Partizani shpërndan premiot, ja sa përfituan lojtarët për Ferencvaroshin

Jul 26, 2016 | 11:26
SHPËRNDAJE

Partizani karikohet me miliona në prag të ndeshjes ndaj Salzburgut. Ashtu siç klubi kishte premtuar, dje lojtarëve u janë shpërndarë premiot e kualifikimit historik kundër Ferencvaroshit që i çoi të kuqtë në turin e tretë të Ligës së Kampioneve. Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë klubit treguan për gazetën se janë shpërndarë 150 mijë euro shpërblim për skuadrën.

partizani hoxha

Ata që kanë përfituar më shumë janë titullarët e dy ndeshjeve ndaj hungarezëve, pikërisht nga 8 mijë euro secili. Në fakt, presidenti Gazmend Demi, ashtu siç ka paralajmëruar gazeta, kishte rritur dy herë shifrën e premios. Fillimisht kishte premtuar 150 mijë euro, më pas 250 mijë dhe menjëherë pas ndeshjes në Budapest 300 mijë. Në këto kushte, dje lojtarët ishin kuriozë se sa para do të merrnin.

festa partizani

Mësohet se drejtori i klubit, Genc Tomorri, u ka bërë të ditur futbollistëve se do të shpërndahet vetëm një pjesë e premios, pra 150 mijë euro. Pjesa tjetër është vendosur për t’u shpërndarë në ditët e ardhshme. Mendohet se do të jepet në prag të ndeshjes së kthimit, që Partizani do të luajë më 3 gusht në Salzburg. Kjo është edhe strategjia e klubit për të mbajtur të karikuar lojtarët, duke i motivuar si kurrë më parë financiarisht.

Premtimi

Pasi kanë marrë premiot e kualifikimit ndaj Ferencvaroshit, lojtarët e Partizanit kanë dëgjuar premtimin e radhës për shpërblim nga ana e klubit. “Eliminoni edhe Salzburgun dhe do të merrni 300 mijë euro premio si skuadër”, u ka thënë një nga drejtuesit futbollistëve. Pritet që sot para ndeshjes skuadra të bëjë një mbledhje me presidentin Demi.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura