tjetrës palë ndaj Moskës, sidomos për Arabinë Saudite, nga që balanca e marrëdhënieve ka anuar më shumë nga Irani. Tjetër.

Shtimi i përpjekjeve për zgjerimin e marrëdhënieve të Iranit shihet dhe si faktor i rëndësishëm që mund të ndikojë në një hapje të mëtejshme të vendit, aq shumë të nevojshme për të, por edhe për faktin, që bota të besojë realisht, pa dyzime, në braktisjen reale nga Irani të teknologjisë bërthamore.

Sepse, pavarësisht nga çka thamë më lart, dyshimet përsëri ekzistojnë te rikthimi i mundshëm i armëve të shkatërrimit në masë. Dalja nga izolimi ndërkombëtar i Iranit, mendoj se merr rëndësi edhe për Shqipërinë.

Pse? Në këtë mënyrë, edhe vendit tonë i hapet një treg i ri, si për eksportet dhe importet e tij. Dhe, një treg si Irani nuk duhet nënvleftësuar apo pritur, përkundrazi, ai, pa u zvarritur, lypset të merret në konsideratë. Me fjalë të tjera, është një mundësi e re për të parë përpara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura