Pas 3 javësh ndalet rënia e euros. Sot fitoi pikë ndaj lekut, por…

Mar 23, 2018 | 13:40
SHPËRNDAJE

Është ndalur rënia e monedhës së përbashkët në tregun vendas, pas tri javësh më rënie. Euro është këmbyer në kuotën e 129.85 lekëve, rreth 0.8 lekë më shumë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Euro u zhvlerësua prej fillimit të muajit me 3.14 lekë. Edhe pse sot ka fituar pikë përkundrejt monedhës vendase nuk ka mundur që të kalojë pragun prej 130 lekësh.

euro

Të gjitha monedhat kryesore kanë fituar pikë përkundrejt lekut vendas. Dollari u këmbye sot në kuotën e 105.33 lekë, me një rritje të lehtë prej 0.28 pikësh. Dollari po luhatet në nivelet më të ulëta të 4 viteve të fundit.

Sipas ekspertëve të kursit të këmbimit, euro fiton pikë pasi kalojnë datat e fundit për pagimin e TVSH-së dhe sigurimit. Tendenca  është që prej datës 10 deri në datë 20, monedha e përbashkët europiane humb pikë ndaj  lekut vendas, duke qenë se të gjithë bizneset nxitojnë që të prekin rezervat e tyre valutore për të mbyllur detyrimet.

Aktorët e tregut argumentojnë që arsyet kryesore të nënçmimit të euros në tregun vendas është oferta e lartë në valutë në treg dhe qarkullimi i dobët i lekut.

Rënia e vazhdueshme euros në tregun vendas ka nxitur individët që të konvertojnë kursimet që kanë në valutë në monedhën vendase.

Euro pritet që të vijojë të mbesë e dobët. Në zhvlerësimin e mëtejshëm të euros do të ndikojnë flukset e emigrantëve dhe turistët e huaj, të cilët rrisin ofertën në valutë në vend.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura