Partizani në “hall”, i paragjykuar sido që të shkojë takimi i sotëm

May 23, 2018 | 11:07
SHPËRNDAJE

Partizani ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e fundit të sezonit dhe të gjithë presin me padurim që të përfundojë ky edicion. Nga ajo që u pa në seancën e fundit, derbi me kamzalinjtë është një angari, pasi motivi i këtij sezoni ka kohë që është shuar. Madje, edhe objektivi minimal, pjesëmarrja në Europë, nuk është në dorë të tyre, por varet nga finalja e Kupës, si dhe fatit të Skënderbeut.

partizani

Të kuqtë kanë një “mal me halle” para këtij takimi, ku trajneri Dalipi ka një grup të përgjysmuar. Fakti se disa lojtarë e kanë ndeshje të fundit derbin me Kamzën, bën që 90-minutëshi i sotëm të jetë angari. Por ka nga ata që i kanë shpëtuar këtij “halli”, pasi janë të pamundur për këtë takim. Bruno Telushi është i pezulluar nga kartonët e verdhë. Kapiteni Batha është përgatitur i diferencuar në seancat e fundit dhe pritet të mos jetë titullar në ndeshjen e fundit. Edhe zv.kapiteni Labinot Ibrahimi është i pamundur, pasi në Vlorë u dëmtua në vetull dhe nuk luan sot.

Partizani9-470x313
Gjasat janë që shiritin e kapitenit ndaj Kamzës ta mbajë Lorenc Trashi. Milan Kulum ka probleme shëndetësore dhe nuk është përgatitur në dy seancat e fundit. Edgar Çani ka pasur shqetësime në gju në ditët e fundit, por dje u përgatit me ekipin. Portieri Alban Hoxha i është bashkuar ekipit në seancën e fundit, por është stërvitur i diferencuar duke mbajtur edhe akull në gjurin e djathtë. Ndaj, porta edhe sot pritet të mbrohet nga Dashamir Xhika. Por “hallet” shtohen edhe nga paragjykimet. Cilido të jetë rezultati final i derbit, Partizani mbetet i paragjykuar. Thuhet kështu, pasi Vllaznia dhe Kamza kanë deklaruar se janë në dorë të Partizanit. Ndaj, e sigurt është që sot dikush do të mbetet i pakënaqur nga Partizani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura