Pas çmimeve, Qeveria zyrtarizon ligjin e pronave

Feb 9, 2016 | 14:35
SHPËRNDAJE

Pas miratimit të hartës së re me vlerat e trojeve në 12 qarqe të vendit, vjen hapi i radhës. Dje është botuar në Fletoren Zyrtare ligji i ri i pronave dhe vendimi i Qeverisë për rrëzimin e dekretit të Presidentit Nishani, i cili vendosi të mos e aprovojë.

LIGJI

tirana-cmimetLigji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit” hyn në fuqi pas 15 ditësh. Kështu, në javën e fundit të këtij muaji do të nisin edhe procedurat e kompensimit financiar për 26 mijë familje që u është konfiskuar toka gjatë regjimit komunist. Skema e re që do të marrë jetë transformon në thelb procesin e aplikuar deri më tani.

Ndryshimi më i rëndësishëm, njëherazi më i shumëdebatuar është ai për zërin kadastral. Sepse, pavarësisht se sot toka është brenda vijës së verdhë, që do të thotë tokë truall, llogaritja e përfitimit financiar për çdo familje do të bëhet mbi bazën e zërit kadastral që prona ka pasur në momentin e shpronësimit.

Kjo prek një numër të konsiderueshëm vendimesh. Argumenti i përdoruar nga Qeveria për këtë ishte fakti që reduktonte faturën financiare. Pasi, nëse toka do të paguhej me çmimet e sotme, do të nevojiteshin 800 miliardë lekë, pra, katërfishi i vlerës së planifikuar për t’u përdoruar me ligjin e ri.

HARTA

Tirana është qarku me numrin më të lartë të vendimeve që pritet të kompensohen, e ndjekur nga Korça, Vlora dhe Gjirokastra. Për të zbutur disi zemërimin në radhët e ish-pronarëve, të cilët dolën kundër ligjit të ri, qeveria ka rritur çmimet e trojeve në disa qarqe.

Megjithatë, vlerat mbeten ende larg pritshmërive të pronarëve, të cilët i kanë cilësuar të komanduara. Referuar tabelës, në kryeqytet këtë vit çmimet e tokës truall janë gati 30 për qind më të shtrenjta në raport me një vit më parë.

1Dyfishim të vlerave kanë pësuar edhe tokat bujqësore në periferi të Tiranës, të cilat luhaten nga 202 deri në 523 lekë për metër katror. Por pavarësisht kësaj, masa e përfitimit për pronarët do të jetë më e reduktuar.

Të prekura janë familjet, prona e të cilave ka qenë tokë bujqësore në 1945-n, pra, atëherë kur edhe u konfiskua nga shteti. Sipas skemës së re, një metër katror i bie të llogaritet me më pak se 500 lekë. Kjo do të ndodhë edhe me sipërfaqet që kanë qenë tokë bujqësore, por që sot janë brenda vijës së verdhë.

Ato do të çmohen me po të njëjtën vlerë, pra, me më pak se 500 lekë/m². Risi në ligj është edhe përcaktimi i afateve konkrete për përfundimin e procesit të kompensimit, i cili synohet të realizohet gjatë 10 viteve të ardhshme.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura