Pas Ballës, Rama me ultimatum për kryebashkiakët. Zbulon kushtin për rikandidim

Jan 7, 2018 | 9:05
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka folur me tone të prera për kryebashkiakët, duke zbuluar kështu kushtin kryesor për kandidaturat e PS në zgjedhjet e ardhshme vendore, ose për gjithë ata që aspirojnë një mandat të dytë në krye të bashkive.

rama ne asamble janar 2018

“Kush do bëjë politikë personale për politikën e ujit, nuk do të jetë kandidat i PS në zgjedhjet e ardhshme dhe një kriter themelor për kandidaturat do të jetë suksesi në reformën e ujit i kryetarëve të bashkive”- tha Rama.

Rama ka paralajmëruar se nuk do të tolerohet asnjë lojë me dy porta.

“Loje të vjetër me dy porta që nga një anë qeveria kërkon të implementojë një reformë dhe bashkia luan duke shkelur syrin, he se s’ka problem le të vjedhin cik se duhen për vota, nuk pranojmë, me forcë nuk i imponohemi askujt, por vendosja në binarët e ligjshmërisë në raport me ujin do te jenë kriteri i parë për të dhënë mbështetje për rikonfirmimin e atyre që duan të marrin një mandat të dytë”- tha Rama.

Balla paralajmëron kryebashkiakët e PS 17 muaj para zgjedhjeve: Në pranverë…

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare, u fokusua te zgjedhjet vendore, duke theksuar se për PS ky është viti i organizimit elektoral në funksion të fitores së zgjedhjeve.

balla

“Zgjedhjet vendore janë 17 muaj larg nga sot, për ne ky vit është i një organizimi elektoral në funksion të fitores së zgjedhjeve vendore elektorale. Nuk ka njohur vendi më parë një program si rilindja urbane, por nuk ka dyshim se nuk ka asnjë bashki që nga Tirana në Konispol që nuk ka vend për përmirësime të mëtejshme te shërbimet, fokusi i punës së bashkive  duhet të jetë shërbimet në kohë e cilësi, qëndrimi pranë njerëzve për të dhënë zgjidhjet për këdo. Në pranverë do të ketë anketime për performancën e të zgjedhurve në krye të bashkive, asnjë mbështetje politike nuk do të ketë për ta, nëse aleati ynë i vetëm qytetarët nuk do të japin dakordësinë për kandidaturat. Në zgjedhjet vendore ne hyjmë vetëm me një koalicion, atë me qytetarët, përballë kemi ata që e duan politikën armë për të ruajtur privilegjet dhe që opozitën e duan cadër për t’u mbrojtur nga drejtësia”- tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura